Nga Egla Xhemali
Nuk ka gjurmë që i nëpërkëmbë koha.
Ngado që shkojmë ato ngelen në një trajtë herë-herë të padukshme,
megjithatë janë ende aty.
Romani “Krom dhe luledele” i autores Elsa Skënderi vjen si mishërim i përjetimeve të një kohe, që duket se është një cikël që vazhdon edhe sot. E djeshmja, që sillet sa e largët aq edhe e afërt, ndjeshmëritë që duket se e përforcojnë më tepër unin e luledeles së vogël, ngjyresa dhe stili mjaft i veçantë të kujtojnë dhe njëherë që hapësira, koha dhe këndvështrimi për botën mund të shihen qartë edhe nga sytë e një të vogle, që të bën të pyesësh veten: Kanë qenë vërtetë sy fëmije ato që kanë parë kaq qartë? Ndonjëherë duket sikur luledelja është rritur parakohe.
Në roman njihemi me të bukurën dhe të shëmtuarën, të mirën apo të keqen, të saktën dhe të gabuarën, koncepte që marrin dimensione në varësi të ndodhive. Ishte “keq” të nxirrje zë teksa trupi ishte nën dhimbjet e lindjes. E ëma e luledeles e solli në jetë në Qendrën Shëndetësore të Gjoricës duke i shpëtuar dramës së madhe me gjinekologun, që i ngjasonte një njeriu të tërbuar dhe të pashpirt.
Gra të shtypura, ca mendje të ngushta (pa kurrfarë formimi), që ishin çdoherë nën patronazh të burrave të tyre fuqiplotë kishin zë vetëm për gjykime (raste vdekjesh, komente veshjesh, si qahet i vdekuri), megjithatë pas tyre ishte një dëshirë e fortë për të dashur dhe për t’u dashur.
Një strehëz pranë fushës plot e për plot me luledele që e lidhte me Zotin, një topikë për t’i shpëtuar grisë së botës dhe për t’u endur në qiellin me pambuk. Ky raport i brendshëm që del në sipërfaqe në një formë krejt të veçantë, edhe pse të qeshurat e kushërirës së vogëlushes që i thoshte se kishte parë një antenë televizori nuk ia bjerrin idenë e ekzistencën së tij, qetësinë që i falte dhe sigurinë po ashtu.
E bardha e lules vjen në formën e të njomës, të brishtës e të dashurës. Jo pa qëllim është përzgjedhur luledelja. Çdonjëri nga ne ka kujtime me lulen e vockël të fushave, që gjithmonë ka shërbyer për të thurur kurorat e dëshiruara. Simbolika e saj në roman prek edhe të bardhën e shpirtit të autores, që nga faqja në faqe na tërheq me një ledhatim që nuk rresht së ndaluari deri në fund.
Xixat e kromit duket se i japin shkëlqim kohës së errët dhe Bulqizës. Sipas antropologëve, historianëve etj. guri është simbol i pandryshueshmërisë, qëndresës dhe identitetit. Edhe në këtë roman shtrihet më tej kjo simbolikë duke mos harruar që për banorët e asaj kohe ishte një formë mbijetese grumbullimi i tij. Shkëlqimi i kromit jo rrallëherë të lë të nënkuptosh se xixa plot ngjyrë do të ndriçojnë jetën ose në thellësi të tunelit duket një dritë.
E bukura që jetonte bashkë me të voglën bëhet njësh me ndjeshmëritë e shpirtit. Buzëkuqi që hijeshonte buzët mishtore (ëndërr e të voglave që të lyhen që kur janë qumështore), fotoja e të panjohurës që e bënte të shihte përtej imazhit të fokusuar në letër, byzylyku me petale bojëqielli që e mbante të lidhur me miqtë, po dhe me të tërën, rreken të na afrojnë me të bukurën dhe kujtimet e së shkuarës që duam ta jetojmë përsëri.
Qëkur jemi të vegjël ne afeksionohemi me seksin e kundërt. Tërheqja për tjetrin sidomos në fëmijëri të sikletos, por edhe të bën të guximshëm për të biseduar e për ta njohur pak më tepër atë. Lisi në “Krom dhe luledele” vjen si mirazh i një vogëlushi (që duket ndonjëherë edhe si i madh) i përplotësuar, i pashëm dhe intelektual. Ai lexonte dhe bëhej kureshtar. Kishte një sjellje të matur, pavarësisht se ishte i vogël.
Dashuria si një ndjenjë e pakufishme, si fuqi ekzistenciale, si trajtë e pathyeshme vjen përmes ditarit anonim që luledelja gjen rastësisht në teqe. Shkrim i rrjedhshëm dhe i ndjerë që shpërfaq çdo përjetim të shpirtit duke lënë një shije të paprovuar më parë nga lexuesi. Ndoshta historia e tyre kërkonte bekim për vazhdimësi. Në kohën e teknologjisë, ato faqe për ndjenjat e thella vijnë si shërim për ata që na duhet të lëmë një ditë.
Në fillim ne e pamë gjithçka të lidhur, tamam sikur të ishte një cikël, në fund luledelja, tanimë e madhe kthehet sërish në Bulqizë, ecën në po të njëjtën rrugë, ia shpupurit flokët, po e njëjta erë, mban në duar kromin me xixa dhe gjen atë paqen e kërkuar. Asaj i duhej të shkruante për të gjitha këto kujtime, që zgjojnë te çdo lexues dëshirën për të gjetur veten, për t’u kthyer edhe njëherë tek e shkuara, për të dashur më tepër jetën.