Kosovë – Bullizmi;
braktisja e shkollës; përkrahja e fëmijëve me aftësi të kufizuara;
hapësirat kreative për të moshuarit,
të rinjtë e fëmijët; por edhe ndërgjegjësimi për jetë të shëndetshme janë vetëm disa ndër 20 nismat komunitare që të rinjtë e grupmoshës 18-25 vjeç kanë ndërmarrë në 6 komuna të Kosovës.
281 të rinj të grupeve SKYE në Kosovë finalizuan sot angazhimin e tyre prej më shumë se 1 viti pune intensive në kuadër të projektit “Rritja e Integrimit Socio-Ekonomik e të Rinjve të Kosovës-SKYE” që implementohet nga organizata World Vision, dhe financohet nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).
Pas pjesëmarrjes në klubet SKYE, 97.6% e anëtarëve kanë pohuar se janë më të orientuar për të ardhmen e tyre në tregun e punës.
Të rinj nga Gjakova, Ferizaj, Malisheva, Mitrovica, Vushtrria dhe Graçanica janë organizuar në 10 klube SKYE, të udhëhequr nga 22 facilitatorë në katër shtylla kryesore: punësim, qytetari aktive, lidership dhe ndërmarrësi sociale.
Sipas anketës së fuqisë punëtore, nga mosha 15-64 vjeç, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për 3-mujorin e katërt të 2018-ës, shkalla e papunësisë në Kosovë është 31.4%. Kurse shkalla më e lartë e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeç.
Projekti “Rritja e Integrimit Socio-Ekonomik e të Rinjve të Kosovës-SKYE” ka pasur në qendër rininë; fuqizimin e angazhimin e tyre si qytetarë aktiv, dhe çka është më e rëndësishmja pajisjen e tyre me aftësi për tregun e punës.
70.2% e të rinjve pjesëmarrës të klubeve SKYE, sot ndjehen të aftë të drejtojnë një biznes.
Mes tyre, dy nga vajzat pjesëmarrëse në projekt, Erza Kadrija dhe Marigona Hajrizi, kanë arritur të sigurojnë një vend pune edhe falë njohurive që kanë marrë në klubet SKYE. Erza punon në organizatën YMCA; ndërsa Marigona pranë Agjensise së Statistikave të Kosovës. Në vijim, tre ide biznesi për çeljen e sipërmarrjeve sociale janë mbështetur nga programi SKYE dhe do të mentorohen edhe në vijim nga World Vision.
Zonja Elmazi në fjalën e saj tha: “World Vision ka nënshkruar dy marrëveshje; njëra me Ministrinë e Punëve dhe Mirëqënies Sociale dhe tjera me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ne duam të punojmë së bashku për të ofruar programe për zhvillimin e aftësive të fëmijëve dhe të rinjve: për të qenë qytetarë aktiv; për të rritur aftësitë për punësim dhe sipërmarrje; duke u fokusuar sidomos te ata të rinj të cilët kanë më pak mundësi në jetë. Ky program ka nxitur rritjen e vullnetarizmit te të rinjtë. 21 të rinj vullnetarë kanë punuar intensivisht gjatë periudhës së projektit për kurrikulën e SKYE duke dhënë trajnime për të rinjtë pjesëmarrës. Dy prej këtyre të rinjve kanë fituar çmimin e parë dhe të dytë nga Ministria e Kulturës si vullnetarët e vitit.”