Gerona Gerona Hyska njihet për vokalin e saj që kur merrte pjesë në “Top Fest” dhe ajo la përshtypje të mira tek publiku i saj. Kujtojme disa këngë me klipe të cilat janë pëlqyer mjaft dhe kanë zëne vend në shijet e ndjekësve “Falma”, “Ti ma the”, “Je t’aime” dhe së fundmi ajo ka risjellë në mënyrën e saj një këngë shumë të dashur për publikun “Nuk e harroj” këngë që në kohë karantine pati një impakt të jashtëzakonshëm. Gerona jeton e punon ne USA prej ku edhe ka bërë gati tre projekte që i këndojnë dashurisë…

Gerona, pas coverit “Nuk e harroj”, duket sikur u ndje një rënie në qetësi…po shijon suksesin e saj? 

-Të jemi të sinqertë ajo është këngë që e ka suksesin brenda sepse është legjendë në muzikë, unë vetëm sa e risolla në mënyrën time. Por, të jemi përsëri akoma më të sinqertë aq po e shijoj faktin që u pëlqye shumë.(Buzëqesh) Gjithsesi, unë kam gati tre projekte të reja dhe që shpresoj ti sjell sa më shpejt që të jetë e mundur për publikun të cilin e di që i ka marrë malli për prurje të reja. Tematika kryesore do jetë ndjenja pa të cilën nuk jetojmë dot, dashuria!

– Herën tjetër që do sjellësh një këngë tënden, kujt do t’i këndosh?  

– Nuk e kam menduar akoma, por do të jetë diçka konkrete në momentin e duhur duke qenë se na mbylli paksa projektet ky Covidi, siç thashë tre projekte janë gati. Duke qenë se jam edhe larg vendlindjes këtej në USA, çdo notë e vijë melodike në shqip duket aq e bukur… 

– Me ç’lloj muzike je rritur dhe çfarë ke marrë prej këngëtarëve që dëgjoje atëherë?  

– Shumë vetë e dinë që këndoj edhe muzikë popullore, por unë këndoj shumë mirë çdo zhanër tjetër dhe e vërteta është që jam rritur me muzikë moderne. Jessie J, Beyonce janë të  preferuarat e mia!

– Cila është kënga që do ta këndoje gjithë jetën, pa u mërzitur asnjëherë? 

– “Crazy in love”! 

– Ti ke vite karriere. Sa të vështira kanë qenë këto vite për ty?  

– Sa të vështira, aq edhe të bukura. E ndiej veten me fat dhe falënderoj Zotin që më ka qëndruar gjithnjë pranë.  

– Do ta quaje veten ende një “studente” apo ndihesh tashmë profesioniste në muzikë?  

– (Qesh) Studente s’mund ta quaj veten me 10 vjet eksperiencë muzikë live por akoma duhet studim dhe asnjëherë nuk ndihesh e kënaqur me veten. 

– Lloji i njerëzve që nuk do të doje të kishe pranë… 

– Sa më pëlqeu kjo pyetje! Nuk do të doja të kisha afër njerëzit me lajka, mosmirënjohësit, tradhtarët. 

– Cili do të ishte titulli që nuk do të doje të lexoje për veten një mëngjes, në faqen e parë të gazetave?  

– Nuk do të doja që të dilte diçka pa dijeninë time dhe e sajuar, kjo do të më shqetësonte shumë, por duke ditur që do dal tek Intervista.al them se do jetë diçka e bukur…!  

– Po ai që do doje? 

– Të ishte diçka e merituar. Jam e kënaqur nga kjo anë, nuk kam ankesa. (Buzëqesh) 

Më afër me Geronën 

– Koha më e bukur e jetës tënde?  

– Adoleshenca. 

– Aksesori më i panevojshëm që përdorin femrat? 

– Femrat përdorin shumë aksesorë që nuk janë të nevojshëm, thjesht për tendencë.  

– Hera e fundit që ke ndihmuar dikë në nevojë?  

– Ndihmoj shpesh, por nuk kam dëshirë të merret vesh dhe të tregoj shumë për këtë. 

– Po të kishe një ambient tëndin me muzikë, ç’muzikë do të luhej?  

– Të gjitha llojet muzikore, të lehtë, popullore, por dëshira ime e vetme do të ishte që të këndohej vetëm muzikë shqiptare, vetëm shqip. 

– Po të mos e kishe emrin Gerona, si do ta kishe?  

– Më pëlqen emri që kam, nuk do të doja emër tjetër. 

– Motoja me të cilën ke ecur gjithmonë në jetë?  

– “Bëj mirë, se një ditë do të shpërblehesh”. 

– Me dhe pa çfarë do ta doje të ardhmen? 

– Me këto që kam dhe ndoshta pak më shumë vlerësim për një artiste që e meriton. 

Gerona dhe paraja 

– Ka patur rast kur ke mbetur pas asnjë lek në xhep?  

– Po, ka pasur dhe jam ndier keq, jo për veten, por për ata që nuk kanë pothuajse gjithë kohës. Mua vetëm një herë më ka ndodhur ta kem portofolin bosh dhe u ndjeva keq, mendo ata që janë ashtu gjithë kohës. 

– Paraja te ti zë vend në mendje apo në shpirt?  

– Në mendje. 

– Për çfarë shpenzon më shumë? 

– Për gjërat e duhura, por edhe kot ndonjëherë(Qesh) 

– A është paraja e lidhur me lumturinë?  

– Unë do të thoja që, po pate lumturinë, ke edhe paratë ose… nuk kanë ç’të duhen paratë, kur ke lumturinë.  

– Çfarë do të ndodhte nëse të gjithë të pasurit e botës do ta ndanin pasurinë me të varfërit?  

– Do të ishte gjëja më e mirë, por e pamundur, sepse do të ishin të barabartë të gjithë! 

– Çfarë do të thotë për ty të jesh e pasur? 

– Për mua ka kuptim të jem e pasur në shpirt dhe jo me letra (lekët).  

– Çfarë do të ndodhte nëse paraja nuk do të ekzistonte fare? 

– Më mirë do të ishte, sepse paraja po i prish njerëzit. (Qesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *