Ne kollitemi kur diçka na bllokon fytin, qoftë pluhur, apo sekrecione nga hunda. Kollitja gjithashtu na ndihmon të pastrojmë mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes. Shumë kollëra, si ato nga gripi dhe rrufa, largohen vetvetiu. Nëse ato shkaktohen nga sëmundje më serioze, duhen trajtuar me ilaçe. Ciladoqoftë arsyeja, nëse kollitja ju bezdis, ka mënyra si ta ndjeni veten më mirë…

 

– Si trajtohet kolla në shtëpi?

– Pini sa më shumë lëngje, ose përdorni një lagështues në formë spërkatësi për të zbutur fytin e irrituar dhe për të zbutur sekrecionet. Mbajeni kokën pak më lart natën dhe pini diçka të ngrohtë me mjaltë para se të flini. Studimet kanë treguar se mjalti zbut kollën. Mos u jepni mjaltë fëmijëve nën 12 muajsh.

– Si ta qetësosh kollën me sekrecione?

– Nëse ju keni kollë me sekrecione, duhet të blini një shurup ku shkruhet “expectorant” (që nxjerr sekrecionet). Ai zbut sekrecionet dhe ju ndihmon t’i nxirrni më lehtë. Nëse keni shumë sekrecione, flisni me doktorin për të parë se cili ilaç bën për ju. Gjithashtu, flisni me doktorin para se të përdorni shurup për kollën, nëse vuani nga sëmundje serioze, si emfizemë (bllokim mushkërish), pneumoni, brokit kronik, ose astmë. Mos u jepni shurup dhe ilaçe të blera vetë fëmijëve nën 4 vjeç.

– Si ta qetësosh kollën e “thatë”?

– Ju mund të keni kollë të thatë kur jeni me grip apo rrufë, ose nëse thithni diçka irrituese, si pluhur apo tym duhani. Një ilaç që shkruan “suppresant” (ndërprerës), ju ndihmon të eliminoni nevojën për t’u kollitur. Përveç kësaj, ai ju ndihmon të flini më mirë. Ilaçi mund të jetë në formë shurupi, pikash, bile edhe karamelesh, të cilat ju ndihmojnë të ndaloni ngacmimin në fund të fytit. Mos u jepni pika fëmijëve nën 5 vjeç.

– Çfarë ilaçesh mund t’u japësh fëmijëve?

– Kurrë mos u jepni ilaçe për kollën fëmijëve nën 4 vjeç, sepse mund të kenë efekte dytësore serioze. Për fëmijët 4-6 vjeç pyesni doktorin para se t’u jepni ndonjë ilaç kundër kollës dhe gripit, kurse nëse janë 6 vjeç e lart, mund t’u jepni. Fëmijëve 1 vjeç e lart mund t’u jepni gjysmë luge ose një lugë çaji mjaltë për t’i ndihmuar të nxjerrin sekrecionet.

– E ndërpresin antibiotikët kollën?

– Zakonisht, jo, sepse shumica e tyre shkaktohen nga infeksionet virale, si rrufa, apo gripi dhe largohen vetë brenda një jave. Antibiotikët funksionojnë vetëm në infeksionet e shkaktuara nga bakteriet. Nëse kolla nuk përmirësohet pas një jave, duhet të shkoni te doktori, për t’u siguruar se nuk shkaktohet nga një sëmundje bakteriale, si sinusiti, apo pneumonia. Në këtë rast, ju mund të keni nevojë për antibiotikë.

– Si ta trajtosh kollën që shkaktohet nga alergjitë, apo astma?

– Alergjia ju bën të teshtini, të kolliteni, ose që të dyja. Në këtë rast, mund t’ju ndihmojë një ilaç antihistaminik. Tani kanë dalë ilaçe të reja që nuk ju sjellin gjumë. Nëse ju edhe merrni frymë me zhurmë, si fishkëllimë, mund të keni astmë dhe duhet të shkoni te mjeku.

– Çfarë është kolla e duhanxhiut?

– Ata që pinë duhan kolliten, sidomos në mëngjes, por kjo kollë mund të jetë shenjë e diçkaje më serioze. Nganjëherë, tymi i duhanit irriton rrugët e frymëmarrjes dhe mund të shkaktojë inflamacion, që kthehet në bronkit kronik. Kjo mund të jetë edhe shenjë paralajmëruese e kancerit. Nëse kolliteni ndryshe nga zakonisht, ose nëse kjo zgjat edhe pasi e lini duhanin, shkoni te doktori.

– Çfarë gjëje tjetër e shkakton kollën?

– Nëse kolla zgjat më shumë se 2 muaj, ajo mund të ketë shkaktarë të ndryshëm. Kolla kronike mund të shkaktohet nga kthimi i acideve të stomakut në ezofag, ajo mund të jetë edhe efekt dytësor i disa ilaçeve për uljen e tensionit, si edhe shenjë e kollës së mirë, bile edhe e infarktit. Të gjitha këto probleme kanë nevojë për kujdes mjekësor.

– Atëherë, kur duhet të shkosh te mjeku?

– Nëse ju keni kollë që zgjat shumë, duhet të shkoni te mjeku për këto arsye:

  1. Keni kollë të thellë, me shumë sekrecione, ose me njolla gjaku në to.
  2. Kur të merret fryma, kollitesh me fishkëllimë.
  3. Kur ke temperaturë që nuk ulet për 3 ditë.
  4. Kur fëmija juaj ka të dridhura ose kriza kolle natën.
  5. Kur kolla vazhdon edhe pas 7 ditësh, pa u përmirësuar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *