Ndoshta papërkulshmëria lidhet me emrin e heroit tonë kombëtar, ndoshta kemi pasur fat në short, por një gjë është e sigurtë: Skënderbeu ka hapur një faqe të re në historinë e futbollit shqiptar! Fitorja 2-0 me ekipin e Milsamit në “Elbasan Arena” i jep skuadrës korçare arritjet më të larta në Evropë, pasi kalimi i këtij turi, i ka siguruar përveç play-off-it të Ligës së Kampionëve, edhe grupet e Ligës së Evropës. Një skuadër e ndërtuar në mënyrën e duhur, duke gërshëtuar pjekurinë, përvojën dhe talentin, për të marrë maksimumin e mundshëm. Pa dyshim, një ndër pikat më të forta për këtë Skënderbe është edhe Gerhard Progni, mesfushori i djathtë i cili në minutën e 55-të të takimit çoi në këmbë stadiumin duke realizur një super gol, për të vulosur kualifikimin dhe rezultatin e përgjithshëm 2-0. Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën tonë, numri 7 tregon emocionet e golit, pikantet nga dhomat e zhveshjes dhe atë çfarë është më kryesore se deri ku mund të mbërrijë ekipi korçar, i cili po shkruan historinë e tij në një papirus të kohëve moderne…
Eraldo Harlicaj: – Progni, urime për golin! A mund t’i rikujtoni emocionet e provuara?
Gerhard Progni: – Të falënderoj. Akoma më rrënqethet trupi kur e kujtoj. Të shënosh në atë stadium të stërmbushur, përballë tifozerisë tënde duke vulosur rezultatin, është diçka e jashtëzakonshme, që shpresoj të përsëritet. Më vjen shumë mirë që u dhurova një gol të bukur tifozave korçarë; ata e meritojnë.
– Goli ishte fantastik, por qetësia juaj, e frikshme…
– E dija se Vangjeli do të asistonte në atë mënyrë, ndoqa rrjedhën e aksionit dhe në momentin që gjendesha përballë portierit, po shikoja lëvizjet e tij. Qëndrova i qetë dhe po prisja momentin e duhur për të goditur.
– Si e prisnit ndeshjen?
– Prisnim një ndeshje mjaft të vështirë. Kishim bindjen se do të përballeshim me një ekip mjaft të motivuar që do të jepte gjithçka për të përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë.
– Fusha e lojës e forcoi apo e hodhi poshtë bindjen tuaj?
– Fusha e lojës e forcoi bindjen, pasi Milsami nuk është dorëzuar për asnjë minutë dhe ka luftuar deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit. Meritojnë respekt, pavarësisht faktit se ekipi ynë është më lart në cilësi.
– Cili ishte momenti më përcaktues i ndeshjes?
– Nëse prisni të them se ishte goli im, e keni gabim… (Qesh) Mendoj se momenti që ndikoi në rrjedhën e lojës ishte dalja me të kuqe e lojtarit të Milsamit në minutën e 13-të.
– Me arritjen e grupeve të Ligës së Europës, a i mendoni të kapshme grupet e Kampionëve?
– E rëndësishme është që ne e arritëm objektivin që i kishim vënë vetes në fillim, por nëse Zoti na ka rezervuar ndonjë surprizë të bukur, pse të mos e kalojmë edhe këtë tur? Ne do të punojmë fort dhe do të bëjme maksimumin për t’ia dalë.
– Deri ku mendoni se do të arrini?
– Sikur ta dija, do të ta thoja me kënaqësi. (Buzëqesh) Ne i kemi të gjitha mundësitë për të bërë vërtet mirë.
– Si i shihni ndeshjet e Play-off-it?
– Do të jenë 180 minuta vendimtare përballë një kundërshtari tepër të vështirë. Ne do të luajmë shancet tona dhe do të mundohemi të bëjmë maksimumin.
– Ju jeni futur në një nivel të ri konkurrimi. A mendoni se ekipi duhet të ndërhyjë në merkato?
– Ky grup lojtarësh ka merita shumë të mëdha që Skënderbeu është këtu dhe jam i sigurtë se mund të përballojë çdo kundërshtar. Nëse vjen një emër cilësor, do të ishte mjaft mirë për ekipin.
– Cili është çelësi i suksesit të ekipit tuaj?
– Grupi është çelësi. Kemi një atmosferë mjaft të mirë dhe jemi të bashkuar me njëri-tjetrin; nuk kemi kontradikta ndërmjet lojtarësh.
– A mund ta dimë se si ju motivon në dhomat e zhveshjes profesor Mirel Josa?
– Profesori ka një meritë shumë të madhe në suksesin tonë, është një trajner shumë i mirë. Ai na motivon me qetësinë e tij. Ka një cilësi mjaft pozitive pasi nuk na vë në presion, por gjithçka e zgjidh në mënyrën e tij, e cila është mjaft e veçantë.
– Sa ju ka motivuar shpërblimi prej 500 mijë eurosh?
– Po, ka qenë një motivim, por nuk ka qenë diçka primare. Ne mendonim vetëm të realizonim ëndrrën tonë dhe të shumë shqiptarëve që të hynim në grupe, duke shkruar një histori të re të ekipeve tona në Evropë. Në lojë nuk mendon për paratë, por nuk mund ta mohoj se ka qenë një motivim.
– Takaj ka premtuar një shpërblim prej 1 milion eurosh nëse kualifikoheni në grupet e Kampionëve…
– Kemi një president shumë bujar. (Qesh) Është e njëjta gjë, normalisht që të motivon, pasi shifra është e konsiderueshme, por nuk është në plan të parë. Ne do të luftojmë njësoj si me shpërblim, si pa shpërblim… Por, faleminderit presidentit edhe një herë.
– Ju keni luajtur edhe për Kukësin. Ku ndryshon Skënderbeu nga ekipi verilindor?
– Skënderbeu ka ekip më të mirë se Kukësi dhe luan futbollin më të bukur në Shqipëri.
– Takaj apo Gjici?
– (Qesh) Unë e kam bërë zgjedhjen time tashmë.