Sigurisht që Lufta Nacionalçlirimtare nuk mund të gjykohet nga të kriminalizuarit në atë luftë, kuislingët dhe kolaboracionistët, të dënuar për këto arsye, nga gjykatat e të gjitha vendeve të botës. Sepse, në atë luftë, u vranë të paktën 10.000 djem e vajza, burra e gra shqiptare, të gjithë pjesëtarë të Ushtrisë dhe Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe autorë ishin forcat fashiste italiane, forcat naziste gjermane dhe trupat ndihmëse të tyre, kryesisht ato të Ballit Kombëtar.

Është fakt historik i arkivuar, në Shqipëri dhe në Gjermani se trupat e Ballit Kombëtar u vetinkuadruan nën komandat gjermane, iu raportonin atyre dhe zbatonin urdhrat luftarakë të tyre! Lufta Nacionalçlirimtare nuk mund të gjykohet as nga “historianë” që legjitimojnë barbarinë nazifashiste – kolaboracioniste si parandalim të komunizmit. Të tillë “historianë”, me çdo kriter janë të vetëkriminalizuar! Ajo luftë nuk mund të gjykohet as nga jo-profesionistë amatorë diletantë pa asnjë arsimim apo kulturë gjeopolitike e ushtarake për luftën, strategjinë dhe operacionet ushtarake.

As nga ata që nuk kanë njohje e përvojë se si funksionojnë komandat e shtabet ushtarake në nivel aleat, kombëtar, strategjik, operativ, apo taktik. Jo-profesionistët nuk mund ta kuptojnë se mbështetja tek Italia dhe Gjermania, si miq të natyrshëm gjeopolitikë të shqiptarëve është e papajtueshme me mbështetjen te Italia fashiste e Gjermania naziste, të cilat ishin po aq kriminale ndaj kombit shqiptar, sa edhe ndaj kombit italian e atij gjerman.

Në këtë kuadër, “patriotizmi” sipas të cilit, bashkimi kombëtar shqiptar do të zgjidhej nga pushtuesit italianë e gjermanë si aleatë tradicionalë gjeopolitikë të shqiptarëve, përveçse ishte një fyerje ndaj vlerave, prestigjit dhe interesit kombëtar, ishte, siç janë shprehur edhe shumë historianë të huaj të paanshëm, një perversitet. “Historianë” dhe amatorë të tjerë pretendojnë se forcat gjermane që hynë në Shqipëri në shtator të vitit 1943 e në vijim ishin kalimtarë, në tërheqje, prandaj duheshin lënë të lirë të kalonin pak a shumë si turistë.

Qëllimshëm, apo nga padituria, injorojnë një të dhënë themelore: pas betejës vendimtare në Stalingrad, me Direktivën e Hitlerit Nr.48, datë 26 korrik 1943, armatat naziste u urdhëruan të ndërprisnin mësymjen strategjike dhe të kalonin në mbrojtje strategjike! Në bazë të kësaj direktive u krijua “Teatri Juglindor” (“Teatri i Ballkanit”), ku u rigrupua një forcë prej 700,000 trupash, me komandë e shtab në Beograd, për mbrojtjen e këtij teatri. Në këtë kuadër, menjëherë pas kapitullimit të Italisë, hynë në Shqipëri rreth 40,000 trupa gjermane.

Pra, hynë në Shqipëri, nuk dolën nga Shqipëria, as u tërhoqën nga Shqipëria! Instituti për Historinë Ushtarake në Potsdam të Gjermanisë ruan dokumente arkivore autentike, ku shkruhet e zeza mbi të bardhë se Shtabi i Luftës i Forcave Tokësore Gjermane, në kuadër të Konceptit Strategjik të Mbrojtjes, të titulluar “Europa – Fortesë që duhet mbajtur me çdo kusht”, vlerësonte se “mbrojtja elastike do t’i jepte Gjermanisë mundësinë të mbante në zap, për një të ardhme të parashikueshme, një zonë që shtrihej në perëndim dhe në veri të brigjeve të Atlantikut, në lindje pak a shumë në vijën Riga-Kiev-Krime dhe në jug afërsisht në Selanik, Tiranë e Firence, Apenine dhe brigjet jugore të Francës”.

Duhet të jesh ose manipulator, ose qorr, ose i paarsimuar, ose pa përvojë operativo-strategjike, të mos shikosh se bëhet fjalë për mbrojtje strategjike, ku përfshihej edhe kryeqyteti i Shqipërisë! Pra, jo për tërheqje strategjike. Të tillëve nuk iu intereson, ose e kanë të vështirë të kuptojnë e të pranojnë se përse komandat gjermane, menjëherë pas dislokimit në Shqipëri, zhvilluan një seri operacionesh të mëdha mësymëse në shkallë të gjerë, siç ishin ai i dimrit 1943-1944 dhe ai i qershorit 1944.

Sigurisht që, me hapjen e Frontit të Perëndimit në qershor 1944, superioriteti i forcave aleate anti-nazifashiste u rrit ndjeshëm dhe për rrjedhim, nazistët u detyruan të bënin tërheqje, por këto u bënë vetëm për manovër, në vija të përcaktuara dhe vetëm për të kaluar përsëri në kundërgoditje. Një kundërgoditje të tillë dhanë armatat gjermane pikërisht në dhjetor 1944 -janar 1945, në operacionin që njihet si “Beteja e Bulgës”, ose “Kundërmësymja e Ardeneve”, e cila kishte për qëllim të çante, rrethonte dhe shkatërronte formacionet mësymëse angloamerikane dhe të rimerrte territoret e Belgjikës.

Ishte ndër betejat më të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore, ku nga forcat gjermane mbetën rreth 120,000 të vrarë, ndërsa nga forcat anglo-amerikane rreth 70,000 të vrarë. Gjermania naziste asnjëherë nuk u tërhoq në pikëpamje strategjike, për faktin e thjeshtë se nuk ofroi dhe as nuk pranoi kurrë kapitullim në nivel politik. Në këto kushte, pa mandatin politiko-ushtarak të kapitullimit, as që nuk mund të imagjinohej ndonjë tërheqje ushtarake, për më tepër nga trupat e disiplinuara e të indoktrinuara naziste! Të kriminalizuarit e sotëm, por edhe jo pak amatorë në historinë ushtarake, përpiqen ta paraqesin luftën për çlirimin e Shqipërisë nga nazifashizmi si luftë civile.

Burimi: Panorama

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *