– Jam një emigrante me banim në Gjenova të Italisë e datëlindjes 12.04.1956. Në Itali kam rreth 15 vite si rezidente, por kam punuar disa vite pa sigurime. Në Shqipëri kam gjithsej 12 vite me kontribute në ish-N.B “Gjergj Dimitrov”. Dua të di, a përfitoj ndonjë të ardhur nga legjislacioni italian? Po në Shqipëri me këtë vjetërsi, a përfitoj pension dhe në ç’moshë mund të dal në pension?
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – E nderuar letërshkruese, duke qenë se nuk keni vjetërsi kontributive në Itali, rrjedhimisht nuk mund të përfitoni pension nga legjislacioni italin i sigurimeve shoqërore, por nisur nga rezidenca që keni në Itali mund të përfitoni Pagesë Sociale (Assegno sociale). Për të përfituar këtë pagesë kërkohen këto kushte: 1. Mosha 65 vite e 3 muaj (është për vitin 2015, por mund të ndryshojë në vitet e mëvonshme). 2. Statusi në nevojë ekonomike. 3. Për qytetarët jokomunitarë në BE, regjistrimi në komunën ku banon. 4. Lejeqëndrimi në BE me afat të gjatë. 5. Të ketë një qëndrim të vazhdushëm për të paktën 10 vite në territorin italian. Masa e pagesës sociale për vitin 2015 është 448.52 euro, për 13 muaj ose 5.830.76 euro në vit. Duke patur një vjetërsi të konsiderueshme qëndrimi në Itali, kam bindjen që duhet t’i plotësoni kushtet e kërkuara më lart, por duhet të prisni që të plotësoni kushtin e moshës.
– Përsa i përket pensionit në Shqipëri, bazuar në nenin nr. 16 të ligjit nr.104/2014, i cili ndryshon nenin nr. 31 të ligjit nr. 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, thuhet: l. Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92 të këtij ligji. 2. Nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim. Moshën për pension pleqërie e plotësoni më datë 12.12.2016. Pra, ju nuk plotësoni kushtet për të përfituar pension, mbasi sipas informacionit që na keni dërguar, keni vetëm 12 vite me kontribute. Për t’u përfshirë në kushte pensioni, mund të kompletoni periudhën e munguar për 3 vite, nëpërmjet sigurimit vullnetar pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Aktualisht, pagesa mujore për sigurimin vullnetar është 4.752 lekë, ndërsa ajo vjetore është 57 024 lekë.
– Kjo pagesë shërben për sigurimin e pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familiar. Ju sugjeroj që para se të bëni sigurimin vullnetar, bëni konfirmimin e periudhave kontributive që keni në Shqipëri. Ky konfirmim mund të bëhet nga ana jonë, duke na dërguar librezën e punës, ose në mungesë të saj, rubrikat e punës sipas ndërmarrjeve ku keni punuar, si dhe periudhat në çdo subjekt fillim-mbarim. Sigurisht, këto të dhëna duhen shoqëruar edhe me gjeneralitetet (Emër, atësi, mbiemër, mbiemri i vajzërisë, datëlindja, adresa në Itali, kodi fiskal, numër telefoni). Jeni e mirëpritur edhe nëse mund të paraqiteni personalisht në zyrën tone me adresë: Rruga “A. Z. Çajupi” Pallati nr.7 Kati i I-rë Tiranë. E-mail albania@inas.it, tel; 035544531748, cel; 00355665708074. Të gjitha shërbimet tona ofrohen pa asnjë pagesë. Ju falënderoj për besimin.