Vjollca Haci është nga ato këngëtare që gjithë jetën e saj ia ka kushtuar folklorit, muzikës popullore dhe është fanatike e muzikës së vërtetë shqiptare. “Mall për familjen” është klipi i saj më i ri, një klip për të cilin ajo ka dhënë të gjithë dashurinë dhe shpirtin e saj, duke e realizuar deri në detaje. Vjollca do të vijë edhe me klipe të tjera shumë shpejt, por për momentin ajo dëshiron që të shijojë suksesin e klipit të sapopublikuar…
Fabjola Kuburi: – Nëse unë them Vjollca Haci, çfarë duhet të na shkojë nëpër mend, mua dhe lexuesve të gazetës sonë?
Vjollca Haci: – Unë jam bijë nga Mirdita, jam e martuar, kam një vajzë që quhet Fjorda, jam e dashuruar me muzikën e mirëfilltë, me muzikën që dëgjohet, ndihet dhe përjetohet.
– Ti jeton dhe punon jashtë, por ndërkohë, vjen edhe në Shqipëri. Si është jetesa në ecejake?
– Të them të vërtetën, është pak e lodhshme të merresh me punë dhe aktivitete të vazhdueshme, por në mesin e familjes, gjithçka merr kuptim të bukur.
– A mendon se muzika në Shqipëri ka gjetur bazën e duhur apo është ngatërruar shumë?
– Të them të drejtën është ngatërruar, por unë jam e fokusuar të popullorja. E kam më për zemër, është më e dashur për mua.
– Me çfarë tjetër je e lidhur, përveç muzikës?
– Pika ime e dobët është kuzhina. Gatimi më jep kënaqësi, është art më vete.
– A është muzika e gjithë jeta e Vjollcës apo studimet i ke bërë në tjetër fushë?
– Jo, kam mbaruar të mesmen e përgjithshme. Muzika ka qenë një pasion fëmijërie që e plotësova me kalimin e kohës dhe jam e kënaqur nga kjo që kam arritur deri tani.
– Si kanë qenë hapat e tu të parë në muzikë?
– Kam nisur të këndoj folklor që në moshë të re, pastaj me një pjesë të “Grupit të Burrave” të Mirditës dhe kolegen time Valentina Pulaj, që i përshëndes të gjithë, nisëm rrugëtimin tonë në muzikë në trevat e shqiptarëve në Maqedoni pastaj në Zvicër e në shumë vende të tjera.
– Sapo ke hedhur në treg klipin tënd më të ri, me titull “Mall për familjen”. Çfarë mund të na tregosh rreth tij? Kush bashkëpunoi në realizimin e këngës e klipit dhe si janë pritshmëritë për sukses?
– “Mall për familjen” është një këngë që unë e dua shumë. Në realizimin e saj kam bashkëpunuar me zotin Rifat Maxhuni, i cili ka bërë tekstin e për të cilin kam një respekt dhe vlerësim të jashtëzakonshëm sepse shkruan shqip aq bukur dhe është fanatik për muzikën shqipe. Falënderoj Studion Abs, që i ka duart e arta, gjithashtu grupi i mrekullueshëm “Kristal” me të cili punojmë prej 15 vjetësh, Altin Gunga, Sajmir Fusha, Arsen Lelo dhe koleget e mrekullueshme Manjola Mace, Anila Nimani, Alma Velaj dhe Iris Allmucaj.
– Çfarë pret nga publiku një këngëtare si Vjollca dhe çfarë i jep Vjollca publikut të saj?
– Mundohem të jap maksimumin dhe, pse jo, muzika ime të pëlqehet nga të gjithë.
– Cili do të jetë reagimi yt nëse nuk do të vlerësohesh për punën që bën, muzikën që këndon?
– Normale që do të më vinte keq sepse pavarësisht rezultatit, mundohem që ta bëj punën me shpirt.
– Për kë bën muzikë, kush të frymëzon dhe kush e dëgjon muzikën tënde?
– Bëj muzikë për publikun tim, për një aktualitet jo të tepruar, për familjen dhe miqtë e mi.
– Si i ke marrëdhëniet me pushimetl det, mal apo vera është e zënë me angazhime?
– I adhuroj malin dhe detin, ama detin e kam më për zemër, më qetëson shpirtin.
– Do të të shohim me bashkëpunime apo je e prirur drejt solos?
– Do të ketë edhe bashkëpunime, por dua të kem diçka më konkrete në dorë, që të flas më shumë për këtë çështje.
– Çfarë e veçon Vjollcën në tregun muzikor?
– E veçanta ime është dashuria për muzikën dhe lirshmëria me njerëzit.
– Më the se popullorja është muzika jote, por ku do të ndiheshe në siklet për ta kënduar dhe cilën rrymë?
– Po ndihem rehat te muzika ime, te popullorja, por nuk do të këndoja dot kurrë hip-hop. (Qesh)
– Në çdo periudhë ka gjithmonë diçka që trazon mendjen e secilit prej nesh. Mendjen tënde, çfarë e trazon në këto momente?
– Malli për familjen… pushimet janë shumë të pakta.
– Je me sezon dasmash tani. Si e përballon fluksin e tyre?
– Është e vërtetë që lodhem shumë sepse fluksi i dasmave është shumë i madh. Dasma paçim në një anë, por është grupi “Fortesa”, me të cilët punoj gjatë këtij sezoni, këngëtarët e mrekullueshëm Bekim Rexhepi dhe Burim Tenova, të cilët me profesionalizëm e lehtësojnë punën.
Më afër me Vjollcën
– Sipas teje, ekziston lumturia absolute?
– Jo, nuk ekziston.
– Çfarë nuk do ta kishe falur kurrë?
– Tradhtinë, e çfarëdo lloji qoftë ajo.
– Bën punë shtëpie? Çfarë nuk di të bësh nga punët e shtëpisë?
– Bëj që çke me të! Të thashë që e dashuroj kuzhinën dhe më pëlqen të gatuaj gjithçka.
– Për çfarë ke nevojë tani?
– Për një pushim të vogël.
– Cilat gabime nuk toleron?
– Ato me vetëdije, sepse njerëz jemi, edhe gabojmë, po kur bëhen me vetëdije, nuk tolerohen.
– Ç’ndjesi të jep një ditë me diell?
– Dielli më sjell një kënaqësi të jashtëzakonshme që reflektohet edhe tek unë.
– Po një ditë me shi?
– Shiu më demoralizon, nuk e kam shumë qejf.
– Çfarë ta kujton gjithmonë fëmijërinë?
– Ma kujtojnë poezitë që na shkruante babi në atë kohë, ndjesë pastë dhe ne i recitonim me motrën, Blertën.
– Kujt ke patur dëshirë t’i ngjash kur ke qenë e vogël?
– Mamit. Realisht, u ngjaj shumë të dy prindërve. Ata kanë qenë të përkryer dhe shumë punëtorë me ne.
– Dashuria, ose vjen vetë, ose duhet ta kërkosh! Ti e ke gjetur dashurinë tënde, erdhi ajo te ti apo shkove ti tek ajo?
– Erdhi ajo tek unë dhe me një bukuri që vazhdoi gjatë, që me ardhjen në jetë të vajzës, Fjordës.
– Xhelozia është gjë e mire apo e keqe?
– Është shumë e keqe, madje sëmundje mund ta quaja.
– Ku do ta shohim Vjollcën në të ardhmen?
– Shumë shpejt do të vij me diçka të re, shumë të bukur, por si gjithmonë, mbetem te popullorja.