EDI RAMA
Kryeministrin tonë, Edi Ramën, nuk e intervistuam dot këtë javë. Ishte shumë i zënë me përgatitjen e vizitës së zonjës Merkel në Tiranë. Edhe ne, në fakt, për këtë deshëm ta pyesnim. Deshëm të mësonim ca gjëra që nuk i mësuam dot nga ato që pamë në televizionet që e transmetuan direkt këtë vizitë. Ja, për shembull, deshëm të dinim se si i ishte dukur zonjës Merkel kryeministria shqiptare. Nga mimika e saj, e stampuar në fotografitë që bëri publike zoti Rama, na u duk se i kishte pëlqyer. I kishin pëlqyer arredimi, zbukurimet, por edhe pikturat e zotit Rama të ngjitura në muret e zyrës së tij. Ne jemi kuriozë të dimë, po për strehën e re të Kryeministrisë çfarë kishte thënë zonja Merkel? I kishte pëlqyer? Pse e shtoi zoti Rama këtë strehë në prag të vizitës së zonjës Merkel? Për ta bërë më të ngjashme kryeministrinë e tij me Bundeskanzleramtin modern të zonjës Merkel? Po a i tha ai zonjës Merkel se me ligj ështe e ndaluar të ndërhyhet në zonat e shpallura trashëgimi kulturore, siç ështe edhe bulevardi i Tiranës? A e mendon dot zoti Rama nëse Renzi mund të bëjë të njëjtën gjë në Pallatin Kixhi, apo David Kamerun në Rrugën Dovvning numër 10?
ANXHELA MERKEL
Nuk e takuam dot gjatë vizitës së saj në Tiranë as kancelaren Anxhela Merkel. Na erdhi keq se kishim shumë pyetje për t’i bërë, pyetje që mund t’i përgjigjet vetëm ajo e askush tjetër. Ja, për shembull, deshëm ta pyesnim zonjën kancelare nëse ishte e vërtetë se qe vetë ajo që ndryshoi axhenden e takimeve në Tiranë; se ishte ajo që hoqi nga protokolli i takimeve kryeparlamentarin Meta dhe kryeopozitarin Basha?! Ç’ka dashur të thotë ajo me këto refuzime, nëse kjo është e vërtetë? Mos vallë kjo ka të bëjë me përfoljen e zotit Meta për korrupsion? Mos do të thotë gjithashtu se zoti Basha është ende larg marrjes së pushtetit? Larg jo vetëm në distancë, por edhe në drejtim të gabuar?
EDMOND HAXHINASTO
Nëse i keni ndjekur lajmet këtë javë, me siguri, juve, të dashur lexues, do t’ju ketë bërë përshtypje lajmi i arrestimit të një grupi ndërkombëtar të transportit këtu në Shqipëri. Do t’ju ketë bërë përshtypje gjithashtu edhe fakti se një pjesëtar i grupit, Guido Tepshi, punonte në portin e Durrësit, si jurist. Vend më të mirë pune nuk mund të ëndërronte djaloshi për të transportuar drogën, apo jo? Këtë pyetje deshëm t’i bënim edhe zotit Edmond Haxhinasto, ministër i Transportit dhe Infrastrukturës. Dhe, më tej, deshëm të dinim se si bëhen emërimet në ndërmarrjet që varen nga ministria e zotit Haxhinasto, me konkurs, miqësi, apo duke e blerë vendin e punës? Nuk paska pasur ky Durrës jurist më të mirë se një 23 vjeçar, për ta emëruar në portin më të madh e më të rëndësishëm të vendit?! Apo emërimet tani nuk i bën më ministria, por Mafia?!
NASIP NAÇO
Këtë javë deshëm të takonim edhe ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço. Me të do të donim të bisedonim për çështjen e Sokol Mjacajt, vrasësit të dy turistëve çekë. Si e justifikon ai që, herën e parë kur vrau një fëmijë, Sokoli u dënua vetëm 5 vjet, aq sa dënohet dikush që nuk ka paguar faturën e energjisë elektrike?! A do të dënohet tani gjyqatari që e dënoi aq pak?! Po për edukatorin e burgut ku ka qenë Mjacaj do të marrë ndonjë masë zoti Naço, sepse, siç pamë, burgu nga i cili kishte Mjacaj kishte dalë vetëm para një muaji, nuk kishte bërë asnjë efekt pozitiv tek ai. Madje kishte bërë efekt negativ… Sa raste të tilla si Mjacaj ka në burgjet tona, zoti Naço? Keni menduar ndonjë gjë për këtë kontigjent njerëzish, apo do të kujtohemi për ta vetëm pasi të vrasin ndonjë të huaj?!
LULZIM BASHA
Pikërisht ditën që kryeministri Edi Rama organizoi një takim me kryetarët e sapozgjedhur të bashkive, edhe zoti Basha organizoi një të tillë vetëm me kryetarët demokratë. Pse e bëri këtë gjë zoti Basha? Për të treguar më të fortin e për të bërë karshillëk? Si mund të bësh “të fortin” kur je në humbje 46 me 14, deshëm të pyesnim zotin Basha?! Si u ndje ai kur edhe dy prej fituesve demokratë nuk shkuan te ai, por te zoti Rama? Me ç’sy e faqe ka dalë ai para kryetarëve e pjesëmarrësve të tjerë në mbledhje? Apo akoma beson se ka fituar në zgjedhje dhe ndjehet krenar për këtë fitore?! Kësaj i thonë “i dhj… rë, por krenar”. Apo jo, zoti Basha?