Ajo është një ndër femrat më simpatike të skenës shqiptare dhe kur Zanfina mungon, përbën lajm, pasi jemi mësuar ta shikojmë gjithmonë në majë. Kjo verë duket sikur do të jetë një rikthim i fuqishëm për të, pasi zëëmbla nga Kosova ka gati dy projekte që do ta sjellin pranë fansave të zjarrtë.
“Nuk po të shoh”, projekti i saj që do të lançohet shumë shpejt pasi kanë filluar xhirimet e klipit, ndërsa më pas, një bashkëpunim “surprizë” do t’i vërë vulën suksesit të kësaj vere.
Eraldo Harlicaj: – Zanfinë, nga ke humbur gjithë këtë kohë?
Zanfina Ismaili: – Ju ka marrë malli për mua si duket… (Qesh) Është e vërtetë se ka kohë që nuk kam ardhur në treg me ndonjë këngë të re, po kam punuar fort gjatë gjithë kësaj periudhe.
– Dhe, çfarë do të kemi këtë verë nga ti?
– Kjo verë për mua simbolizon punë, këngë të reja, koncerte anembanë Kosovës dhe Shqipërisë. Nëse do të kem kohë për pushime, do të ishte shumë mirë.
– Domethënë, këtë verë do të presim surpriza…
– Po dhe shpresoj të jenë surpriza të bukura pasi kam punuar me shumë dashuri për këto projekte.
– A mund të na flisni diçka më shumë për këngën që do të lançoni?
– Kënga është në rrugën e duhur. Për disa ditë filloj edhe xhirimet për klipin. Ashtu siç e kam njoftuar edhe në profilin tim në Facebook, kënga titullohet “Nuk po të shoh” dhe është punuar në Massive Production.
– Do të jetë solo apo në bashkëpunim?
– Kjo do të jetë një kënge solo. Mendoj se me bashkëpunime do të jem në projektet e ardhshme.
– A mund të na zbuloni se me kë do të bashkëpunoni?
– Ku mbetet surpriza pastaj? (Qesh)
– Si e shihni estradën shqiptare dhe atë kosovare?
– Më duket në gjendje goxha kaotike. Shpresoj që me kalimin e kohës do të bëhet më mirë dhe gjërat do të filtrohen, të ndahet vlera nga antivlera.
– Ka qenë e vështire për ju në fillimet tuaja, të identifikoheshit me emrin e Adelinës?
– Vitet e para të karrierës kam punuar dyfish më shumë se një këngëtare e zakonshme për të ikur nga emri gjigant i Adelinës. Kur njerëzit u bindën që unë muzikën e bëj me shpirt dhe jo për hobi, atëhere më njohën si Zanfina.
– Vazhdon të marrësh këshilla nga Adelina?
– Adelina, duke qenë motra më e madhe, më është gjendur gjithmonë pranë me këshilla sidomos në lidhje me profesionin apo kur kam qenë në mëdyshje. Ndihem me fat që e kam.
– I jep më shumë rëndësi vokalit apo paraqitjes skenike?
– Unë nuk i ndaj, pasi janë dy gjëra që nuk mund të bëjnë pa njëra- tjetrën. E para është primare, ndërsa e dyta është shumë e rëndësishme. Përpiqem t’i bëj të dyja më së miri.
– Si ndihesh kur flasin për trupin apo paraqitjen tënde?
– Duke qenë se jam pjesë e skenës muzikore, vetvetiu kthehesh në një personazh publik dhe patjetër që do të flitet edhe për paraqitjen tënde. Është pjesë e përditshmërisë sime dhe nuk më pengojnë më as komentet më negative, pasi jam bërë imune tashmë.
– Si është një ditë për ty?
– Kur kam obligime rreth profesionit jam shumë e zënë, ndërsa kur nuk kam, shëtis apo qëndroj në shtëpi.
– Ti jeton…
– Në Prishtinë.
– Je frekuentuese e jetës së natës?
– Nuk i frekuentoj shumë partit apo kafet e qytetit.
– Kam vënë re se je përdoruese e rregullt e rrjeteve sociale…
– I përdor shumë dhe kam krijuar njëfarë varësie ndaj tyre, shpenzoj shumë kohë në to.
– Je gjithashtu shumë e afërt me fansat e tu…
– Po, kjo është një ndër të mirat që u njoh rrjeteve sociale pasi më mban afër fansave dhe kam mundësi t’u përgjigjem apo t’i falënderoj të gjithë për mbështetjen.
– Çfarë është dashuria për ty?
– Plotësim i shpirtit, ndjenja më e papërshkrueshme edhe nga poetët më të mëdhenj në botë. Ajo që të bën ta ndiesh lumturinë dhe vuajtjen njëkohësisht…
– E ke gjetur princin e kaltër?
– Kam më shumë se një vit që jam beqare.
– Je në kërkim të tij?
– Jo, besoj se ai i duhuri vjen vetë…
– Çfarë e nervozon Zanfinën?
– Gënjeshtrat e shumta dhe të panevojshme të njerëzve.
– Cili ka qenë momenti më i sikletshëm që ke kaluar në skenë?
– Ah, në një moment më kanë rënë nga koka zgjatimet e flokëve, por publiku nuk e vuri re.
– Cili është zakoni që nuk e pëlqen fare te vetja?
– Reagimet e shpejta dhe emocionale, por edhe kokëfortësia është një tipar që nuk më pëlqen te vetja. Atë e kam edhe me horoskop. (Qesh)
– Libri që të ka ndryshuar jetën?
– “Dashuria zgjat 3 vjet”.
– A ia ke shprehur ndonjë personi dashurinë pa e ndjerë atë?
– Jo, kurrë, se kam bërë asnjëherë.
– Kur e ke provuar momentin më të keq në jetë?
– Kur më kanë gënjyer persona që i kam konsideruar ndryshe.
– Një përshëndetje e fundit për lexuesit e “Intervistës”…
– Një puthje e madhe për të gjithë dhe shpresoj t’ju pëlqejnë këngët e mia.