Skip to content Skip to footer

Minj dhe politikanë! Nga Agron Berdaj


Anija e PD-së ka kohë që ka marrë ujë. Kjo nuk është më sekret. Sekret ishte se çfarë do të bënin minjtë e saj politikanë: këtej apo andej, me “babën” apo me “birin”,apo edhe biri do i gjunjezohet babait.
Këtë po shohim me deputetët e saj, të cilët shkuan pas vulës, kur ajo iu dha Rithemelimit. Pra, ata braktisën kauzën për të cilën kishin tre vjet që luftonin. Te vula e partisë shikonin karrierën dhe të ardhmen e tyre politike. Në të vërtetë ata duhet të flijoheshin për kauzën dhe parimet e vërteta demokratike, mbi të cilat ndërtohet dhe funksionon një parti politike, dhe jo thjesht për çështje formale, të simboleve të saj.
Vula e partisë, logoja, indentiteti i vetë partisë janë çështje teknike dhe procedurash ligjore. E shumta ato mund t’i shtojnë partisë ca më tepër pará në arkë, rrisin në një farë mase ndikimin e subjektit politik, shtojnë premisat për pak më tepër elektorat, etj. Por, kjo nuk është zgjidhja në kushtet e krizës së thellë në të cilën ndodhet opozita shqiptare. Simbolet e një partie nuk janë kauza politike, teorike dhe filozofike nga duhet të udhëhiqet një parti. Janë programet politike, shpirti luftarak dhe kauza demokratike, ato që përcaktojnë fizionominë e partisë.
Si me vulë, ashtu edhe pa të, partiçkat e dala nga PD-ja ,vazhdojnë të përjetojnë një krizë të thellë indentiteti, vlerash morale, politike dhe programesh, besimi dhe kredibiliteti elektoral. Kthimi i vulës te Rithemelimi nuk e shpëton atë nga gremina ku po fundoset çdo ditë e më tepër. Kush mendon se vula e gjykatës është shpëtimi i saj, gabon rëndë. Bëhen qesharakë disa fallxhorë, veteranë të përzënë me dhunë nga PD-ja, të cilët marrjen e vulës e quajnë sukses të madh, si dalje nga kriza, si rilindje të Rithemelimit. Madje, të emocionuar deri në dehje, kryetarin e partisë, i burgosur në shtëpi, e quajnë shpëtimtar, duke i besuar drejtimin e opozitarizmit shqiptar. Pra, ata i besojnë shkatërruesit dhe varrmihësit e opozitës shqiptare ringjalljen e saj. Rikthimin e vulës te Rithemelimi ata e quajnë sukses, ndërsa për damkën e zezë që mori Berisha nga gjykata Angleze, nuk thuhet asgjë.
A i kuptojnë këta pehlivanë shkaqet e vërteta të përçarjes së PD-së, kushtet dhe rrethanat që shpunë në coptimin e saj në disa partiçka të tjera, ngrirjen e marrëdhënieve me faktorin ndërkombëtar, deri edhe me partitë e djathta europjane, ftohjen e thellë me elektoratin, shpalljen “non grata” të Sali Berishës nga SHBA dhe Britania e Madhe, si dhe dënimin e tij ligjërisht, si i pa dëshiruar dhe rrezik për vendet e tyre?
Përçarja e madhe në frontin opozitar shqiptars nuk erdhi se PD-së i humbi vula, por prej korrupsionit domethënës të Sali Berishës, minimit prej tij të demokracisë dhe vendosjen e shtetit në shërbim të pasurimit të familjes së tij. Ai ka qënë dhe mbetet shkaku i krizave së opozitarizmit shqiptar. Vula e PD-së,mund t’i hiqet e jepet përsëri PD-së, kjo është një çështje gjyqësore, por fenomeni Sali Berisha mbetet një rrezik potencial në rritje për demokracië shqiptare e vetë PD-në. Ai ndërtoi një shtet banditesk dhe të dhunshëm kundër lirisë, të drejtave të njeriut, e institucioneve shtetërore.Vëndosi nën kontroll të plotë të gjitha pushtetet, duke survejuar e goditur me metoda barbare kondërshtarët politikë, alternativat ndryshe, e deri zhvilloi luftë ndaj popullit të tij, kur veriun e vëndit e përdori si ushtri për të shtypur jugun e vendit.
Ai me dinakëri ndryshoi hartën gjeopolitike të vendit, akset dhe aleancat strategjike, kur braktisi perëndimin demokratik dhe u lidh me lindjen autokratike. Orientimin demokratik që solli lëvizja politike në vitet 90-të, ai e devijoi gradualisht drejtë anarkisë dhe shtetit totalitar. Konkurencën e lirë dhe startet e barabarta, i përdhosi me korrupsionin dhe monopolin e trafiqeve, punën e ndershme e zëvendësoi me vjedhjen dhe grabitjen e pronave publike, etj.
A mundet që vula e rikthyer nga gjykata në këtë parti të fshijë apo të zbusë krimet e kryera nga Sali Berisha? Kurrsesi. Vula e rikthyer te Rithemelimi nuk ka asnjë fuqi magjike për ta pagëzuar një kriminel në një engjëll. Loja me vulën mundet të gënjejë disa mjeranë brenda oborrit të tij politik, të cilët mbetën duke kaluar ylberin, sa në njërën partiçkë ne tjetrën, nga Rithemelimi te PD-ja dhe anasjelltas.Të gjitha këto akrobaci ata i bëjnë për fitime vetjake, për një vend në listën e deputetëve të ardhshëm, për t’u shpëtuar çështjeve gjyqësore të hapura ndaj tyre, për pak pushtet për të zhvilluar si dikur korrupsion dhe vjedhje. Asgjë nuk bëhet prej tyre për dinjitetin e PD-së, për shpëtimin e saj nga gjëndja mjerane ku ndodhet. Çvendosje të tilla nga një parti në tjetrën kanë qënë një sëmundje e vjetër e pluralizmit politik shqiptar, duke marrë formën e korrupsionit dhe shitblerjes së votës. Por lëvizjet e fundit të disa deputetëve të PD-së nga frynë era, kanë pasuruar humorin shqiptar.
Megjithatë ky fenomen nuk duhet parë vetëm zi. Ku më mirë se në këto rrëshqitje e akrobaci politike do të dallohen deputetët e vërtetë e me personalitet nga ata që janë kthyer në kamikazë të kryetarit. Ata që kanë bërë shkollën e demokracisë dhe atyre që kanë kryer shkollën e berishizmit, një me atë të banditizmit e të krimit. Se cilët prej tyre janë të lirë në mendimet dhe qëndrimet e tyre dhe cilët mbeten skllevër të skllavopronarit që i përkasin. Ata që e kanë të shenjtë lirinë dhe ata që skllavërinë e quajnë liri, për të vjedhur, vrarë e grabitur, sipas kanuneve të bajraktarit të tyre. Fatkeqësi që kjo kategori politikanësh e kanë vënë veten në shërbim të prostitucionit ekonomik dhe politik të atit të tyre shpirtërorë, Berishës.Rasti Alibeja tregon se dinjiteti ende ekziston.
E vërteta është se minjët e ndjejnë rrezikun dhe përpiqen t’i shpëtojnë katastrofës, ndërsa ky tip politikanësh kur e ndjejnë rrezikun bëjnë të gjitha përpjekjet që subjektin e tyre politik ta çojnë drejtë katastrofës. Herë pas here ata kanë marrë sinjale nga bota demokratike se ekziston edhe opsioni i shpalljes së tyre organizatë e padëshirueshme që cënojnë demokracinë në vend.
Ata vazhdojnë pehlivanllëkun e tyre.
Bota vëzhgon.

Leave a comment

0.0/5