– I nderuar profesor Jashari, më vijnë në kokë ca mendime të këqija që nuk ikin aq sa ma shpifin, më mërzitet vetja dhe më vjen edhe turp t’i tregoj. Kam pyetur Imamin e nderuar të Xhamisë, zoti Ahmet Kalaja dhe më ka thënë se këto janë mendime si nga “shejtani” që synojnë të të krijojnë vesvese duke të futur dyshime për çdo gjë, por ti kthejua shpinën, kërko ndihmë e mbrojtje nga Zoti yt dhe merru me punë të mira e të dobishme, pa ua vërshëllyer. Të njëjtën gjë më ka thënë edhe një prift në Amerikë, vetëm se ai më tha se kur ti e dëgjon, i trembesh diçkaje, djalli e kupton këtë e vjen e të pëshpërit çfarë t’i dojë qejfi, keq e më keq. Po me shkencë, si quhen këto mendime dhe si mund të ndalohen ato? Ju lutem, se më janë bërë si ndonjë rodhe! Ardita, Rruga e Kavajës, Tiranë.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuara Ardita, këto mendime negative, këmbëngulëse dhe jo realiste, me shkencë quhen mendime obsesive. Ti e kupton edhe vetë që s’duhet t’i kesh, pra, je në “luftë” me to, je e vetëdijshme, ndaj ky fakt e përjashton diagnozën për çdo lloj sëmundjeje psikike që ti ke frikë. “Si t’i ndalosh mendimet obsesive?”. Kjo është pyetja ime e shpeshtë për të gjithë ata që i kanë këto mendime. Më lexo me vëmendje. Mendimet obsesive (ose negative) mund ta bëjnë jetesën të trishtuar kur ju mërziteni prej tyre, por kjo situatë siç e paskeni kuptuar është një ftesë që ta kapërceni mendjen dhe të çliroheni prej vuajtjes përgjithmonë. Duhet sikur nuk e bëni dot, por e bëni që çke me të, e kanë bërë të gjithë, falë psikoterapisë me disa seanca.
A mund t’i ndaloni ju mendimet obsesive? Në qoftë se po, do të ishte shumë mirë, por e vërteta është ndryshe sepse është pak më e komplikuar që t’u japësh fund mendimeve, gjë të cilën ju mund ta bëni vetëm për pak sekonda. Plus që t’u japësh fund këtyre mendimeve është më keq sesa t’i durosh ato sepse krijon shumë energji të brendshme negative, ose më saktë ka “kosto” më të madhe, pra, nuk ia vlen. Pra, si të ndalojmë së menduari këto mendime të tmerrshme?
Sekreti për t’i ndaluar mendimet obsesive ose negative është që t’i “shkëputësh” ato nga mendja. Ju mund ta luftoni mendjen me mendje. Le ta shohim më të detajuar këtë gjë dhe ju lutem, nëse ju del ndonjë pyetje, shënojeni për të m’u drejtuar përsëri. Të gjithë njerëzit që kanë mendime të tilla, ndjehen si të “pavlerë” e “fajtorë” se pse i mendojnë ato. Janë të gjithë këta njerëz të zgjuar, të mbindjeshëm e me veti të çmuara, por që nuk kuptojnë se çfarë i shkakton mendimet obsesive… Shumica “besojnë” se ato i prodhon vetja e tyre dhe ndjehen “fajtorë”, njëlloj sikur t’ia kishin shkaktuar vetes këto vuajtje. Në qoftë se ju “prodhoni” mendime, atëherë ju duhet të keni kontroll mbi to, por e vërteta është se nuk jeni ju ai që i prodhoni këto mendime, por mendja juaj. Është një proces automatik në të shumtën e rasteve pa u vënë re. Mund të shtrohet pyetja:
A mund të parashikosh se çfarë do të mendosh pas 30 sekondash? Në qoftë se ti nuk mundesh, atëherë si mund të pretendosh se po prodhon mendime? Çdo njeri në çdo moshë ka fantazi të mirë e shumë të mirë, deri edhe të keqe apo perverse, por i fshin ato të këqiat ashtu siç fshijmë pluhurat apo shkarkojmë banjën!
– E vërteta është se mendja i prodhon këto mendime. Këto mendime kalojnë si retë. Ne identifikohemi me disa prej tyre dhe fiksohemi pas tyre, të cilat në shumicën e rasteve janë një formë energjie neutrale, por është interesimi apo preokupimi ynë që i bën këto mendime obsesive. Në qoftë se ju e kuptoni këtë vërtet, atëherë ju sapo keni hedhur hapin e parë për t’u çliruar nga mendimet obsesive. Çdo gjëje të keqe apo të mirë me të cilën ne përqendrohemi, sikur i japim fuqi, jetë, pra, e tërheqim. Prandaj në lidhje me mendimet obsesive ne do të quhemi si “fajtorë” të pafaj.
Polici dhe hajduti janë të dyja mendja, pra, si mund ta kapë polici hajdutin nëse ata po “vjedhin” së bashku? Nuk mund ta mposhtësh mendjen me forcë. Sa më shumë t’i sulmosh mendimet obsesive, aq më shumë të sulmojnë edhe ato. Kështu ndodh edhe me ankthin, ataket e panikut etj. Sa më shumë e qetëson mendjen e nuk ua “var”, aq më shpejt ikin ato. Çfarë e fuqizon në mendim? Siç e thamë, është interesimi dhe preokupimi juaj. Në qoftë se ju keni një interesim të veçantë në lidhje me mendimin, atëherë ai e humb ndikimin te ju. Ju mund të provoni që tani. I lini mendimet që të rrjedhin ne mendjen tuaj, por mos u preokuponi për to. Thjesht qëndroni si një spektator ose vëzhgues dhe i lini mendimet të kalojnë. Unë e di se fillimisht ju mund të keni një moment të vështirë që t’i vëzhgoni këto mendime për shkak se prirja juaj për t’u preokupuar për to rritet. Kjo do t’ju ndihmojë të mësoni se ju nuk jeni mendimet tuaja, mendimet janë thjesht një formë energjie e krijuar në mendje. Po përse i krijon mendja këto? Asnjë s’e di këtë përgjigje. Është si të pyesësh: Pse zemra rreh? Kështu, pra, me pak praktikë ju do të bëheni shumë e zonja për t’i vëzhguar mendimet dhe për të mos u përfshirë në to. Si rezultat, ju do të ndaloni t’i fuqizoni, duke mos u preokupuar për to. Pra, në qoftë se ju nuk merreni me mendimin dhe në qoftë se ju nuk i jepni fuqi, ai do të shuhet. Është njëlloj sikur ky lloj “shejtani” që thoni ju, të thotë me vete: “Këtë vajzë nuk po e mërzis dot, nuk po ma “var”, të iki e të gjej ndonjë tjetër që nuk i di kurthet e mia”.
Çfarë janë mendimet dhe si krijohen ato? Është një pyetje mjaft e thjeshtë që na bëhet ne psikologëve. Dihet se shumica e ngjarjeve të kaluara ruhen në memorie. Gjendja e mendjes ashtu si edhe besimet tuaja, gjithashtu ruhen në memorie. E gjithë kjo është një ruajtje e pavetëdijshme, pasi mendja e bën të gjithë këtë në mënyrë automatike. Kuptimet dhe interpretimet janë krijuar në mendje duke u bazuar në kushtet e “jashtme” të së kaluarës dhe gjithashtu, edhe në kushtet natyrore (gjenetike). Këto mendime, interpretime dhe gjykime lindin si mendime ne mendje dhe mund të jenë pozitive ose negative në varësi të gjendjes së mendjes. Këto mendime prodhohen ose lindin duke u bazuar në incidente ose kujtime të së kaluares, projektime për të ardhmen dhe interpretime të situatave të pranishme në jetë. Kur mendimet janë negative (mendime shqetësimi, akthi, stresi, fyerje, faji) ato sjellin rezistencë në ecjen në jetë dhe kjo rezistencë ndihet si vuajtje. Jeta është si një lumë energjie pozitive dhe për pasojë, çdo mendim negativ qëndron në kundërshtim me to, duke shkaktuar mosmarrëveshje e cila përjetohet si vuajtje në trup, si ankth e vetëfajësi. Siç e argumentova më sipër, mendimet në mendjen tuaj fitojnë fuqi nga vemendja dhe interesimi juaj. Vëmendja juaj është si benzinë për trurin tuaj. Pra, kur ju u jepni rëndësi mendimeve negative, ju në mënyrë të pandërgjegjshme i nxisni ato dhe në këtë mënyrë, i jepni vrull një mendimi negativ. Vrulli i mendimeve negative ne mendjen tuaj do të ulet dhe do të dobësohet automatikisht kur ju të ndaloni se ushqyeri këtë mendim me vëmendjen tuaj.
Ju mund të përqendroheni vetëm në mendimet pozitive që prodhon mendja. Sa herë që mendja prodhon mendime pozitive, si mendimet e dashurisë, kënaqësisë, bukurisë, pasionit, paqes, vlerësimi etj. atëherë fokusohuni në to. Ushqejini ato dhe u jepni vemendje. Kjo do ta ndihmojë mendjen që të tërheqë sa më shumë mendime pozitive, pra, ajo do të jetë e zënë me to ose me preokupimet për punë të dobishme. Ashtu si çdo organ tjetër, edhe mendja ka nevojë të punojë që të jetë “rehat”. Praktika e vrojtimit të mendjes është diçka që do t’ia kuptoni rëndësinë pasi ka vlerën e punës në momente papunësie. Prandaj ju thamë se ajo çka ju duhet për t’u çliruar nga mendimet obsesive, është që t’i vrojtoni ato pa u përfshirë në to. Ju do të bëheni shumë e aftë në këtë, me pak praktikë, por çdo ditë. Mos bëni supozime të kota ose kompulsione në formë “ritualesh” për të neutralizuar mendimet obsesive. Kjo do të ishte keqpërshtatje. Mos u përpiqni ta kuptoni këtë praktikë, thjeshtë zbatojeni atë.
Mendja është si një makinë në kokën tuaj që prodhon mendime bazuar në interesin dhe vëmendjen tuaj. Jini e lirë nga mendja duke ia privuar asaj interesin tuaj. Kjo është e vetmja mënyrë për të qenë e lirë nga mendja. Për më tepër, ju duhet të këshilloheni me psikologun i cili edhe e “monitoron” suksesin tuaj me to.