Viti që ndryshoi mënyrën e jetesës të të gjithëve ne sapo u mbyll dhe kemi nisur një vit me shpresë dhe dyshime njëkohësisht. Ata që luftuan për kaq kohë dhe që ende luftojnë janë mjekët e vijës së parë. Një prej tyre është dhe Dr. Edmond Puca, mjek infeksionist në QSUT, i cili në një rrëfim të sinqertë të gjitha peripecitë mes pacientëve dhe frikës ndaj infektimit, mungesës së takimit me njerëzit e dashur.

Fabjola Kuburi:-Doktor përshëndetje! Viti 2020 iku me Covid dhe 2021 na gjeti përsëri me të. Cila është dëshira më e madhe juaja, por edhe urimi si mjek që e përjeton gjendjen më shumë se ne të tjerët që jemi jashtë mureve të spitalit? 

Dr.Edmond Puca:- Viti që lamë pas ishte një vit tejet i vështirë. Ishte nga ato vite apo periudha, që ne as nuk i kishim imagjinuar. Ndoshta as nëpër filma s’e kishim parë tamam ashtu. Shpërthimi dhe përhapja e një sëmundje të re, fillimi dhe zbatimi i një karantine mjaft strikte, humbje e vazhdueshme e jetëve njerëzore, distancimi nga miqtë dhe të afërmit, me pak fjalë ishte nga ato vite, që njeriu nuk do ti përsëriten dy herë në jetë. Kështu që, duke e parë në këtë aspekt dhe me zbulimin e vaksinës kundra këtij virusi, shpresoj që kjo periudhë e keqe të mbyllet sa me shpejt. Përsa i përket urimit për këtë vit, unë do të uroja të gjithë shqiptarët të kenë shëndet, jetë të begatë e sa më pak sëmundje dhe brenga në jetën e tyre.

-Sa e vështirë është të jesh gjatë gjithë kohës mes pacientëve me Covid dhe të luftosh edhe vetë t’ia dalësh mbanë për veten dhe për pacientët?

-Absolutisht është një punë tejet e vështirë. Tashmë u bënë më shumë se 10 muaj që ne merremi me këtë ëemundje. Nuk kisha parë apo imagjinuar aq shumë humbje jete në një periudhë kaq të shkurtër, gjë e cila të vret në shpirt dhe të brengos në mendime. Jemi lodhur, jemi përpjekur me mish e me shpirt të bëjmë më të mirën apo të pamundurën. Edhe nuk ja kemi dalë. Shpesh edhe na kanë shenjestruar. Jemi lodhur pafund e kemi djersitur shumë, nuk kishte kufi midis lodhjes dhe jolodhjes, nuk ditëm kur ishte pushim, ditë apo nate, pasi qëllimi ishte një dhe i vetem: të bëjmë më të mirën dhe të shpëtojmë jetë. Sinqerisht që ka patur moment tejet të vështira emocionale, të padiskutueshme. Kemi patur aq shumë lodhje sa edhe na ka rënë të fikët. Kemi qëndruar për orë të tëra në punë. Jemi djersitur ç’të të them, por mendoj se gjithë këto sakrifica ja kanë vlejtur.

-Dr Edmondi, vitet e eksperiencës që keni në mjekësi ju bëjnë një nga mjekët më të mirë infeksionistë që kemi në Shqipëri. Si ndiheni nga vlerësimet që ju vijnë prej pacientëve tuaj?

-Faleminderit për këtë vlerësim. Ndihem i lumtur, por dua të jem edhe modest. Shërbimi i Sëmundjeve Infektive tradicionalisht ka patur mjekë me emër dhe me përvojë. Sigurisht që eksperienca pothuajse 20 vjeçare tashmë si mjek dhe më shumë se 16 vite këtu në shërbimin infektiv, apo edhe tek Spitali Amerikan si mjek konsulent, bën punën e vet. Kam trajtuar pacientë të të gjitha moshave, profesioneve dhe pozitave shoqërorore. Pastaj puna në këtë profesion të jep një eksperiencë fantastike. Në këtë profesion shikon sëmundje të të gjitha organve që nga koka deri te këmbët. Një ndihmesë e madhe është arrritur edhe nëpërmjet kolegëve jashtë vendit, me të cilët unë kam korrespondenca të vazhdueshme. Dhe ajo çfarë është më e rëndësishmja është se unë e dashuroj këtë profesion dhe kur gjërat i bën me pasion rezultati është i padiskutueshëm. E duke u kthyer tek pyetja juaj, nuk ka gëzim më të madh, kur ata që kanë qenë pacientët tuaj të urojnë për festa. Dhe falë të madhit Zot këto urime nuk më kanë munguar asnjëherë, madje më japin forcë dhe dashuri për të punuar më shumë, por edhe për të publikuar më shumë atë që normalisht bëjmë. Eh, një urim që doja të përmendja ishte një kartolinë e bukur nga një fëmijë i vogël 6-7vjeç, i cili më falenderonte, për jetën e të dy prindërve të tij, të cilët arritën të fitonin ndaj Covidit. Por, këto janë mesazhe që një mjek e kënaqin pafundësisht.

-Ka pasur ndonjë moment që keni dashur të ikni nga gjithë kjo gjendje?

-Varet se në çkëndvështrim është pyetja. Nëse bëhet fjalë për lodhjen, mërzitjen shqetësimet, asnjëherë. Unë e konsideroj punën time si një mision pa fund. Unë nuk njoh orar nëse kam mundësi të bëj mirë. Por, nëse pyetja është a do të doja të zhdukej kjo situatë, atëherë përgjigjja është: absolutisht po. Kjo pandemi po i lodh të gjithë, sistemin shëndetësor, nxënësit, mësuesit, ekonominë, po streson vetë njerëzit. Është një e keqe që duhet mbyllyr sa më shpejt dhe unë dua atë jap kontributim tim. Të shpresojmë që po i vjen fundi.

-Çfarë i thoni e përsërisni çdo ditë pacientëve tuaj në spital?

-Unë përpiqem të jem vetvetja. Detyra ime në spital është jo vetëm të trajtoj pacientin me antibiotiko-terapi apo preparate të tjera suplementare. Unë gjithmonë përpiqem të jem edhe pak psikolog, edhe pak infermier, ndoshta edhe pak shok i tyre, apo i afërm i tyre. Ajo që gjithmonë insistoj është që ata të mos dorëzohen, të qëndrojnë të fortë, të përpiqen me të gjitha mënyrat që ta mposhtin sëmundjen. Aspekti psikologjik është një armë e fortë për ta mposhtur sëmundjen.

-Kur e gjitha kjo të mbarojë, cila është gjëja e parë që do të bëni?

-Ju gjithmonë gjeni pyetje të vështira. Më kujtohet se kur filloi karantina në fillim fare, babai im ishte në Tiranë, unë kisha kontakt me disa pacientë dhe nuk e takova. Më ka marrë malli ta përqafoj. Do të kisha dëshira të shkoja aty ku nuk do kishte me të sëmurë. Do të doja të flija pa frikën se pas pak do më bjerë telefoni dhe në atë thirrje është një njeri i sëmurë. Do të doja të shkoja të pija një kafe me miqtë e mi. Do të doja të shkoja në një vend ku nuk je i obliguar të mbash maskën. Do të bëja gjithçka, që vetëm kjo pandemi e mallkuar të mbyllej.

-Duke qenë se tashmë ka ardhur edhe vaksina dhe ju jeni ndër të parët e vaksinuar, cili është mendimi juaj për të?

-Ashtu siç e thamë edhe më sipër kjo është një pandemik mbarë botërore. Vaksina është e vetmja armë me të cilën ne mund ta mundim atë. E di dhe e kuptoj që shumë njerëz kanë fobi apo edhe frikë për ta aplikuar, por të jenë të sigurt, ia vlen barra qeranë. Këto vaksina janë prodhuar nga institucione të specializuara për vaksinat dhe janë aprovuar nga institucione tepër serioze. Ne duhet të ndërgjegjësohemi dhe ta aplikojme këtë vaksinë e cila unë shpresoj deri që në pushimet e verës të jemi të qetë.

-Këshilla që do donit që të gjithë të ndiqnin…

-Faleminderit që në fund të kësaj interviste më jep mundësinë të jap edhe ndonjë këshillë apo mesazh. Kjo që po kalojmë është diçka me të vërtetë jo e lehtë për askend. Kjo pandemi ndryshoj shume gjera si në aspektin mjekësor, arsimor, ekonomik apo edhe më së shumti në mënyrën tonë të sjelljes. Dhe aq me shume tek ne shqiptarët, që jemi mësuar të jemi disi më liberal, por, ndërkohë edhe me social apo miqesor me miqtë dhe të dashurit tanë. Ndoshta disa rregulla nuk kemi dëshirë t’i zbatojmë apo në momente të caktuara na duken të pakuptimta, por unë do të sugjeroja dhe njëkohësisht t’i këshilloja që t’i zbatojmë ato. Të rrish larg të dashurve të t’u qenka diçka e tmerrshme, por jo e pamundur. Dhe një këshillë tjetër. Tashmë, së shpejti po vjen edhe vaksina. Bëjeni, mos hezitoni! Ja vlen!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *