– Unë Velina (kështu po e quaj veten), ju përshëndes.
Jam e huaj dhe flas shqip, por pak me vështirësi.
Dua mendimin tuaj.
U lidha me një djalë shqiptar që e njoha në vendin tim, s’po e them për arsye sekreti se kam frikë. U dashurova marrëzisht pas tij dhe e ndoqa në Shqipëri, se më premtoi se do martohemi, por ma bëri zemrën copë-copë kur më kërkoi të bëhesha kërcimtare nate në një pab që e kishin shokët e tij. Nuk di si të veproj, ai më thotë “thjesht do kërcej dhe do marrim lek të madh e do ndërtojmë shtëpinë dhe familjen tonë”, por unë nuk dua ta bëj këtë punë, sepse s’më pëlqen. Ai më thotë: “Nëse nuk e bën, kthehu në vendin tënd, s’të dua më, sepse nëse më do, e bën”. Ju, si më thoni të veproj? Jam shumë e vrarë në shpirt… Të rikthehem në vendlindje, apo të bëj këtë punë për të dashurin?
– Të kishe ikur një orë e më parë! Cili është ai që të do dhe të vendos përballë kësaj zgjedhjeje? Apo cili mashkull shqiptar do donte të shihte gruan e tij duke kërcyer në Night Club që t’i servilosen qindra meshkuj të tjerë? Bëj atë që nuk e bëjnë dot vajzat shqiptare nëpër rrugët e botës, të cilat përfundojnë nëpër kanale të masakruara. Ik prej tij. Eli
– Dashuria nuk vë kushte, “bëj këtë që të jesh me mua”… Nëse s’të pëlqen diçka, s’ke pse sakrifikon dëshirat e tua për një mashkull. Pastaj, me shqiptarët vajte u ngatërrove ti? Gjej një të vendit tënd që ju përputhen mentalitetet. Lira
– Thuaji të çojë motrën apo mamin e vet. Mos bëj gabim të pranosh, denoncoje atë palo mashkull! Ina
– Po ç‘dashuri ka ai për ty?! Ai të dashka për interes dhe ti të bëhesh makina që prodhon lekë për qejfin e tij! Klaudia
– Kthehu në vendin tënd sa më parë, se ky djalë nuk të do, por do të pasurohet me trupin tënd. Leonardi
– Kthehu në vendlindje. Po të të donte djali nuk të detyronte, “ço mamin tënd”, i thuaj. Agroni
– Vajzë, kthehu në vendin tënd se do të jesh më mirë atje. Shkëlqim
– Kthehu në vendlindje një orë e më parë. Eva
– E çuditshme për një djalë shqiptar, por për mendimin tim s’ia vlen, kështu që më mirë kthehu sa je në kohë. Për mua, nuk të do! Rudina
– Kërkon një mendim, që të lë të kuptohet se nuk e ke ndarë mendjen. Një burrë i vërtetë nuk shfrytëzon ose përdor gruan e tij. Shumë goca janë gënjyer në këtë mënyrë. Është e lehtë pastaj të bësh vizita në hotel. Nëse nuk do, ik në shtëpi, nëse nuk të lë të lirë, bëji një telefonatë policisë dhe ia gjen vendin atij. Kalofsh mirë. Irvani
– Nëse do që të shkosh drejt ferrit vazhdo të rrish. Nëse do të fillosh një jetë të re normale, kthehu në vendlindje dhe quaje këtë një eksperiencë të hidhur. Jetoni
– Lëre fare, ndahu prej tij dhe gjej një njeri më të mirë që të shikosh jetën tënde. Një person që ta punon në këtë mënyrë, nuk ke ç’e do. Ardi
– Ti një ditë do të kthehesh, sipas mendimit tim, si dhe lexuesve të tjerë që kanë shkruar më sipër. Prandaj, ose kthehu në kohë, ose gjej një djalë tjetër të sinqertë familjar në Shqipëri. Mos humb kohë me tipa të tillë. Duhet ta kishe marrë këtë vendim pa pyetur asnjë njeri, mos humb kohë, largohu sa më shpejt. Teki
– Një maskara si ai nuk e meriton as dashurinë tënde, as dashurinë e ndonjë femre tjetër e vendi më i përshtatshëm për të e për njerëzit e tij që duan të pasurohen duke shfrytëzuar femrat, është burgu. Toka.
– Një person, në qoftë se të do, të do pa kushte, ashtu siç je, ndaj largohu tani sa nuk është vonë, sepse pastaj do gjesh belanë. Të uroj fat në jetë! Çimi
– Ti e dashuron atë, por ai njeriu i ulët nuk të dashuron ty. Kështu, shumë femra përfundojnë keq, por ti largohu nga ai sa je në kohë. Respektoje e vlerësoje veten e mos lër askënd të të shkelë me këmbë. Tjetër gjë është ta duash një njeri e tjetër gjë, ta lejosh të të përdorë sipas interesit të tij, kundër dëshirës tënde. Ai do të të përdorë si makineri lekësh e pastaj të martohet me tjetër se, po të të donte ty, ai të respektonte si femër e nuk të përdorte në një mënyrë kaq të ulët. Ai do që të pasurohet duke të shfrytëzuar ty në këtë mënyrë të ulët. Mos i hyj një rruge, për të cilën më pas do të bëhesh pishman. Në të ardhmen, ndoshta do ta gjesh ndonjë që do të të respektojë ty, si duhet d mos humb kohë me kohë me atë maskara. Toka