Intervista ka biseduar me Z. Shkëlzen Cara, biznesmenin humanist që kthehet në Shqipëri, pas një përvoje shumëvjeçare në Itali. Midis të tjerave, Cara na zbulon sekretin e suksesit nëpërmjet disa këshillave me shumë vlerë.
-Për një prezantim më të gjerë për publikun; kush është Shkëlzen Cara?
-Shkëlzen Cara, vjen nga një familje e thjeshtë e rrethit të Pukës dhe është administrator i kompanisë Ital Clima-Al.
Periudha sfiduese e asaj kohe, ishte nxitja kryesore e emigracionit drejt Italisë. Vitet e para të adoleshencës së tij dhe jetës në emigrim, shërbyen për të fituar një eksperiencë shumë të mirë në fushën e sipërmarrjes, pavarësisht gjithë vështirësive që u mbartën. Ambicia, insistimi dhe puna e palodhur, bënë që Shkëlzen Cara të arrinte progres të vazhdueshëm dhe suksesi ishte i pritshëm; u bë sipërmarrës në Itali. Përtej këtij suksesi, ai arriti të realizojë ëndrrën e tij dhe kurrë nuk Ju zbeh dëshira e investimit në vendin e tij dhe për popullin e tij.
– Krahasuar me eksperiencën tuaj si sipërmarrës në Itali; sa e vështirë ishte rruga juaj profesionale në Shqipëri?
-Të rinisësh një sipërmarrje të re kërkon angazhim, vendosmëri dhe guxim të një niveli maksimal. Duhet të bindësh veten që për një periudhë shumë të gjatë do të duhet ta fokusosh gjithë kohën dhe energjinë vetëm tek ajo çfarë po ndërton. Por nëse bëjmë një krahasim mes dy rasteve, pa diskutim që mendoj që eksperienca në Shqipëri ishte më e vështirë.
– Si mendoni, cili është çelësi i suksesit për të ecur gjithmonë në progres?
E vetmja mënyrë për të bërë punë të mëdha është që ta doni atë që bëni. Përcaktimi i objektivave dhe qëllimeve të qarta, këmbëngulja për t’i arritur ato dhe së fundmi bashkëpunimi i duhur, në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe me personat e duhur. Gjej vendin gjithashtu të shpreh mirënjohje për këdo që më ka ndihmuar/ndikuar me shembullin e vet pozitiv apo negativ, me kritika apo këshilla, me mirënjohje apo abuzime, gjithçka më ka bërë më të fortë dhe akoma më të vendosur për të punuar më fort drejt suksesit të synuar.
– Sa e vështirë është te jesh i balancuar mes punës, familjes dhe angazhimeve të tjera, siç është edhe bamirësia dhe filantropia juaj ndaj familjeve në nevojë?
-Jeta ka periudha me stuhi dhe periudha me diell, ndonjëherë ka dhe periudha të hidhura dhe intensive. E rëndësishme është harmonia për të gjetur balancën. Bashkëpunimi, ndarja e detyrave dhe përgjegjësive është një model që ka sjell sukses në menaxhimin më të mirë të kohës.
– Njiheni ndryshe edhe si njeriu që i jep dorën dhe mbështet këdo që ka parë dhe ndjerë se ka nevoje për një mbështetje financiare, një filantrop që ndoshta i kishte munguar shoqërisë sonë. Ku e gjen pikënisjen kjo sipërmarrje juaja?
-Mendoj që kjo pikënisje ka dy baza, e para vjen nga im atë, i cili edhe pse nuk jeton më mes nesh, figura dhe emri i tij nderohet e kujtohet si një kuadër i asaj kohe, i cili i dha dorën e ndihmës gjithkujt që pati nevojë, dhe e dyta janë fazat e vështira që ne mund të kalojmë në jetë, të cilat na bëjnë më sensitive ndaj rasteve të caktuara dhe na përforcojnë prirjen drejt filantropisë.
– Në fakt, ne na bëri përshtypje ndihma juaj katërcipërisht në një familje me mundësitë e pakta jetike, në Iballe të Fushë-Arrëzit. Pse zgjodhët pikërisht këtë familje dhe a patët edhe ndihmën e organeve administrative atje?
-Dy ishin arsyet që vendosa t’i jap dorën e ndihmës kësaj familje: E para dhe kryesorja ishte fakti që prindërit e atyre fëmijëve ishin me aftësi të kufizuara, gjë që i kufizonte në mundësinë që të krijonin kushtet bazike jetike dhe e dyta ishte ndjeshmëria ndaj fëmijëve, të ndodhur në ato kushte.
Organet administrative të zonës janë treguar të gatshëm për të asistuar në fasilitetet e nevojshme për realizimin e këtij misioni, gjithashtu gjej rastin ti falenderoj edhe për mikëpritjen e organizuar me këtë rast.
– Cili është mesazhi juaj për të sjellë ndoshta edhe sensibilizim në shoqëri?
-Secili nga ne ka mundësinë ta shohë jetën duke nisur nga njerëzorja, Zoti e krijoi njeriun si një qenie humane, dhe unë nga këtu e nis mesazhin tim, të jemi human ashtu siç zoti dhe natyra e krijoi njeriun, dhe mos lejojmë që e mira materiale të verbërojë anën njerëzore. Duke qenë më njerëzor bota dhe jeta do të ishte më e bukur.
– Në fund, cila është perspektiva e kompanisë që ju drejtoni, ITAL CLIMA-AL?
-Ital Clima-AL tashmë ka arritur suksesin e synuar brenda kufijve të Shqipërisë. Ajo çfarë mund të shohim si perspektivë është që këtë sukses ta zgjerojmë përtej kufijve te Shqipërisë, duke shtrirë aktivitetin e kompanisë edhe në vende të tjera të rajonit dhe më gjerë.