Ai konsiderohet si një nga kanceret më të lehta për t’u diagnostikuar, megjithatë në botë vdesin 275 mijë gra në vit, kryesisht për shkak të mungesës së analizës në vendet e varfëra. Vetëm në Britaninë e Madhe diagnostikohen çdo vit 3 mijë gra me kancerin e qafës së mitrës, ndërkohë që ai zë vendin e gjashtë ndër format më të zakonshme të tumoreve. Ashtu si të gjitha tumoret, përqindja e mbijetesës prej tij është më e lartë kur ai kapet herët. Në vendet e zhvilluara, diagnostikimi dhe shërimi ka bërë hapa të mëdhenj përpara, megjithatë mbetet ende shumë për të bërë. Ja, pse është e rëndësishme të bëhen analizat e duhura, si paptesti, për të kontrolluar të gjitha ndryshimet e qelizave para se ai të zhvillohet…
Disa fakte
Në një studim britanik u zbulua se një në pesë gra nuk e bën paptestin. “Analizat e qafës së mitrës shpëtojnë afro 5000 jetë grash nëpër Britani çdo vit, megjithatë, 20% e grave ende nuk e bëjnë atë”, thotë njëri nga studiuesit. Gjatë këtij kontrolli, kapen edhe shenjat më të hershme të çrregullimeve që mund të kthehen në kancer, nëse lihen pa u trajtuar.
Si bëhet kontrolli
Qafa e mitrës është një ind në formë cilindri në fund të vaginës, që bën lidhjen e kësaj të fundit me mitrën. Ajo luan një rol të rëndësishëm në ciklin menstrual dhe shtatzani, si një urë lidhëse në sistemin riprodhues të gruas, që hapet shumë gjatë lindjes së fëmijës. Megjithëse shumica e grave të reja mendojnë se kanë kohë para se të shqetësohen për gjëra të tilla, është më mirë të diagnostikohesh herët, sesa vonë. Sipas Qendrës Britanike të Kërkimeve për Kancerin, 2 në 100 kancere të diagnostikuara në këtë vend janë të qafës së mitrës dhe ai mbetet një nga tumoret që haset më shpesh te gratë nën 35 vjeç. Ai shkaktohet në më të shumtën e rasteve nga një virus, i quajtur papilomavirusi njerëzor, ose HPV, ku 40 variantet e tij që trashëgohen seksualisht shkaktojnë afro 70% të kancereve. Megjithatë, nuk është kaq i frikshëm sa duket. Vetëm dy nga 40 variacionet janë më të rrezikshmet, sepse që të zhvillohet ky lloj kanceri, duhen edhe faktorë të tjerë. Shumica e grave seksualisht aktive bie në kontakt të paktën një herë në jetë me ndonjë formë të këtij virusi.
Pakësoni rreziqet
Sipas specialistëve, me kalimin e viteve, qelizat e qafës së mitrës pësojnë një seri ndryshimesh dhe në raste të rralla, bëhen kanceroze. Nëse kontrollohen vazhdimisht, këto ndryshime të pazakonta mund të kapen që në stadet e hershme. Në ditët e sotme, trajtimet moderne bëjnë edhe reduktimin në masë të zhvillimit të këtij lloj kanceri. Për shkak të natyrës së këtyre qelizave, që rriten rrallë, këshillohet që gratë e moshës 25-49 vjeçe të bëjnë një paptest çdo tre vjet, ndërsa gratë nga 50-64 vjeçe, çdo pesë vjet. Dhe, nuk keni pse të frikësoheni nëse testi del anormal; kjo nuk do të thotë se keni kancer, por ai i jep doktorit tuaj paralajmërimin për ekzistencën e virusit. Gratë mund ta reduktojnë rrezikun e këtij kanceri edhe duke mos pirë duhan. Përdorimi i prezervativëve mbron nga shumë sëmundje seksualisht të transmetueshme dhe ata mund të reduktojnë edhe rrezikun e marrjes, apo ngjitjes së një HPV-je.
Që prej vitit 2008 ka filluar vaksinimi kundrejt dy formave më të rrezikshme të HPV-së, për vajzat e moshës 12-18 vjeçe. Sipas vlerësimit të bërë në Britani, ai u shpëton jetën afro 400 grave çdo vit. Pavarësisht nëse e keni bërë kontrollin e qafës së mitrës, ose jeni vaksinuar, është e rëndësishme të shkoni te doktori nëse vini re diçka të pazakontë, si gjakrrjedhje në mes të ciklit, pas seksit, apo pas menopauzës. Kjo gjë mund të shkaktohet nga diçka shumë më pak serioze sesa kanceri, por sidoqoftë, duhet të kontrolloheni te mjeku.