Shtëpi e lyer me të bardhë

– E nderuar astrologe, kam parë në ëndërr sikur isha me një vajzë në një shtëpi të madhe, e lyer e gjitha me të bardhë.

Vajza u kërkoi leje disa personave dhe u tha: “Do martohem me këtë sepse e dua!”.

Ata u përgjigjën: “Qenka interesant!”. Pastaj, të dy dolëm në një metropol bashkë me shumë çifte të tjera dhe vazhduam rrugën. Çfarë kuptimi ka?

– Ëndërr shumë pozitive, pavarësisht dyshimeve që keni herë pas here në këtë lidhje që keni nisur në jetën reale. Besojini asaj çfarë ju është paraqitur kohët e fundit dhe mos kini frikë të shkoni më tej, aq më tepër nëse bëhet fjalë për personin e zemrës. Do ta keni të vështirë të hidhni një hap të rëndësishëm, por më pas do të ndiheni të çliruar dhe të qetë që e bëtë këtë gjë. Gjithçka do të shkojë shumë mirë për ju, pa asnjë lloj pengese.

Mace ngjyrë hiri

– Isha te shtëpia e gjyshes në fshat dhe ndodhesha vetëm në dhomë. Isha ulur dhe po shikoja nga dritarja, shikoja gjelbërim, por thosha me vete: “Pse nuk mund t’i gëzoj unë!”. Më pas, më erdhi pranë një mace ngjyrë gri. E mora në dorë e po e përkëdhelja dhe ajo më shikonte sikur më njihte prej kohësh. Aty u zgjova nga gjumi. Çfarë kuptimi ka, ju lutem?

– Shpesh, ngjyra e hirtë ose e thënë ndryshe, argjend, përfaqëson dëshpërimin. Në rastin tuaj, gjithçka nga jashtë ju duket shumë e bukur, por diçka brenda jush ju trishton shumë kohët e fundit dhe ju pengon të shijoni gjithçka që ju shfaqet. Macja, veç të tjerash, përfaqëson po veten tuaj që ka nevojë për përkëdhelje, për më shumë vëmendje dhe një shtysë të madhe që të dalë nga dëshpërimi e t’i gëzohet jetës. Pse nuk mund t’i gëzoheni jetës? Çfarë nuk shkon te ju? Përgjigjen mund ta jepni vetëm ju. Nëse nuk është shëndeti në mes, atëhere asgjë tjetër nuk ka rëndësi përpara qetësisë dhe lumturisë suaj. Thuajini vetes “mjaft” dhe dilni e jetojeni jetën; hidheni dëshpërimin tutje.

Puthje

– Kam parë në ëndërr sikur kërkoja të më puthnin me çdo kusht ose që puthja njerëz mbarë dhe pa i njohur. Di vetëm që isha si e etur për të dhënë puthje. Ju lutem, më thoni, çfarë parashikon kjo gjë?

– Ëndrra ka shumë kuptime, por në këtë rast, puthja është simbol i afërsisë dhe i intimitetit. Shpjegimi i saj varet nga shumë elementë. Është ëndërr që tregon për disa dilema që keni. Kujt dëshironi t’i qëndroni pranë? Thjesht, tregon që keni nevojë për afërsi, për lidhje shoqërore dashurore dhe jeni person mjaft i dashur e i ndjeshëm. Nuk ju pëlqen vetmia dhe angazhoheni gjithmonë për raporte të mira me të tjerët. Duhet të kini durim, nuk është momenti i duhur të krijoni një lidhje të ngrohtë sepse nuk jeni e qetë me veten. Është mirë që lidhjet të krijohen kur jeni e qetë shpirtërisht ose psikologjikisht.

Nusja e ish-të dashurit

– Kam parë në ëndërr nusen e ish-të dashurit tim, sikur babai i saj e la për pak çaste tek unë se i doli një punë dhe unë fillova të bisedoja me të, duke e pyetur nëse e donte burrin. Ajo m’u përgjigj: “Edhe po, edhe jo!” sepse asaj i pëlqente një djalë tjetër. Dy netë më parë pashë nënën e ish-të dashurit me nusen e tij, por nuk ishte ajo, por një tjetër. Ju lutem, më thoni, ç’do të thotë kjo?

– Kjo ëndërr do të thotë që ju nuk reshtni së menduari ditë e natë për ish-të dashurin tuaj. Nusja që keni parë në ëndërr jeni po ju, përballë vetes. Pra, si nusja, ashtu edhe ju, në ëndërr, jeni po ju. Ju jeni në luftë me veten. Herë mundoheni t’ia mbushni mendjen vetes që s’duhet të mendoni më për të dhe herë e dëshironi shumë. Gjithashtu, edhe ish-i dashuri ju mendon dhe është penduar që është martuar, por kjo duket një lidhje e pamundur. Në të ardhmen, ju do të përpiqeni të rilidheni, por do t’ju dalin pengesa të shumta. Sipas ëndrrës, lidhja juaj duket e pamundur. Ne ju këshillojmë të reshtni së menduari për këtë djalë, të mos i hapni telashe vetes. Bëhuni egoiste, mendoni për diçka tjetër. Ai një ditë ju la dhe u martua, pra, nuk mendoi fare për ju, ndërsa ju vuani akoma. Ka djem beqarë sa të duash. Gjithë të mirat!

Në ashensor

– Kam parë në ëndërr sikur isha në ashensor dhe shtypa butonin e katit të tretë. Kur arriti në atë kat, ashensori filloi të lëvizte me një shpejtësi aq të madhe sa nuk arrinte të ndalonte derisa shkoi në çati; vetëm aty ndaloi. U zgjova nga gjumi.

– Ëndrra juaj tregon që duhet të bëni shumë kujdes ku e hidhni hapin këto ditë, pasi mund të përballeni me të papritura që mund t’ju trembin ose t’ju vënë para një problemi të panjohur për ju. Nëse ndodh që tashmë e keni hedhur atë hap, lërini ngjarjet të rrjedhin siç do ju vijnë sepse nuk keni çfarë të bëni. Është si puna e gripit që, sado të mundohesh ta ndalësh, do ta bëjë punën e vet. Vetëm të jeni të sigurtë se pas kësaj do të ndiheni e çliruar dhe fati do të jetë me ju.

Isha shtatzënë

– Kam parë një ëndërr të çuditshme që më ka tronditur shumë. Sikur isha shtatzënë, megjithëse e dija që nuk isha e martuar. Ata të familjes sime nuk e dinin. Ndihesha në siklet, sepse edhe pak dhe barku do më dukej. S’dija ç’të bëja; t’ua thoja apo të fshihesha? Djalin me të cilin kisha ngelur shtatzënë, nuk e shihja në ëndërr. Doja ta kisha pranë, por s’e kisha dhe ndjeja dhimbje. Pranë kisha mamanë. Ajo më pyeti çfarë kisha dhe unë i thashë: “Jam shtatzënë!”. Për momentin, ajo u trondit. Pastaj fillova të ulërija nga dhimbjet dhe mami më çoi në spital, ku e abortova fëmijën. Qaja me dënesë, ndërsa mami më qëndronte pranë dhe më thoshte: “Duhet të më kishe thënë moj bijë”. U zgjova duke qarë…

– Ëndrra paska qenë vërtet e trishtueshme. Më vjen keq, por më duhet t’ju them që kjo ëndërr nuk paralajmëron situata të këndshme për ju. Përgatituni shpirtërisht sepse do të ketë një thyerje në marrëdhënien tuaj. Fëmija që keni humbur në ëndërr është dashuria juaj, që do të marrë fund. I dashuri do t’ju braktisë. Fillimisht, do të ndiheni keq, por do ta gjeni mbështetjen shpirtërore te mamaja. Gjithçka do të qartësohet, do të çliroheni dhe do të ndiheni mirë sepse do ta kuptoni që është më mirë të flasësh hapur me njerëzit e shtëpisë sepse ata janë të vetmit që mund t’ju ndihmojnë për të dalë nga situata e vështirë. Ne urojmë që asgjë nga këto të mos ndodhë dhe ëndrra të ngelet vetëm ëndërr.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *