Anketa e fundvitit/ Si ishte për ju 2024 dhe çfarë prisni nga viti i ri 2025?
Anila Hetoja, piktore, arkitekte e brendshme
Viti që po mbyllet ishte shumë intensiv nga ana profesionale, disa projekte që i kisha filluar muaj më parë dhe që ishin mjaft sfiduese u realizuar me sukses. Në këto projekte me duhej të nderthurja në mënyrën më natyrale të mundshme puna ime si arkitek i brendshëm (interior designer) me punime specifike të artit pamor (piktura) ndërkohë që në secilën prej disiplinave synoja të arrija nivel sa më të lartë përformace. Vlen për të përmenduar pjesëmarrja/performanca ime artistike më së fundmi në Galerinë e Arteve Shkodër (Sallon i Vjeshtës 2024). Më tej ekspozita që u mbajt në ambjentet e Ambasades së Republikës së Kosovës në Sofje, mes shumë artistësh nga Kosova.
“Thirrëm edhe mua” është ekspozita tjetër ku pata mundësi të marr pjesë, mes shumë artistesh gra, ku kishte për qëllim sensibilizimin për luftën e kancerit të gjirit e cila u mbajt në Galerinë e Arteve të Gjilanit.
Një aktivitet shumë i rëndësishë ishte edhe “Simpoziumi i 9-të Ndërkombëtar i Artit “Struga 2024”, ku morëm pjesë shumë arrist nga shumë vende të botës. U jam mirënjohëse shumë mediave, ndër to dhe medias suaj, për mbështetjen dhe përkrahjen e treguar duke informuar për këto aktivitete e duke na mundësuar të vijmë më pranë artdashësve nëpërmjet medias së shkruar. Viti që po troket më gjen te angazhuar përsëri me projekte në fushën e arredimit, ku më së shumti jam fokusuar tek hoteleri-turizëm pa lënë mënjanë edhe pikturën apo edhe pjesmarrjet në aktivitetet të tjera kulturore në vend dhe jashtë saj. Pavarsisht projekteve dhe angazhimeve artistike që më dhurojnë kënaqësi e qetësi të vecantë shpirterore, përkujdesja e vazhdueshme për familjen është shumë e rëndësisme për mua dhe mbetet angazhimi im primar. Ju uroj nga zemra të gjithë lexuesve dhe stafit tuaj shumë suksese, shëndet dhe lumturi në familjet tuaja.
Advertisement