Disa ushqime fermentohen në bark duke krijuar gazra që të fryjnë.

Të tjera, për fat të mirë, bashkëpunojnë me stomakun dhe zorrët për të evituar fryrjen.

Zbulo cilat janë këto dhe si t’i futësh në dietën tënde.

Përsëri ndodh e njëjta gjë: Pantallonat nuk mbyllen dhe ti ke ndjesinë se je rënduar, pa e tepruar shumë në të ngrënë. Ndjehesh e fryrë si tullumbace dhe do të doje të kishe një gjilpërë për të larguar nga trupi ajrin e grumbulluar. Shpesh, arsyeja duhet kërkuar në zakonet e këqija ushqimore që shkaktojnë mbajtjen e ujit dhe kapsllëkun. Ja një përzgjedhje ushqimesh që të ndihmon të evitosh fryrjen, falë aftësive të tyre natyrale…

Kosi

Dihej se kosi ishte një aleat i mirë për tretjen dhe mirëqenien e organizmit, por ajo që mbase nuk di është se cilin lloj kosi të zgjedhësh. Nëse të gjithë përmbajnë substanca si laktobacili, bifidusi dhe acidofilusi, është e rëndësishme të zgjidhet ai që ka bakteriet (pozitive) më të gjalla. Përveç kësaj, është mirë të evitoni kosin me aroma dhe ëmbëlsues artificialë.

Uji

Marrja e lëngjeve, e ujit në veçanti, është e domosdoshme për të hidratuar organizmin, pra, për të evituar rrezikun e fryrjes, duke favorizuar tretjen e duhur të ushqimeve. Për të evituar praninë e tepruar të natriumit është mirë të pini ujë, sepse kështu evitoni fryrjen e stomakut. Më mirë pini ujë jo të gazuar, minimuni 8 gota në ditë.

Asparagët

Është një perime e këshilluar për dietat, sepse ka pak kalori dhe shumë fibra. Me një fjalë, të jep ndjesinë e ngopjes dhe ka aftësi të mëdha diuretike dhe pastruese, falë kaliumit dhe saponinës.

Fibrat

Fibrat janë të pranishme në perime si rrepat, rukola, finoku, etj, që përmbajnë edhe një sasi të mirë uji, me një fjalë, janë aleatët tanë në evitimin e fryrjes. Këshillohet të konsumohen duke ua shtuar sasinë gradualisht, për t’i dhënë kohë aparatit tretës të mësohet me ushqimet e reja.

Ananasi

Është një ushqim klasik që e njohin të tërë ata që bëjnë dietë. Ananasi është armiku numër një i mbajtjes së ujit nga organizmi, pastron, ndihmon punën e zorrëve dhe tretjen, falë pranisë së bromelinës. Konsumojeni, pra, sa më shpesh të mundeni.

Angjinaret

Ajo që i bën angjinaret të përdoren në dietën kundër fryrjes janë substancat nga të cilat janë përbërë, si inulina dhe fibrat, por, sidomos prania e cinarinës, që mbron mëlçinë duke ndihmuar tretjen dhe favorizuar veprimin laksativ. Angjinaret e ziera, të përzier me vaj e limon, aktivizojnë veprimin e veshkave.

Finokët

Janë ndër produktet kryesore diuretike që luftojnë fryrjen e barkut. Finoku i zier, ose i freskët, në formë sallate, lufton kapsllëkun falë sasisë së lartë të ujit dhe fibrave që përmban. Edhe proceset fermentuese të ushqimeve në stomak evitohen falë kësaj perimeje.

Luleshtrydhet

Ato janë të pasura me kripëra minerale dhe vitamina. Përveçse të shijshme, janë edhe freskuese e diuretike, pra, laksative, çhelmojnë dhe pastrojnë organizmin tonë.

Kivi

E dimë të tërë se përmbajnë një sasi të lartë vitaminash, por ato luftojnë edhe kapsllëkun, pasi janë të pasura me fibra dhe vitaminë C.

Papaja

Papaja, ky frut tropikal, përmban një enzimë të quajtur papainë, që ka një natyrë të ngjashme me enzimat e tretjes që prodhon pankreasi, që transformojnë proteinat në substanca ushqyese për trupin. Nëse ha një papaja në ditë, nuk do të kesh më probleme me tretjen!

Dietë kundër rënies së flokëve

Në disa periudha të vitit, flokët bien më shumë se zakonisht. Për të përballuar problemin, mund t’ju vijë në ndihmë edhe mënyra e të ushqyerit. Ja, këshillat e dietologes sonë:

Për të nxitur rritjen e flokëve, duhet të konsumosh:

–     Proteina (vezë, nënprodukte qumështi dhe fruta të thata).

–     Hekur dhe bakër (mëlçi, perime dhe fruta deti).

–     Kalçium (nënprodukte qumështi, perime jeshile, molusqe).

Për të patur flokë të shëndetshëm, duhet të konsumosh:

–     Vitaminë A (gjalpë, perime të verdha, vezë).

–     Vitaminë B (mëlçi, maja birre, drithëra).

–     Vitamina C (perime dhe fruta të freskëta).

Për të bllokuar rënien e flokëve, duhet të marrësh nga goja tableta me vitamina dhe kripëra minerale, mungesa e të cilave është faktori numër një i rënies së flokëve. Tabletat duhet të përmbajnë:

–     aminoacide thelbësore për sintetizimin e keratinës.

–     Minerale si kalçium, zink, hekur, bakër, selenium, magnez, ose vitamina (A, C, E, H)

Kujdes edhe në stilin e jetës

Një mënyrë të ushqyeri e papërshtatshme është pa dyshim e dëmshme për shëndetin në përgjithësi dhe flokët në veçanti. Ki parasysh se flokët mund të dëmtohen edhe nga një stil jete frenetik, nga një jetë sedentare, nga ndotja atmosferike, nga ekspozimi i tepruar në diell, nga përdorimi i ilaçeve dhe shtatzania.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *