-Eralda, përshëndetje! Nga hera e fundit që ke qenë pjesë e intervista.al, çfarë ka ndryshuar në  jetën tënde profesionale?!

-Si fillim më lejoni të shpreh se të jesh pjesë e Intervista.al është çdo herë kënaqësi e më e madhe. Muajit e fundit, si gjithmonë bëj në fakt dola sërisht nga kornizat e sipërmarrjes dhe Graphic Design-it dhe e gjeta veten të përfshirë dhe angazhuar në një projekt jo si gjithë të tjerët! Ishte një projekt frymëzuar nga dashuria, zhvilluar nga dëshira për ta parë botën me ngjyra e finalizuar me dedikim e përkushtim të plotë.                                                                                                                                                                                            “Jetë Paralele” u titullua skenari që shkrova për t’u përkthyer më pas vizualisht në një film me metrazh të shkurtër.

-Filmi yt i parë i këtij lloji, “Jetë paralele” si erdhi, ku u kap esenca, pse pikërisht tani?

-Ishte filmi im I parë dhe më duhej të shkrija çdo qelizë artistike që të godisja fort aty ku unë synoja! Duke qenë se në këtë film fokusi janë komunitetet Rome dhe ato Egjiptiane u punua fort që lancimi të bëhej pikërisht në ditën ndërkombëtare të komunitetit Rom. Esenca e këtij filmi është nxitja e mendimit të secilit prej nesh që pavarsisht tonaliteteve të lëkurës, fizionomisë sonë, etnisë, nacionalitetit, fesë e gjithçkaje tjetër që na bën të ndryshëm nga njëri tjetri ajo që na bën bashkë është të qenit njerëz të të Madhit Zot! Përpos kësaj kush dhe ku gjen të drejtën të diferencojë, diskriminojë dhe mënjanoj ndokënd?! Le të mos dallohemi nga ajo çfarë kemi e çfarë jemi, por nga ajo çfarë pranojmë e çfarë tolerojmë!

-Një film pa zë, a flet më shumë se mijëra fjalë?

-Eh, në fakt jo vetëm foli, por buciti fort! Solli sërisht në vëmendje këtë plagë të shoqërisë për të cilën shumë flasin e shkruajnë, por pak veprojnë!  Ndonjëherë kur fjalët flasin shumë veprat ulen këmbëkryq pa vepruar kështu që unë zgjodha të bëj të kundërtën: “Pause” fjalëve dhe “Play” veprave! Në të njëjtën kohë kjo ishte thikë me dy presa. Është sfidë që në momentin e hedhjes së idesë në letër e më pas në përkthimin regjisorial që do ti bëhej atij teksti. Pakujdesia më e vogël dhe detaji I pa menduar mirë mundej të shkatërronte gjithcka, mundej të transformonte dhe të linte vend për keqkuptime, në këtë pikë kisha një tjetër arsye të fortë për tu dedikuar edhe më tepër.

-Ndërkohë që premiera e filmit u realizua, shumë e kanë parë, a i kaloi pritshmëritë e tua pritja nga publiku?

-Që në hapat e parë të këtij projekti pashë angazhim, mbështetje dhe interesim por realisht cdo gjë doli jashtë pritshmërive që nga numri tejet I lartë I pjesëmarrësve në audicione, interesi I publikut, medias vizive dhe asaj të shkruar e deri në ditën finale kur u bë promovimi I filmit  që paçka se ky event ishte me ftesa , çdokush shpehu dëshirën për të qenë pjesëmarrës!

-Cili është mesazhi më i bukur që ke marrë?

-Edhe në mënyrë artistike mund të zgjojmë tek të tjerët humanizmin dhe dëshirën për të bërë mirë. Gjatë promovimit të ftuar kishim bashkëpuntorë të mi, sipërmarrës dhe përfaqësues të komuniteteve dhe të institucioneve të tjera në vend, njerëz fjala e të cilëve ka peshë! Edhe mesazhi erdhi po ashtu si filmi, pa zë, pa fjalë por me vepra! Një mik i imi, drejtues i një kompanie me mjaft zë më njofton se kjo kompani ofron vend pune dhe trajnime të ndryshme për një nga vajzat e komunitetit Rom e cila ishte edhe pjesë e kastit! A ka më bukur se ta marrësh përgjigjen e gjithë përkushtimit tënd në këtë mënyrë?!

 -Ndërkohë, kritika ka pasur? Nëse po si i ke pritur?

-Ky ka qenë edhe meraku im më I madh, jo se mos merrja kritika por se mos gaboja padashje diku me një fjalë, një xhest apo një sjellje, sepse tema të tilla janë gjithmonë shumë delikate. Duke qenë në këtë situatë, kuptova që cdokush mundohet të shohë më të mirën tek tjetri apo tek ajo cka po realizohet kur projekti ka këtë fokus! Pavarsisht gjithckaje unë jam në çdo rast kritikja më e madhe e vetes!

-Roli i producentes të shkon ama, si i ke premisat, do ketë filma të tjerë?!

-Tani po gjej pak rastin edhe të falenderoj, absolutisht çdokënd që më mbështeti në këtë projekt, por po ashtu faleminderit nga zemra atyre që më besuan për në vazhdim edhe projekte të tjera të këtij profili, atyre që u vetëofruan për të bërë dritë në këto shkallë po ngjis që në fakt janë të panjohura mirë për mua! Pra, në vijim do të kemi jo vetëm një, por disa projekte të tjera të cilave do t`iu përkushtohem dhe dedikohem me të njëjtin pasion!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *