Vetëm pak ditë më parë në kinematë shqiptare,

u publikua premiera e filmit “Balkan blood”,

një realizim shqiptaro-kinez që rezultoi mjaft i suksesshëm. Një nga aktorët protagonistë, Klodian Hoxha duket mjaft i kënaqur nga pritja që i është bërë filmit. Ai vjen në një rrëfim të këndshëm për Intervista.al duke prekur jo vetëm të tashmen e të ardhmen e tij në fushën e aktrimit, por edhe për të mësuar pak më shumë rreth aktorit të teatrit e filmit shqiptar. Një intervistë që unë e kam shijuar në çdo rresht të saj, uroj ta bëni edhe ju…!

Fabjola Kuburi:- Klod, “Balkan blood” është një ndër filmat më të rinj ku ti ke rol protagonist… Si u gjende në këtë pjesëmarrje?

Klodian Hoxha:- Përshëndetje edhe faleminderit për intervistën! Po, është premiera më e re në të cilën pata fatin që të jem pjesë edhe jam shumë i lumtur për këtë, unë u bëra pjesë i këtij filmi pas një takimi me producentin e filmit Blemir Dervishaj pasi u takuam edhe folëm gjerësisht se si do zhvillohej filmi u takuam edhe me regjizorin, u shpjegua skenarin dhe më ofruan rolin e Charlsit. Unë pranova edhe u bëra pjesë e këtij grupi fantastik.  Për mua ka qenë një eksperiencë e bukur edhe tani po shijojmë suksesin e tij në pritje për një vazhdimësi të projekteve pasardhës.

-Ajo që të goditi sapo lexove skenarin…

– Në momentin e parë që lexova skenarin mendova se si ekzistojnë akoma këta njerëz parazitë që ushqehen me djersën e njerëzve të ndershëm me pak fjalë situatë që ballkani ndodhet akoma, ku i afti nuk vlerësohet edhe të paaftët edhe kriminelët lulëzojnë. Skenari me intrigoi edhe kisha shumë dëshirë që të shihja si do realizohej dhe materializohej e gjithë ajo ide. Besoj se arritëm të bëjmë diçka të bukur!   

– Çfarë ka qenë impresionuese në punën me aktorët kinezë?

– Ka qenë një bashkëpunim i frytshëm, ne kemi dhënë eksperiencat tona atë të tyret.

– Tani që filmi është shfaqur disa herë, çfarë të jep mbi të gjitha kënaqësi?

– Po tani janë komentet e njerëzve, miqve etj që më flasin për filmin, për skenat se si janë realizuar edhe për eksperiencën në përgjithësi.

– Në këte vorbull problemesh politike e sociale, a është teatri dhe kinemaja një mënyrë për të gëzuar e mbushur shpirtin?

– Po, absolutisht edhe sikur politikanët shqiptarë të shihnin pak më shumë teatër edhe ndonjë film do ishin më të dashur edhe më të përkushtuar për pupullin e vet edhe jo të sillen me të siç janë sjellë gjithë këto vite sepse ne jemi një popull i zgjuar edhe i bukur e nuk i meritojmë këta njerëz që kemi në krye. Minimalisht të mendojnë 1%  për ne edhe ta siguroj që ne do jemi më të lumtur.

– Impenjimi yt që ke aktualisht në duar ka të bëjë me teatrin apo film përsëri?

– Per momentin kam shumë pune edhe s’e di sepse më kanë dalë edhe pushimet jashtë parashikimeve! Sapo të mbyll shfaqjen e “Balkan blood” jam në një premierë tjetër filmike “Internment” që pritet të dalë këto jave në kinemat shqiptare pas kësaj jemi në Vienë Indipendent film festival me këtë film përsëri në konkurim pas këtij në pritje,  një premierë tjetër filmike të filmit “Njeriu me këmishë” që besoj se do e ketë premierën në korrik ndërsa përsa i përket punëve të reja! Jam në pritje të fillimeve të xhirimit me një film tjetër që për momentin nuk po e bëj të ditur por në korrik filloj xhirimet edhe jam në diskutime për 2 projekte të tjera në gusht-shtator që edhe për to do prononcohem së shpejti! Me pak fjalë kam një vit shumë aktiv edhe gjej rastin të falënderoj të gjithë bashkëpuntorët e mi për besimin edhe mbështetjen!

– Për një aktor, është e lehtë shkëputja nga auditori?

-Nuk është fare e lehtë se ne për atë jemi këtu ku jemi, ata na motivojnë edhe na karikojnë edhe pa publik dhe pa mbashtetjen e tyre ne do ishim disa qënie inekzistente. Shkurt, ata janë shpirti jonë.

– Ç’rol luan kamera dhe cili është ndikimi i saj mbi aktorin?

– Kamera është ndryshe syri i Zotit, është ajo që e shikon gjithë situatën e të gjithë ngjarjen ku zhvillohet aksioni. Aktori duhet të ketë një marrëdhënie të mirë me të sepse po nuk e deshe kamerën as ajo nuk të do edhe po nuk të deshi ajo s’ke për t’u bërë ndonjë herë aktor filmi, (qesh) them kështu sepse filmi është ndryshe nga teatri, ka teknika të ndryshme që do të thotë që ka aktorë shumë të mirë teatri që nuk rrinë mirë në film.

– Sa krijues mund të jetë aktori brenda limiteve të tij?

– Aktori jeton me rolin e mishëron atë, një karakter të ri kur e merr e studion edhe e sjell afër vetes se tij edhe gjen të përbashkëta me rolin e fillon e zhvillon atë, përsa i përket limiteve nuk është se ka gjë të përcaktuar sa është limiti për të realizuar një rol atë mund t’a realizosh shumë thjesht ose mund të të hajë shumë kohë edhe prap nuk e ke kuptuar aq sa duhet. Gjithsesi, profesioni jonë është gjithmonë në kërkim të gjërave të reja.

– Më mirë spektator apo aktor i jetës?

-Më mirë aktor se e luan jetën si të duash sesa spektator të presësh çfarë do të servirin të tjerët…

– Cili ka qenë personazhi që ta ka bërë të vështirë ndarjen me të?

– Me të gjitha rolet kam pas vështirë të ndahem sepse ka qenë krijesa ime edhe i kam ndërtuar me dashuri edhe përkushtim po ç’ti bësh jeta e aktorit është e padrejtë ka shumë dashuri shumë urrejtje edhe që kështu po presim për dashurinë e radhës “rolin”(qesh)

– Përpiqesh, e dëshiron të qenit popullor?

– Më pëlqen sepse nga populli vij edhe  jam një njeri i thjesht që e dua këtë profesion, bëj një jetë normale edhe kërkoj më shumë tek vetja.

-Gjërat më të bukura në jetë; ose janë të pamoralshme, ose janë të paligjshme, ose të shëndoshin… Ti, cilit prej këtyre efekteve u druhesh? 

-Gjërat më të bukura në jetë vijnë nëse e jeton jetën ashtu si të  vijë, me të mirat edhe të këqijat e saj, duhet të jesh njeri i fortë edhe të mos mendosh si do dukem apo si do e presin njerëzit këtë gjë!  Duhet të jetosh jetën, gjithmonë duke pasur respekt per veten sepse jeta është e shkurtër edhe nuk ka kohë për filozofi.

– Çfarë është për ty e pabesueshme dhe çfarë, e pamundur?

– Në fjalorin tim nuk ekzistojnë këto dy fjalë sepse nuk ka gjë që po nuk iu përkushtove edhe nuk e arrin. Gjithçka varet nga vullneti edhe dëshira që ke për t’a arritur atë gjë.

– Është më efektive ta shërosh shpirtin me anë të trupit apo trupin, me anë të shpirtit?

-Shpirti është ai që vë në lëvizje fizikun dhe po nuk ishe mirë shpirtërisht atëherë të rroftë kabina që ecën.(Qesh)

– Çfarë ta ngacmon fantazinë?

–  Ta kishim bërë këtë intervistë kinezçe…!(Qesh)

– Duhet konsideruar defekt, mungesa e kuriozitetit?

 – Në të dyja rastet defekt është, por duhet sensi i masës për çdo gjë…! Përshembull unë hyj tek tipat kurioz dua të di çdo gjë edhe kjo mbase i bezdis njerëzit po ç’ti bësh më mirë të dish sesa mos dish…!(Qesh)

– Çfarë të bën njeri më të mirë?

– Kur rrethohet me njerëz të mirë…

– Besnikëria është virtyt apo mungesë imagjinate?

– Normale që virtyt sepse o e ke o s’e ke por mendoj që është gjëja më e çmuar që ka një person se që aty fillon edhe ndërtimi i karakterit.

– Çfarë të mban zgjuar deri në orët e vona?

– Kur hyn ndonjë mushkonjë në shtëpi (qesh)…Jo, me gjumin jam mirë sepse nuk i kam borxh askujt po nëse mbetem pa gjumë ndodh për shkak të ndonjë rol të ri edhe premierat e tyre, që do të thotë se kam për të pas netë të gjata këto kohë.(Buzëqesh)

– Cilat janë saktësisht gjërat ku gjen kënaqësi?

-Më pëlqen shumë të udhëtoj të shoh vende të reja, kultura të ndryshme, të takoj njerëz të rinj duke qenë se ta thashë që jam edhe kurioz si natyrë(Qesh)

– Kur shpreh ndjesi nëpërmjet fjalëve, ndjen të zbrazesh apo të mbushesh shpirtërisht?

– Varet në çfarë konteksti i përdor, përshembull nëse ti i shpreh dashurinë dikujt edhe të refuzon ti zbrazesh nëse t’a pranon ti mbushesh shpirtërisht.

– Do t’ia shisje shpirtin djallit në këmbim të rinisë së përjetshme?

-Jeta prandaj është e bukur sepse është e shkurtër se po te ishte e gjatë nuk do kishte kuptim por unë po mundohem ta jetoj në mënyrën e duhur edhe deri tani nuk jam pishman për asgjë.

– Flokët e gjatë dhe mjekra kanë ndonjë fuqi mistike mbi ty?

– Me këto çmime tani dhe këto rroga berberi është bërë luks! (Qesh) Bëj shaka, mua më pëlqen luku i momentit por me periudha sa të më mërzitet do i heq.(Qesh) Kjo puna e flokëve me ne aktorët lidhet edhe me profesionin sepse do duhet një rol me flokë të gjata i ke flokët gati, kështu që jam i justifikuar.(Qesh)

– Je djali që e përqafon të renë në çdo kuptim apo je më i dhënë pas së vjetrës?

– Normale që e përqafoj të renë sepse duhet ecur përpara e jo të mbetemi me të kaluarën, të bëhemi nostalgjikë. Nuk të thotë njeri si ke qenë por si je apo jo?! (Buzëqesh)

– Gabimi më i bukur që do ta përsërisje pa frikë?

– Të gjitha gabimet që kam bërë deri tani sepse nga ato kam mësuar shumë edhe më kanë bërë më të fortë.

– Cila është pyetja që nuk ta kam bërë akoma?

– Sa e ke rrogën? (Qesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *