Rikthimi i artistes Mimoza Staka në skenë sjell një emocion të rrallë për publikun shqiptar. Me projektin më të ri muzikor “Shpirti i nanës”, këngëtarja ndan një pjesë të shpirtit të saj, duke prekur një plagë të heshtur që njohin mijëra nëna shqiptare, dhimbjen e emigrimit dhe mungesës së fëmijëve të larguar. Në këtë bashkëpunim me reperin Legion, Mimoza nuk vjen thjesht me një këngë, por me një mesazh të thellë që kombinon ndjeshmërinë me forcën. Në një bisedë të sinqertë për Intervista.al, ajo rrëfen prapaskenat, emocionet dhe rrënjët shpirtërore të këtij projekti që, siç thotë ajo vetë, nuk është vetëm këngë, është një letër për të gjitha vajzat dhe nënat shqiptare.
-Mimozë, ritakohemi në Intervista pas kaq vitesh dhe gjithmonë me risi. “Shpirti i nanës” është një titull që tingëllon si një lutje e butë dhe një plagë e vjetër njëkohësisht. Çfarë të shtyu ta realizoje këtë bashkëpunim me një reper si Legion dhe si lindi ideja?
-Kënaqësi që u takuam sërish pas shumë vitesh dhe më vjen mirë që ndajmë bashkë këtë risi. Kënga “Shpirti i nanës” lindi nga një realitet që e përjetova vetë, largimi i vajzës sime nga Shqipëria bashkë me bashkëshortin e saj. Kjo ishte diçka e re por shumë emocionale për mua dhe ndjeva që duhej ta shprehja përmes fjalëve që vijnë nga shpirti dhe zërit të një nëne. Bashkëpunimi me një reper i njohur si Legion, që është një artist i talentuar, erdhi për të përforcuar ndjesinë me një zë të fortë, autentik dhe emocional. Ideja ishte e imja dhe e ndjeva që ky kombinim do të përcillte shumë më tepër.

-Zëri yt është shoqëruar me këngë emocionale ndër vite. A ke pasur ndonjëherë frikë se publiku nuk do të të kuptojë kur zgjedh të tregosh një histori kaq personale përmes muzikës?
-Jo, nuk kam pasur frikë, përkundrazi, kam qenë shumë e sigurt që publiku do të më përkrahë. Kjo këngë është shumë personale, por realiteti që përshkruan është i përbashkët për mijëra nëna shqiptare dhe e ndjej që shumë zemra janë prekur.
-Në këtë këngë, dy universë muzikorë, balada dhe repi, takohen. Si është të gjesh përbashkët midis emocioneve që përcjell zëri yt dhe ritmit të një reperi që vjen nga një tjetër realitet artistik?
-Ishte një ndërthurje shumë natyrale. Doja që kënga të kishte ndjeshmëri dhe një forcë tjetër një zë ndryshe, pa filtra, që e sjell vetëm repi. Mendoj që kombinimi i butësisë sime me ritmin e fortë të Legion e dha mesazhin shumë më bukur.


-Fjala “nënë” zgjon te çdo njeri ndjesi të ndryshme. Po për ty, çfarë është “shpirti i nanës”?
-“Shpirti i nanës” është dritë që nuk fiket kurrë. Është sakrificë, durim, lutje dhe bekim. Është gjithmonë aty, edhe kur nuk e sheh. Është forca më e madhe që njeh një fëmijë.
-Kjo këngë duket si një homazh i heshtur për të gjitha nënat që s’janë më, por edhe për dhimbjet që nuk fliten. A ka pasur ndonjë moment gjatë regjistrimeve ku emocioni të ka ndalur zërin?
-Po, shumë herë. Që nga regjistrimi i parë në studio deri në realizimin e klipit, kam qenë e mbushur me emocion. Kam menduar gjatë gjithë kohës për nënën time të ndjerë që nuk jeton më dhe që dikur ndoshta ka ndjerë të njëjtën dhimbje për bijat e saj. Tani që e përjetoj vetë, e kuptoj më mirë se kurrë.

-Jetojmë në kohë kur shumë këngë flasin për luks dhe sipërfaqësi, ti ke zgjedhur të flasësh për rrënjët. A mendon se publiku ka ende nevojë për këngë që vijnë nga shpirti?
-Absolutisht po. Publiku e ndjen dhe e vlerëson sinqeritetin. Në fund të ditës, ajo që prek zemrën nuk janë materialet apo pasuritë, por ndjenjat dhe historitë që na bëjnë njerëzorë.
-A e sheh këtë këngë si një stacion të veçantë në karrierën tënde apo si fillimin e një kapitulli të ri ku do të guxosh të prekësh më shumë tema të ndjeshme sociale dhe personale?
-Më shumë se stacion, kjo është një nisje. Një hap drejt projekteve që dua të bëj, më të mëdha, më të ndjera, më të afërta me zemrat e njerëzve.
-Nëse “Shpirti i nanës” do të ishte një letër, kujt do ja dërgoje ti sot, me gjithë dashurinë që kënga përmban?
-Do ja dërgoja vajzës sime që jeton larg, vajzës që kam në Shqipëri, dhe të gjitha vajzave shqiptare kudo që janë. Do ishte një letër me dashuri, bekime dhe lutje për t’u kujtuar se zemra e nënës është gjithmonë pranë tyre, pa kushte dhe pa kufi.