Nëna ime po jepte shpirt
– Para dy netësh, kam parë një ëndërr shumë të trishtuar; sikur m’u shfaq nëna ime dhe më tha se po jepte shpirt, do të vdiste.
Unë, nga dhimbja e madhe që ndjeja, qaja me dënesë, ndërsa ajo po jepte shpirt.
Ju lutem, më thoni sa më shpejt ç’do të thotë, se jam në ankth. Luljeta.
– E dashur Luljeta, vërtet ëndrra të tilla janë shumë të trishtuara, por jo domosdoshmërisht kanë të njëjtin kuptim edhe në realitet. Ëndrra tregon që nëna juaj do të ketë jetë të gjatë, ndërsa ju, nëse keni ose nëse ju lind ndonjë problem papritur, do ta zgjidhni atë shumë shpejt. E qara që keni parë në ëndërr, përfaqëson një gëzim në jetën reale.
Fushë me grurë
– E nderuar astrologe, në datën 16, kam parë këtë ëndërr: Sikur isha në një fushë me grurë i cili ishte i pjekur dhe gati për korrje. Papritur, ra një zjarr me ngjyrën e tij karakteristike, por mahnitëse. Më pas, sikur shkova në bankë për të lidhur një kontratë. E sqarova personin që kontrata do të lidhej siç doja unë dhe ashtu u bë. Më pas, po sistemoja disa pako me lekë, në mënyrë të rregullt. Në paketim ishin edhe pjesëtarët e familjes sime. Faleminderit, nga X.
– Ëndrra juaj tregon që do të keni përmirësim të gjendjes financiare. Projektet që keni, do t’ju ecin dhe, pavarësisht pengesave, do t’ia dilni mbanë. Gruri në ëndërr, përgjithësisht, përfaqëson fitimet, suksesin dhe kënaqësi shpirtërore. Këtë e lidh edhe me zjarrin që keni parë menjëherë pas grurit, i cili po kështu, paralajmëron fitime dhe mbarësi në anën profesionale, ekonomike dhe atë private, personale. Gjithë të mirat!
Shenja kafshimi
– E nderuar astrologe, kam parë në ëndërr veten time poshtë shtëpisë së ish-të dashurit. E shihja nga larg dhe nuk i flisja. Në një moment, ai erdhi, më mori në krahë dhe më futi në shtëpinë e tij, duke më puthur. Më vonë unë ika, ngrija bluzën dhe shihja në bark shenja dhëmbësh, si shenja kafshimi. Do të doja të dija, çfarë kuptimi ka kjo ëndërr? Ju lutem, më ktheni një përgjigje këtë javë!
– Ju jeni akoma e lidhur shpirtërisht dhe mendërisht me ish-të dashurin. E mendoni kaq shumë, saqë shpeshherë imagjinoni vërtet atë që keni parë në ëndërr. Në realitet, nuk e pranoni që ju vazhdoni ta mendoni, por thellë brenda shpirtit tuaj e dëshironi sërish dhe kjo shfaqet fare mirë te shenjat që keni parë në bark. Ju ndjeni nevoja fiziologjike dhe gjithçka e lidhni me ish-të dashurin. Nga ana tjetër, ka njëfarë telepatie midis ju të dyve; ka shumë mundësi që t’ju ketë ëndërruar edhe ai, në një moment dobësie që ka pasur, por kjo s’do të thotë që dëshiron vërtet të kthehet te ju. Ëndrra ju sugjeron t’i hidhni sytë tek ata që ju qëndrojnë pranë.
Më vuri unazë floriri
– Përshëndetje! Jam një çun që kam parë në ëndërr sikur një vajzë e vogël rreth moshës 1 vjeçare erdhi në shtëpinë time dhe më vuri një unazë floriri në gisht. Ishte me gur. Çfarë do të thotë kjo ëndërr?
– Do të keni të reja interesante në të ardhmen. Me pak fjalë, unaza e floririt e vajza janë disa projekte tuajat që do t’jua shpërblejnë mundimin që keni bërë. Në jetën tuaj do të keni lajme të reja interesante dhe që premtojnë jetëgjatësi në kohë. Edhe ato që s’i kishit menduar të realizueshme, do t’ju realizohen, thjesht, besojeni këtë që po ju them.
Te shtëpia e gjyshes
– Jam shumë e mërzitur sepse kam parë në ëndërr sikur shkova në fshat, te shtëpia e gjyshes sime që ka vdekur dhe më mungon shumë. Atje shkova në çdo cep të shtëpisë dhe nuk ngopesha duke e parë, aq shumë nostalgji kisha për të. Hipa në çati, prekja muret, m’u kujtua fëmijëria ime dhe fillova të qaja me dënesë. Shtëpia ishte komplet bosh. Ashtu, me lot në sy, u zgjova nga gjumi. Ju lutem, më thoni ç’do të thotë se jam shumë e trishtuar. Bona.
– E dashur Bona, shtëpia, siç e kam thënë edhe herë të tjera, tregon për personin që e ka parë. Shtëpia është trupi juaj, ndjenjat, karakteri, shpirti juaj dhe gjithçka që ka lidhje me ju. Jeni në një gjendje të trishtuar, siç e keni përceptuar edhe vetë, ndoshta sepse pas festave ju mungojnë pikërisht njerëzit më të dashur dhe një ndër ta është edhe gjyshja juaj. Fakti që keni shkuar te shtëpia e gjyshes, tregon që keni prirjen që herë pas here ta ktheni koken pas, përsa u përket shumë gjërave në jetë. Ju mundoheni t’i analizoni dhe njëkohësisht, ndjeni shumë mall. Jeni person shumë emotiv, ju pëlqen të ecni përpara, por shpesh ndiheni e lodhur dhe ktheni kokën pas, sidomos në kohën e fëmijërisë, pasi kjo duhet të ketë qenë pjesa më e lumtur dhe pa vështirësi e jetës suaj. Veç kësaj, ëndrra tregon që thellë brenda jush, kërkoni një lloj ndihme, mbështetje, ngrohtësi, por nuk dini ku ta kërkoni apo ta gjeni sepse s’keni besim tek askush. Më pas, përplaseni duke e kthyer kokën te gjyshja që ju mungon shumë sepse ajo përfaqëson besimin, ngrohtësinë dhe dashurinë që ju po kërkoni, por që nuk e gjeni asgjëkundi. Kjo s’do të thotë të trishtoheni, pasi shtëpia bosh, jo domosdoshmërisht, tregon trishtim, përkundrazi, tregon pikënisje të reja, fillim të ri dhe tregon që shumë shpejt do të mbushni një shtëpi të re. Lotët që keni parë janë ngushëllim. Parashikohen kohëra të mira dhe të gëzueshme.