– Përshëndetje doktor. Problemi im, në shikim të parë nuk është i rëndë, por mua ma rëndon jetën deri në një pikë të padurueshme. Jam 31 vjeçe, e martuar dhe nënë e dy vajzave të vogla 6 dhe 1 vjeçe. Jetoj me burrin dhe prindërit e tij, të cilët ma bëjnë jetën ferr, sidomos e ëma e cila është tip dominant, pretendon se gjithçka e bën më mirë se unë dhe thjesht, jeton jetën time, duke nisur nga fëmijët e deri te gjërat më të vogla. Unë jam e arsimuar, jam në marrëdhënie pune, si tip jam e qetë dhe e ndrojtur, urrej shamatat dhe kështu, pas shtatë vitesh martesë, jam bërë rob i asaj shtëpie dhe njeriut kryesor në të: vjehrrës. Problemi që dua të parashtroj unë është se pas shtatë vitesh martesë, ndjehem shumë e lodhur dhe marrëdhëniet me burrin kanë shkuar deri në divorc. Kam rënë shumë psikikisht, gjithçka më duket e zezë, burri më është larguar (jo se ndonjëherë kemi pasur ndonjë dashuri të flaktë) dhe tani nuk na lidh më asgjë. Unë thjesht nuk dua më ta kaloj jetën në ferr për të. Vuaj shumë dhe kam nevojë për dashuri. Ndoshta e teproj me kërkimin e dashurisë, por kam filluar të mendoj se askush nuk më do, të pyes veten se pse mua nuk më do askush, as bashkëshorti e as njerëzit që më rrethojnë. Kam filluar ta urrej veten se pse jam e tillë. Ndoshta po të isha më gazmore e më e hapur me njerëzit, do të më donin. Me këto vite që kam, nuk më ka aspak hije të merrem me këto gjëra dhe turpërohem nga kjo, por ja që unë vuaj nga ky fakt dhe më vjen pështirë nga vetja. Shpesh ndjehem përgjegjëse për lumturinë e të tjerëve, kujdesem për ta, por jam shumë e dëshpëruar nga ky fakt, se njerëzit mirësinë ma marrin për dobësi, më kanë shkelur dhe ofenduar ata që më së shumti i kam ndihmuar. Më përpara nuk kam lejuar këto gjëra të më prekin dhe duke e ditur natyrën njerëzore kam pritur e përgatitur keqbërjen e njerëzve. Puna është se tani jam bërë copë-copë. Si ta quaj këtë gjendje dhe si ta luftoj? Si të bëhem e pavarur nga dashuria ose mosdashuria e të tjerëve? Si të përmbushem dhe të vrapoj pas ëndrrave të mia e jo të të tjerëve? Më së shumti, ajo që më bën të vuaj është marrëdhënia me bashkëshortin. Si ta kthej dashurinë ndaj vetes (përherë kam pasur problem me këtë gjë) e sidomos atë të fëmijës brenda vetes, vetëbesimin, vetëvlerësimin dhe t’u iki atyre fazave depresive të përziera me ankth që i kam kaluar disa herë në jetë? Lashë edhe shumë pa shkruar, por në këtë gjendje konfuze dhe e frustruar siç jam, as që mundem më. Ju përshëndes shumë dhe shpresoj te përgjigjja juaj.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – Që të mos bëhem si “bukë e përditshme” (e përjavshme) unë preferova t’ia jap letrën tuaj për përgjigje zonjushës Euglena Nako, pasi përveçse është një doktoreshë e zgjuar, ajo bën edhe studime të thelluara në fushën e psikogjisë, pra, do të jetë psikologia klinike, psikoterapiste e së ardhmes. Ndiqeni atë dhe pas përgjigjes së saj do të jeni e mirëpritur për të diskutuar me qëllim që të parandalojmë depresionin, atë për të cilin ju thoni: “Po thyhem dhe jam bërë copë-copë…”
– E nderuara zonjë, quhem Euglena… Do të doja të të këshilloja si shoqe, si motrën time, pasi qenkemi edhe moshatare. Nuk dua të humbasim kohë duke u marrë me të kaluarën tënde, me faktin që mund të kesh bërë zgjedhje të gabuar përsa i përket martesës. Ndërkohë që vitet kalojnë, ti e sheh të vështirë jetën me atë sjellje përulësie e pasigurie dhe del e qartë se shpërblimi që të jepet nuk përputhet me atë që ti meriton. Siç e thua ti, në atë shtëpi po jeton si ndonjë “robinjë” dhe vjehrra po ta bën jetën ferr! E pra, e thotë populli se edhe durimi e ka një kufi, pasi jep e mos merr nuk shtyhet sepse vuajtja e dhimbjet shtohen. Një shoqja ime, Antoneta nga Elbasani një ditë më tha: “Sipas Tolstoit, lumturia vjen kur u shërben të tjerëve, por mua më ka ndodhur lumturia ndryshe: unë e dua shumë veten e jetën time dhe përpiqem që të jem sa më mirë me veten se vetëm kështu do të mund t’i ndihmoj edhe ata që më rrethojnë… Vetëkuptohet se sikur unë të bie në depresion, qoftë edhe për shkak të njerëzve të burrit, ata jo vetëm që s’do të ndjeheshin fajtorë, por mund të më fajësonin mua si të “dobët” e të papërshtatshme për ta…”.
Më bëri aq shumë përshtypje kjo që më tha Neta, saqë do të të lutesha edhe ty që ta analizoje atë. Tani le ta analizojmë këtë letrën tënde disi më “imët”. Siç del nga letra, ti je një grua me vlera, por martesa do që të jesh edhe një manaxhuese e mirë. Ti më shumë i ke kaluar problemet në heshtje duke pritur që të tjerët t’i kuptojnë vetë. Duhet t’i njohësh e t’i mbrosh të drejtat e tua. Duhet të jesh femër e vendosur dhe jo si ai trëndafili që e mbulojnë mizat. Duhet t’i bisedosh të gjitha shtruar me bashkëshortin dhe ai të jetë mbrojtësi e mbështetësi yt kryesor. Me prindërit e vet le të merret kryesisht ai. Nëse ai s’e luan këtë rol, atëherë ti vetë duhet t’ua vësh atyre “kufirin te thana”, siç thotë populli. Jeta jote është e jotja dhe askush nuk ka të drejtë të ta cënojë atë. E drejta për të të lënë rehat, është një e drejtë universale. Pasi të jenë konsumuar të gjitha mjetet tuaja potenciale për t’u rregulluar brenda për brenda, duhet të kërkoni edhe ndihmë nga jashtë. Por kujdes këtu, kur them “nga jashtë”, nuk kam parasysh njerëzit tuaj, pasi në këto raste ata nuk mund të gjykojnë duke qenë të qetë e të paanshëm, ata do t’ia bënin “shto ujë e shto miell” si te telenovelat, në mos mund të dilte ndonjë “cub” i cili në vend që të vinte vetullat, do të nxirrte sytë. Me “ndihmë nga jashtë”, kam parasysh psikologun i cili jo vetëm që njeh ndjenjat e botën tënde shpirtërore, por është edhe sociolog, pra, “degët” që krijojnë bashkëshortësinë tuaj do t’i “krasitë” e afrojë për të qenë të pandarë, në mos vjen divorci. Divorcin unë nuk e shoh si ndonjë fatalitet, por si një zgjidhje të pranueshme, pasi të jenë konsumuar të gjitha “mjetet” psikologjike e rrugët paqësore.
– Burri juaj duhet të kuptojë se ashtu si edhe ti, nga kjo lloj sjelljeje do të dalë i dëmtuar edhe ai, edhe fëmijët tuaj. Ai duhet të dijë se si ta ruajë martesën dhe këtu, si kudo thuhet: hyzmeti-kësmeti. Gjykime të tilla prej egoisti “unë dhe s’ka tjetër(!)” ndikojnë negativisht në harmoninë bashkëshortore e mund të çojnë deri në ftohtësi seksuale. Sjellja prej egoisti dhe mungesa e gjakftohtësisë e irritojnë dhe e ftohin partnerin seksual, sidomos seksin femër. Në raste të tilla, çdo lloj “teknike” është pa efektin e duhur, prandaj është e nevojshme që bashkëshortët të njohin reaksionet kryesore të seksit tjetër dhe t’i respektojnë ato për të shmangur spontanitetin dhe për të forcuar harmoninë bashkëshortore. Ti je vetë përgjegjëse për të ruajtur atë që ke e për ta përmirësuar, në mos pasojat do të bien po mbi ty. Po të tregoj diçka: Isha me pushime në plazh. Në kabinën fqinje me ne pushonte një çift i ri me të cilët u miqësova shpejt. Në një moment sinqeriteti, gruaja e re më tha: “Doktoreshë Euglena, jam e shqetësuar për diçka, por se si më vjen t’jua them… Nuk kam më tepër se 5 vjet martesë. Në fillim, jeta intime me burrin më jepte shumë kënaqësi. Ai është plot potencë dhe i kujdesshëm, por unë këto dy-tre vjetët e fundit se si jam bërë: jeta intime sikur s’më tërheq më, megjithëse burrin e dua… Dëshirat sa vjen e po më shuhen. Ç’të jetë kjo rënie kaq e shpejtë? Më duket sikur kam arritur në ftohtësi seksuale. Ndonjëherë mendoj se nuk kam ndonjë sëmundje, megjithëse kur shkojmë me pushime ose vijmë në plazh dëshirat seksuale pothuajse më rikthehen… Ç’të jetë kjo?”.
“S’ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar, i thashë. Me siguri, lodheni shumë te firma ose me punët shtëpiake”.
“Jo, më tha ajo, punën e kam të mirë, jam laborante, kurse në shtëpi më ndihmon edhe vjehrra. Pastaj, një fëmijë kam dhe një kunat beqar… Vetëm se me vjehrrën… sido që përpiqem, nuk shkojmë mirë. Në fakt, ajo në shtëpi punon shumë, por seç ka një frymë të tepruar “komandimi” për çdo gjë. Shpesh ma prish për hiçgjë dhe burri s’di si të veprojë e mban më shumë anën e saj. kjo më ftoh me të. Se si jetoj në shtëpi me një lloj ndjenje frike e tensioni dhe nuk jam e qetë si këtu. Ndoshta e paska të vështirë një grua që marrëdhëniet seksuale t’i shohë të lidhura veç me momentin, duke harruar se çfarë i ka ndodhur më parë…”.
Unë bisedova me të shoqin e saj dhe i shpjegova se jeta shpirtërore e femrës është e lidhur ngushtë me fiziologjinë e jetës seksuale dhe ndikon shumë mbi të. E këshillova që mundësisht të kërkonin apartament të veçantë për banim sepse grindjet e shpeshta për shkak të vjehrrës mund të çojnë në humbje të pakthyeshme të dëshirave seksuale, domethënë, në ftohtësi seksuale, diagnozë e cila shërohet me vështirësi. Ashtu u bë dhe jeta bashkëshortore e seksuale e çiftit u përmirësua shumë. U “ndërpre” ai “ngacmuesi” negativ që po bëhej si “kanceri” i martesës. Nga njohuritë, kultura dhe aftësitë e bashkëshortëve varet shumë normalizimi i jetës seksuale. Jo vetëm burri, por edhe gruaja duhet t’i kushtojë kujdes normalizimit të jetës seksuale pasi pasojat e anomalive bien shumë mbi të. Prandaj, gruaja e sotme nuk duhet ta quajë jetën e vet dhe aktin seksual vetëm si një detyrim bashkëshortor, por të kujtojë se edhe ajo ka të drejtat e saj, pasionin e saj seksual dhe kënaqësia duhet të jetë reciproke. Rastin ta tregova për t’u kuptuar më mirë, por edhe sepse ndiej jo pak krenari që shpëtova një martesë e cila do t’u shtohej numrit të madh të “martesave të vdekura” ose divorceve. Je e ftuar për një konsultë falas.