Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Tradhtova gruan dhe mashtrova të dashurën

E nderuar redaksi e gazetës dhe ju të nderuar lexues! E di që do të më paragjykoni kur ta lexoni historinë e dashurisë sime. Jam 39 vjeç dhe punoj në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë. Prindërit i kam që të dy nga një qytet i vogël, por shumë i bukur i Shqipërisë së Jugut. Babai im ka lindur në Tiranë, sepse gjyshi ka qenë oficer dhe ka ardhur në Tiranë pas çlirimit, ndërsa nëna ime u fejua e martua me babanë tim pasi kishte mbaruar shkollën e mesme të infermierisë. Ne jemi katër fëmijë. Vëllai i madh është menaxher në një kompani private. Ai ka mbaruar për Ekonomik dhe nusen e ka ekonomiste, zonjë grua në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Edhe dy motrat e mia janë rregulluar dhe Zoti deshi që të dyja të merrnin burra të mirë. Më i vogli i fëmijëve isha unë dhe unë vendosa të ndiqja rrugën e mamasë sime. E fillova shkollën e mesme të infermierisë me synimin që nëse do të arrija të dilja mirë në shkollë të mesme, do të konkurroja dhe të vazhdoja mjekësi, se do të ishte më e thjeshtë, por unë nuk isha i prerë për shkollë dhe sapo mbarova infermierinë, fillova punë falë emrit të mirë të mamasë dhe një miku të babait, që punonte në Ministrinë e Shëndetësisë.

Fillimi i punës më përkoi edhe me ndryshimin e sistemeve. Shumë gjëra ndryshuan jo vetëm në llojin e sëmundjeve, por edhe në mënyrën e mjekimit, në listat e ilaçeve që ndryshonin vazhdimisht për terapitë e ndryshme, por prania e mamasë sime në punë bëri që të bëhesha ndër më të zotët. Në lagje, qysh kur kam qenë në shkollë të mesme, kisha një vajzë që më pëlqente shumë. Nuk i kisha folur asnjëherë, por pasi fillova punë dhe isha shkathtësuar goxha, edhe ajo vetë kishte mbaruar shkollën e mesme dhe u lidhëm bashkë. Ndenjëm për afro një vit të dashuruar e takoheshim në varësi të turneve të punës sime. Pastaj vendosëm që të fejoheshim. Jam i sigurt që kam qenë djalë me fat. Vajza që kisha zgjedhur është gruaja më e mrekullueshme në botë.

– Shpirti im, ke lëkurën më të butë, më pëlqen ta përkëdhel e puth gjithë kohën, – i thosha sa herë prekja duart e saj.

Advertisement

– Edhe mua do të më pëlqente të më prekje gjithë kohën, – më thoshte ndërsa kruspullosej në krahët e mi. E kështu, mes dehjes e zjarrit të dashurisë ndenjëm dy vite të fejuar e më pas u martuam. Ne jetuam në shtëpinë e prindërve të mi, ndërsa ata shkuan të jetonin me vëllain e madh. Ai ishte shumë më mirë ekonomikisht se unë dhe arriti të blinte një shtëpi të madhe. Edhe nusja e vëllait ishte shumë e mirë. Pastaj ata u bënë me fëmijë dhe prindërit e mi i ndihmuan deri në fund.

Gruaja ime kishte bërë një kurs rrobaqepësie dhe filloi të punonte në zanatin e vet në shtëpi. Puna e saj nuk ishte ndonjë gjë e madhe sepse duheshin goxha para që të blinte disa makineri, por rroga ime si infermier bashkuar me bakshishet që u merrja pacientëve, ishin mjaftueshëm. Një vit pasi u martuam, gruaja mbeti shtatzënë. U lumturuam dhe nuk dija ku ta vija nga kënaqësia. Shtatzania i erdhi e vështirë me të vjella e siklete sa s’di ç’të them. Më dukej vetja krejt i paaftë, përderisa nuk isha i zoti të lehtësoja sikletin e saj. Kur ishte pesë muajshe shtatzënë, ajo u përkeqësua. Meqenëse kisha ca njohje edhe te materniteti, ambulanca erdhi menjëherë kur i mora në telefon në orën dhjetë të darkës, por me gjithë përpjekjen e mjekëve, bebi nuk arriti të mbijetonte. Kur mjeku doli nga salla, më tha:

– Më vjen keq… e humbëm fëmijën, por jam i lumtur që gruaja jote ishte me fat. Nëse do të kishit ardhur dy minuta më vonë, do të ishte shumë vonë. Shko takoje dhe mundohu t’i rrish pranë, – më tha dhe ndërsa largohej, më rrahu shpatullat. Në sytë e tij pashë frikën që kishte kaluar edhe ai.

Pasi e çuan gruan time në dhomë, më thanë që mund të hyja. Dukej në gjendje të mjerueshme.

– Shpirt, do ta kalojmë, do kemi fëmijë tjetër. E rëndësishme është që të bëhesh ti mirë, – mundohesha ta qetësoja, ndërsa e përqafoja dhe e përkëdhelja.

– Nuk e di nëse do të kemi, se dëgjova mjekun që po fliste me infermieren, – tha ndërsa shkrehej në lot. Qante me dihama dhe e pashë që po e përjetonte keq. – Nuk është se thjesht dua fëmijë tjetër, por ç’të keqe kam bërë, që ta filloj kështu me fëmijët? – thoshte dhe të dy burrë e grua po qanim në krahët e njëri-tjetrit.

Kur erdhi infermierja për ta kontrolluar nëse ishte sistemuar si duhet, na gjeti duke qarë të dy.

– Po unë mendova se ti do ta qetësosh, jo do ta bësh të qajë më shumë. Edhe unë që s’ju kam asgjë, nuk do t’jua uroja që të humbnit fëmijën pesë muajsh në bark, por të dy duhet të mendoni që jeni të rinj dhe veglat ju punojnë të dyve për të patur fëmijë tjetër. Pastaj, mendoni që të tjerët i humbasin fëmijët edhe në moshë madhore. Unë vetë kam patur dy aborte dhe një djalë më ka vdekur njëzet e një vjeç, kështu që mblidhni mendtë e kokës. E ti, që ma mban veten për infermier kirurgjie, që duhet të ishe i fortë, dil e shko në shtëpi se kujdesem më mirë unë, – tha dhe nuk bëhej fjalë të kundërshtoja me atë ton zëri që më foli. E përqafova edhe një herë gruan, i thashë që do të kthehesha në mëngjes e ika me zemrën copë.

Pasi gruaja ime doli nga spitali, u kujdesa që të qetësohej sa më shumë dhe pas gjashtë muajsh, sipas këshillës së mjekut, filluam përpjekjet për fëmijë tjetër.

Erdhi sërish çasti i shumëpritur dhe gruaja ime mbeti shtatzënë, po me sikletet e rrezikun që pati në shtatzaninë e parë. Atëherë, mjeku vendosi që ajo të shtrohej në spital dhe ta kalonte gjithë shtatzaninë në spital. Dhe, sigurisht që ne zbatuam këshillën e mjekut. Shkoja çdo ditë ta takoja në spital e shkoja edhe në punë. Më mungonte shumë gruaja në shtëpi, por vendosa ta kaloja me sa më shumë punë. Në fakt, puna ime është që të kujdesem gjithmonë për pacientët që na vijnë në spital e unë nuk e bëj gjithmonë, por këtë radhë po më ndodhte ndryshe. Ndërsa shkoja në pavion në të gjitha dhomat dhe i pyesja të gjithë me radhë, te një pacient që kishte një muaj i shtruar, pashë një vajzë, copa e yllit. Në moment më lëvizi gjithë sistemi nervor kur pashë atë trup elegant, atë fytyrë të ëmbël.

– Si ndihesh sot? – i thashë pacientit, ndërsa i hidhja ndonjë sy vajzës. Pasi kontrollova serumin, e pyeta se kush ishte ajo.

– Është vajza e vëllait, vazhdon Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, është në vitin e dytë, – më tha ai ndërsa e shihte gjithë dashuri mbesën e tij.

– Epo, suksese në shkollë e në jetë se qenka goxha vajzë, – i thashë, ndërsa mendja më punonte vetëm se si të gjeja mënyrën të flisja me të. Sigurisht, unë isha i stafit dhe do t’i duhej të fliste me mua. Kur mbaroi orari i vizitave, bëra sikur do të dilja dhe e takova në korridor.

– Po tani, nga do të shkojë bukuroshja jonë? – i thashë, ndërsa zëri m’u drodh se u kujtova që e kisha gruan time në spital, duke u përpjekur të rriste në trup e të lindte fëmijën tim.

– Do pi një kafe se do pres të vijë babai im të shohë xhaxhin e të më takojë edhe mua, – tha ndërsa uli sytë gjithë turp.

– Atëherë mund të kem nderin ta pi kafen më ty? – i thashë këtë radhë me zë më të qetë.

– Nëse për ty nuk është problem, – tha, ndërsa i hodhi sytë nga dora ku kisha unazën e martesës.

– Po ne kafe do pimë, kështu që gruaja ime nuk hyn në këtë mes, – i thashë dhe e kapa nga bërryli për t’u kthyer nga një lokal që ishte në anën tjetër të rrugës. U ulëm në një cep dhe pasi porositëm, fillova ta pyesja për shkollën e gjëra të tjera në përgjithësi. Ndërsa përgjigjej e shikoja gojën e saj tek lëvizte aq hijshëm për të artikuluar fjalët, më iku truri.

– Ke të dashur? – e pyeta menjëherë, pa patur lidhje më atë muhabet që po bënim.

– Jo, sapo jemi ndarë, – tha dhe sytë iu mbushën me lot. E kuptova që mund ta shfrytëzoja këtë situatë.

– Epo, paska qenë budalla që ka pranuar t’i ikë nga dora një vajzë si puna jote, – thashë ndërsa mbushesha me frymë me vështirësi. E kalova muhabetin për të mos e vënë më në siklet dhe i kërkova të pinim kafe kur të vinte herën tjetër për të takuar xhaxhin.

Fillova të kujdesesha në mënyrë të veçantë për atë pacient, ndërsa pija kafe me mbesën e tij. Shtëpia ime ishte bosh dhe një ditë e ftova të vinte në shtëpi. I tregova se në ç’orë do dilja nga puna dhe i thashë të më ndiqte mua rrugës dhe të vinte në shtëpinë time.

– Kur të ngjitem, do ta lë derën e shtëpisë hapur dhe hyr direkt, – thashë.

Dhe kështu, ajo vinte pas meje dhe kur hyra në pallat, mendova se askush nuk do ta vinte re që ajo hynte tek unë. Studenten bukuroshe e çova në krevatin tim bashkëshortor jo vetëm një ditë, por për disa muaj me radhë, derisa gruaja ime lindi djalin. U lumturova për lindjen e djalit dhe po mendoja se ku mund të gjeja vend tjetër që ta vazhdoja lidhjen time. Nuk e dija që komshinjtë më kishin parë.

Gruaja ime doli nga spitali dhe mamaja ime, për një muaj, erdhi të rrinte te ne. Ajo u kujdes derisa gruaja ime të ngrihej vetë, e mësoi të lante e mbante djalin. Isha i mbushur plot me dashuri dhe ndihesha i lumtur. Dilja nga shtëpia e më prisnin takimet me bukuroshen time; kthehesha në shtëpi e më priste dashuria e gruas dhe e djalit. Por nuk do të zgjaste shumë ndyrësia ime. Një nga komshijet i kishte treguar gruas sime dhe një ditë, kur u ktheva nga puna, e kuptova që kisha humbur.

– Sa herë e ke sjellë në krevatin tim? – më tha gruaja sapo hapa derën. Më priste me djalin në krahë e çantën me rroba te këmbët. Kishte vendosur të më linte. Po përpiqesha të mblidhja fjalët, por asnjë fjalë nuk po më dilte.

– Di gjithçka, mos u përpiq të më gënjesh, tregohu burrë një herë të vetme në jetën tënde, – më tha, ndërsa lotët i rrodhën në faqet e rrumbullakosura.

– Të lutem, më fal, do t’i jap fund qysh sot, të lutem mos ik. Është e vërtetë, por të premtoj që nuk do të vazhdoj më.

– E si mund të të besoj? – më ulëriti. – Më ndihmo me çantën deri te ndonjë taksi, do iki. Nëse ke ndërmend të mbledhësh mendjen, ti e di ku mund të më gjesh, por dije se buka që thyhet, nuk ngjitet më, – hapi derën dhe doli në shkallë.

E ndoqa me çantën në dorë dhe e përcolla në këmbë deri te pallati i prindërve të saj. Arrita t’i kërkoja disa herë të më falte.

– Të lutem, rri dy-tre ditë dhe kthehu në shtëpi. Të betohem që nuk do ta takoj më, hajde flasim, – i thashë në vesh, ndërsa mamaja e saj hapi derën e po na priste krahëhapur.

– Ç’ka ndodhur? – tha ajo menjëherë kur pa gruan time.

– Asgjë, djali ka qarë gjithë natën e gjithë ditën dhe nuk arrita të flija fare, – tha gruaja ime, ndërsa hymë në kuzhinë. – Unë po shkoj të fle menjëherë se nuk rri dot në këmbë, – tha dhe iku.

Unë piva kafenë dhe dola. Nuk kisha fytyrë të rrija. Atë pasdite vonë dola në takimin tjetër, me të dashurën time bukuroshe.

– Ka mbaruar, kaq ishte, – i thashë. – Gruaja ime e mori vesh… Pastaj, ti e dije që unë i martuar isha, – i thashë ndërsa rrija në këmbë, sepse nuk doja që të ulesha në kafe. E dija që nëse do të ulesha, nuk do mund të largohesha. Edhe pse unë isha i martuar, kurse ajo një vajzë e vogël shkolle dhe të dy ne bëmë gabim (unë më shumë se ajo), nuk mund të them që ishte vajzë e keqe. Unë e shfrytëzova sepse sapo ishte ndarë nga i dashuri dhe i premtova kujdes për xhaxhin e saj. – Të lutem, më fal nëse po të lëndoj, por unë do të kthehem të gruaja dhe te djali im. Të uroj të gjesh një djalë të mirë siç je vetë. Ta dish që je me të vërtetë vajzë e mirë, – e putha lehtë në faqe dhe u largova.

U ktheva në shtëpi dhe të nesërmen mora në telefon në shtëpinë e prindërve të gruas për të pyetur se si ishte djali e nusja ime. Kur gruaja ime m’u përgjigj në telefon, iu përgjërova që të më falte e të kthehej.

– Nuk e di, – më tha, – por kam frikë se nuk e harroj dot këtë që më ke bërë, nuk të fal dot.

Pas gjashtë muajsh lutjesh, gruaja ime u kthye sërish te unë. E prita me ankth, dashuri e mall dhe sot, që kemi edhe dy fëmijë të tjerë, shpresoj që Zoti të mos hakmerret te fëmijët e mi. Nuk dua që ata të vuajnë siç bëra unë të vuajë gruaja dhe ish-e dashura ime. Shpresoj të më kenë falur që të dyja…

 

 

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Çartani: Ja dashuria e jetës sime..

Next Post

Çfarë dini për dhimbjen e kokës?

Advertisement