Vitin e kaluar Onufri botoi tri romane të Zija Çelës në një vëllim të përbashkët. Kur një vepër letrare botohet për herë të katërt, siç ka ndodhur me romanin “Gjaku i dallëndyshes” të Çelës (botimi i parë – Naim Frashëri, Tiranë 1990; botimi i dytë – Dukagjini, Pejë 1992; botimi i tretë – Koha ditore, Prishtinë 2005 dhe botimi i katërt – Onufri, Tiranë 2021), s’ka dyshim që ai është ndër më të kërkuarit e më të preferuarit nga lexuesi. Dhe kur kjo ndodh edhe me dy romanet e tjera,“Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”, pjesë e këtij triptiku (I pari i ribotuar nga Onufri në 2021, pas botimit të parë më 1992 nga ShBL, Tiranë, dhe botimit të dytë nga Flaka e Vëllazërimit, Shkup, mē 1998; ndërsa i dyti ribotim nga Onufri më 2021, pas botimit të parë nga Dukagjini, Pejë, më 1997), kureshtja e lexuesit për ta është e shkallës më sipërore.
1
Kështu ndodhi edhe me mua gjatë shtatë ditëve të kësaj vere të nxehtë, duke lexuar tri romanet e triptikut “Gjaku i dallëndyshes“. Dhe sinqerisht u befasova me lëndën e larmishme, bukurinë e narrativës, karakteret e shumta, përshkrimet e portretizimet brilante, gjuhën e pasur e gjithë forcë shprehëse. Vetëm një gjeni si Zija Çela di të sjellë aq atistikisht në një roman virgjërinë si tabu (“Gjaku…); shpirtin rebel të banorëve të Bardhgolemit e figurat groteske të tre gjeneralëve të Barabisē, njëri prej të cilëve “vret” kuçedrën, që të rridhte uji për bashkëfshatarët, por bëhet vetë kuçedër (“Gjysma…”); si dhe historinë e një konflikti absurd, lindur që në gjenezë, se cila nga popullatat e krahinës, ku zhvillohen ngjarjet, ka tru në kokë e cila është vetëm brumë kungulli. (Banketi i hijeve“).
Tri romane në një, ku pasi i ke lexuar, të mbeten në mendje shumë shprehje plot domethënie, si këto: “Në Bardhgolem burrat, që janë burra, nuk pranojnë të mbajnë ndërresa të pista dhe gra të përdorura.”; “Ata të Bardhgolemit kërkuan gjakun e çarçafit dhe gjetën gjakun e arkivoleve”; “Në shtëpinë ku mungon një dorë gruaje, besohet se ndryshimet vijnë vetëm nga zvetënimi”; “Kungulli po pushton botën dhe Mamaci nuk ka si të mbetet jashtë këtij ekspancioni”, etj.
Për këto tri vepra kanë shkruar me vlerësime të larta pena të shquara. Pjesë nga shkrimet e tyre botohen në libër si Pasthënie. Janë aty Mehmet Kraja, Eqrem Basha, Lazër Stani, Ramadan Musliu, Ali Aliu, Remzi Lani, Linda Abazi, Arbër Ahmetaj, Tefik Çaushi, Halil Matoshi, Ismail Syla e Xhemail Mustafa. Ata i analizojnë romanet e Çelës jo vetëm në raport me krijimtarinë e autorit dhe të letërsisë shqipe, por edhe me vepra e autorë të mëdhenj të letërsisë së huaj. Dhe përfundimet e tyre janë sa orientuese, po aq të gëzueshme.
2
Pa pretenduar të bëj kritikën e mirëfilltë letrare, dëshiroj të theksoj disa nga mesazhet filozofike që përcjell Zija Çela në këto tri romane.
Tek i pari, “Gjaku i dallëndyshes”, mesazhe të tilla përcillen gjatë gjthë zhvillimit të ngjarjeve. Madje të bëjnë përshtypje jo vetëm emërtimi i Bardhgolemit, vendbanimit ku janë skenat e ngjarjes, por edhe vetë emrat mbresëlënës të personazheve: Baltazari, doktor Zhavello, Çonda, Kondo, Ana, Shushulla, Lola, Vogël Heta, Kubat Kubati, Kovaç Kovaçi, Xhemë Kurti, etj.
Të gjithë ndërveprojnë në funksion të realizimit të një dasme, nga e cila të nesërmen synohet të provohet virgjëria (ose zhvirgjërimi) e nuses, duke e “publikuar” çarçafin e përgjakur.Mesazhi është i qartë: virgjëria vajzërore si tabu deri ditën e martësës! Për të provuar këtë, përzgjidhen edhe shoqëruesit edhëndërit e të nuses si dëshmitarë. Siç organizohet edhe përgjimi i fshehtë okular për aktin e natës së parë.
Si njohës perfekt i së drejtës zakonore, pasi ka vëzhguar, perceptuar e përzgjedhur produktin në një zonë si Bardhgolemi, mjeshtri Zija Çela na mahnit me bukurinë e fjalës, teksa vë në gojën e përsonazheve shprehje të tilla: “e shkuara është si një varrezë, ku njerëzit tërë jetën ecin në majë të gishtërinjve, nga frika se mos shkelin diçka që përbën mekat.” (fq.75). Dhe më tej: “Ka gjasa që bash në shpirtin e burrit të gjendet varri i vërtetë i gruas!” (fq. 80) Fantazia e autorit të vë në mendime, kur sjell në vëmendjen e lexuesit zakonin, sipas të cilit: “dhëndri gjithmonë ka pasur shoqërues burrë të martuar, nusja doemos grua të martuar. Dhe dihet përse: veç të tjerave, shoqëruesit i mësojnë ata të dy si të flenë me njëri-tjetrin natën e parë. Për të mësuar kaq gjë, vajzës i duhen njëzet ose njëzet e pesë vjet…” (fq.79-80).
Teksa ngjarjet vërtiten rreth çarçafit të dëshmisë, autori namagjeps me personifikimin e burrave të Bardhgolemit, atyre që nuk pranojnë të mbajnë ndërresa të pista dhe gra të përdorura. Kësisoj, Z. Çela e vendos botën shqiptare në kthetrat e së djeshmes dhe të sotmes.
Një dasmë e cila fillon në oborr, vazhdon me vrasje, por edhe me ngritjen e të vdekurit nga karroca, ku e kishin vënë trupin e tij, për t’u rivrarë përsëri. Sepse asgjë nuk ndodh rastësisht.Edhe sikur njëmijë herë të përsëriteshin ngjarjet, thuhet në faqet e para të romanit, njëmijë herë do të ndodhte vrasja. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, autori rrëfen mjeshtërisht edhe një vetëvrasje misterioze, larg syve të dasmorëve dhe pa dëshmitar. Këtu intriga bëhet thellësisht befasuese, duke e vendosur vëtëvrasjen e Çondës në dhomën e dhëndërit. Ndaj dhe Eqerem Basha do ta konsideronte romanin “një kronikë shqiptare me një lojë të jashtëzakonshme të krimit dhe misterit, të krenarisë, sedrës, psikologjisë së shqiptarit, e thurur me mjeshtërinë e prozatorit të racës, i cili di të krijojë pamje dhe të ndërtojë personazhe, çfarë pak e ndeshim në prozën shqiptare në përgjithësi. Dasma dhe krimi, aq të afërta me njëra-tjetrën dhe aq të fisit me legjendat shqiptare, përsëri më gjerë se kaq, me përshkrime të jashtëzakonshme të personazheve, tipa të veçantë dhe krejtësisht joshabllonikë.”
3
Ndonëse përsëri me një kolorit të pasur e plot ngjyra, në një linjë tjetër i vendos ngjarjet e personazhet Zija Çela te romani “Gjysma e Xhokondës”. Mika (Mimika Gjoka), e fejuara e Albertit dhe mike e ngushtë e Aldos, do t’u deklarojë atyre që në fillim se është “nga ai vend, ku të vdekurit gjithmonë i shtrijnë me fytyrën nga perëndon dielli dhe të gjallët s’flenë kurrë me kokën nga varrezat”. Por gjithashtu edhe fare çiltazi: “Kaq të mirë jeni të dy, sa nganjëherë çuditem që jam fejuar vetëm me njërin.” Pas zhdukjes misterioze të kësaj zonjusheje, që “në shpirtin e saj të aventurës kishte gjithnjë një ndjenjë drejtpeshimi”, do të vihen në kërkim të saj jo vetëm ata, por edhe autoritetet lokale. Me këtë intrigë tërheqëse nis romani. Dhe me peshën se kishte humbur personazhja, për të cilën “e shkuara mbetet shpesh po aq interesante dhe po aq e panjohur sa e ardhmja, megjithëse njëra është dimension i jetës dhe tjetra i vdekjes.”
Është pikërisht ndërveprimi i këtyre personazheve, së bashku me tre gjeneralët e me figura të tjera, që përbëjnë pothuajse tërë zhvillimin e ngjarjeve. Madje nga dështimi i kërkimeve, fantazia e autorit shkon përtej ndjenjës së mëshirës kur, si t’i jetë dridhur dora, shkruan: “O Zot, mëshirë për banorët e Barabisë: këdo që kanë në krye, gjithmonë do t’ua dhjesë punët!”
Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, përderisa situata zotërohej nga tre gjeneralë të vetëshpallur: gjeneral Çonda, gjeneral Bitoku dhe gjeneral Harito, me këtë titull prej graduatësh falso, të cilët natën “e bënin çiçin si kalamajtë në uturak”.
Duke përligjur botën psikologjike dhe linjën e vijimësisë me romanin “Gjaku i dallëndyshes”, autori i vendos herë pas here personazhet e Barabisë përballë atyre të Bardhgolemit, si në rastin e kundërvënies ndaj doktor Zhavellos. Jo pa qëllim, në Barabi gjejmë edhe Fabrikën e Letrës. Sa here fryn era, në vendbanimin Barabi, që gabimisht i thoshin edhe Barbari, fluturojnë andej-këtej copa letrash, ku lexohen gjithëfarë shënimesh. E këtë gjetje Çela e shfrytëzon gjithë elegancë jovetëm për t’i ndezur ngjarjet, por edhe për t’i veshur me mister e mendim universal. Si për shembull: “Tri gjëra janë të vështira për t’u njohur dhe një gjë e katërt është e pamundur të njihet. Ato janë: gjurma e gjarpërit mbi gur, e zogut në ajër, e anijes në ujë dhe e burrit në gruan.”
Risi në këtë roman janë edhe “Ditët e recitimit”, ku në njërën prej tyre spikat një variant tjetër i baladës së Gjegj Elez Alisë.Sipas këtij varianti, “Gjergji nuk vdes pas dyluftimit të kobshëm me Balozin e Zi, përkundrazi, ai vazhdon të jetojë për shumë kohë, madje një ditë arrin të ngrihet më këmbë.Veçse ajo që e ngre nuk është motra, siç thuhet në variantin e vjetër, e cila i rrinte mbi kokë dhe i ndërronte nëntë plagët, Gjergj Elez Alinë e ngre më këmbë gruaja.”
Një trill interesant ky, përkundër gjeneral Bitokut, që e kërkon lavdinë përmes lakmisë e pushtetit të dhunshëm, apo gjeneral Haritos që, me egoizmin e shfrenuar, as i verbër s’e lëshon pushtetin. E në këtë kuadër, në kuadrin e një metafore të madhe, banorët e Barabisë ndihen si përgjysmë. Ata pyesin nëse e kanë pasur dikur gjysmën tjetër të vetvetes, e kanë pasur dhe e kanë humbur, apo s’e kanë pasur asnjëherë.Prandaj nuk e njohin as Xhokondën, duke parë vetëm gjysmën e riprodhimit të saj në anë të pasqyrës te berberi Ruc Bërdaku.Sa therëse, por edhe sa e përjetshme kjo metaforë.
4
Pas Bardhgolemit dhe Barabisë, te “Banketi i hijeve” (fitues i çmimit “Velija”, 1999), Zija Çela na çon në Mamac, një vendbanim në skajin tjetër të së njëjtës fushë, ku ndodhen edhe dy të parët. Nga dritaret e shtëpive të mamacianëve dallohen “sokaku i deshëve”, “sokaku i gjelave” dhe “sokaku i cjepëve”. Autori nuk vonon që të bllofojë me të famshmin kungull i madh, që mbin dhe pushton gjithë qendrën e Mamacit. “Për Mamacin çështja e kungullit është moral mbi të gjitha moralet.” (Fq.489). Sepse, duke e ngrënë me shumë qejf, ata duan të thonë se nuk janë kryekungujt e gjenezës, njerëz pa tru janë kundërshtarët e tyre, bardhgolemasit dhe barabiasit. Madje, për armiqësinë mes tyre, autori përcjell edhe këtë kundërvënie tē skajshme: “Sa herë të ndërrojë jetë ndonjëri prej jush, bashkë me atë që ka vdekur, ne do të varrosim edhe një të gjallë.”
Me art përshkruhet ringjallja e Redonit dhe përpjekjet e tij për të rigjetur të ëmën, Dardanën… Po mjeshtërisht, referuar incestit, Z. Çela e mban pezull lexuesin me shprehjen proverbiale: “Mitra e vërtetë nuk është ajo që shpallet, mitra e njeriut është truri.” Kësisoj, siç e ka vlerësuar Arbër Ahmetaj: “Mamaci i Çelës është plot e përplot me jetë, me kurvëri e me hasmëri, me tregti e me festa, me idiotësi e me burg, me të marrë e me të mençur, me emigrantë të ikur e të rikthyer, me të vdekur e të gjallë, që enden herë me krye e herë pa krye, me armiq përballë, me armiqësi të vjetër sa jeta. Autori mban nën kontroll jo vetëm linjat, personazhet, por edhe detaje e gdhendje nga më të imtat, të cilat i sjell e risjell në mënyrë të befasishme për kënaqësinë më të madhe të lexuesit. Ajo që e shndërron leximin e këtij libri në një kënaqësi të vërtetë është aftësia e shkrimtarit që të përziejë në të njëjtën materie letrare hiperbolizime fantastike me mite e rrëfenja të vjetra, që i japin shkrimit një natyrë eterike e mistike, njëherësh e këndshme për t’u lexuar dhe marramendëse si përfytyrim. Nëse vërtet nuk arrijmë “të dëgjojmë zhurmën që bën rruzulli i tokës duke u sjellë në boshtin e vet”, siç i ndodh një personazhi të Çelës, e sigurt që ndiejmë gurgullimën e pastër gjuhësore dhe mjeshtërinë e një shkrimtari të madh bashkëkohor”.