– Jam një djalë 19 vjeç. Po ju shkruaj se kam djersitje të madhe në sqetulla, aq sa duket shumë mbi çdo bluzë që vesh, sidomos në periudhen e verës. Shpesh herë në periudhën e verës evitoj kontaktet me njerëzit, sepse vihem shumë në siklet nga problemi i djersitjes. Kam bërë analiza të ndryshme të dhëna nga mjekët, por nuk është gjetur asnjë shkak se pse e kam gjithë këtë djersitje. Çfarë më rekomandoni të bëj që të shpëtoj nga ky problem kaq stresues ju lutem?
Dr. Albana Lufi, Ph.D in Dermatology: – Djersitja është një mekanizem me të cilen trupi rregullon temperaturën e tij. Shumë herë ky proçes është i natyrshëm dhe i shëndetshëm, por në mjaft raste djersitja është shumë e shprehur duke përbërë një problem shqetësues, jo vetëm për femrat, por edhe për meshkujt. Grada e djersitjes mund të variojë nga një shtim i lagështirës deri në krijimin e bulzave të vogla të djersës. Djersitja e tepërt (hiperhidroza) në varësi të shkakut ndahet në parësore dhe dytësore.
– Djersitja e tepërt parësore është zakonisht qendrore, dhe mund të ketë një predispozitë gjenetike. Zakonisht fillon në fëmijëri, ose në adoleshencë.
– Djersitja e tepërt dytësore mund të vijë si pasojë e çrregullimeve endokrine, kryesisht çrregullimet e tiroides, diabeti, menopauza, medikamente të ndryshme etj.
Hiperhidroza është e lokalizuar ose e gjeneralizuar në të gjithë trupin. Vendet kryesore ku shfaqet hiperdroza e lokalizuar janë: sqetullat, pëllëmbët e duarve, shputat e këmbëve, fytyra. Zonat e tjera mund të jetë beli dhe gjoksi. Ndikimet psikologjike, pasojat sociale dhe profesionale të djersitjes së tepërt janë të mëdha. Personat që vuajnë nga prodhimi i tepërt i djersitjes kanë mjaft ankth dhe siklet, besim të ulët në vetvete, vështirësi në gjetjen e një pune, problem në jetën seksuale, madje edhe depresion. Ju flasim tani për trajtimin e djersitjes së tepërt:
– Për trajtimin e hiperhidrozës parësore ose idiopatike nuk ekzistojnë barna specifike. Trajtimi i kësaj forme deri tani bëhej duke përdorur deodorantet dhe substancat antiperspirante, por pa efekt të dukshëm. Metodat e vjetra si heqja kirurgjikale e gjëndrave të djerses dhe simpatektomia thorakale janë braktisur, sepse nuk ofrojnë zgjidhje reale për djersitjen e tepërt. Jonofreza është një teknikë që vazhdon të përdoret edhe në ditët e sotme për të trajtuar hiperhidrozen dhe konsiston në trasmetimin e një rryme të vazhduar me intensitet të ulët të trasmetuar nga një gjenerator i rrymës së vazhduar në pëllëmbët e duarve, ose në shojet e këmbëve të zhytyra në një solucion elektolitik. Rryma bllokon kanalet e gjendrave të djerses për një farë periudhe kohore dhe trajtimi duhet të përsëritet rregullisht.
Trajtimi modern i djersitjes së tepërt në ditët e sotme është përdorimi i Botox (injektimi i toksines botulinum tipit A). Botoxi është i famshëm për eleminimin e rrudhave të shprehjes së formuar nga kontraktikimet e muskujve sa herë që ju buzëqeshni apo merziteni. Përdorimi më i fundit i Botox është dhe për të luftuar djersitjen e tepërt të sqetullave, të duarve dhe këmbëve. Përtej efektit terapeutik të Botox, në sqetulla injeksioni ndihmon për të larguar ndjenja të pakëndshme të të qënit i djersitur gjatë gjithë verës, ose pse jo, gjatë gjithë vitit, nëqoftëse proçedura përsëritet. Në Amerikë dhe në Evropë trajtimi i djersitjes me Botox është bërë një proçedurë e zakonshme. Kjo proçedurë aplikohet dhe në klinikën Dermatologjike dhe Estetike “Dermovita”. Injeksioni me Botox bllokon transmetimin e impulseve nervore nga gjendrat e djersës dhe kështu pengohet prodhimi i djerses. Kjo proçedurë nuk ka efekte anësore dhe mund të përsëritet në varësi të individit pas 6 ose 9 muajve ose çdo fillim vere. Me respekt nga Dr. Albana Lufi, Mjeke Dermatologe Klinika Dermatologjike dhe Estetike “Dermovita”.