Nuk e di nëse ai është vuajtja apo lumturia ime!
Ishte e martë dhe prisja një telefonatë nga ai.
Telefonin e kisha vendosur pranë vetes dhe ia kisha ngulur sytë,
pasi mezi po prisja të binte zilja, por atëhere kur e pret më shumë diçka, ajo nuk vjen.
Me Fatjonin u njoha që në vitin 2006. Ishte një njohje rastësore. Ndodhi që të dy ishim të ftuar diku dhe Fatjoni më kishte vështruar gjatë gjithë kohës, ndërsa unë as që e kisha vënë re, deri kur ai erdhi vetë dhe më foli. Isha bashkë me motrën dhe ajo filloi të fliste me të. Ai erdhi drejt nesh, u prezantua dhe më ftoi që të pinim diçka. Dridhej i tëri kur ishte përballë meje. Nuk dija si t’i përgjigjesha asaj ftese, nuk doja ta pranoja, por e pranova dhe kjo ndodhi krejt instiktivisht. Ndoshta më erdhi keq që po dridhej ashtu dhe ishte shumë në siklet gjatë gjithë kohës. Filluam të dilnim disa herë dhe po e njihnim më mirë njëri-tjetrin. Ai ishte shumë i çuditshëm sepse edhe më telefononte shpesh, por ndodhte edhe që të mos më telefononte me ditë të tëra. Nuk dija ç’të mendoja! Po e bënte këtë që të tregohej indiferent dhe të më tërhiqte më shumë pas vetes, apo mua më kishte thjesht sa për të kaluar kohën? Kaluan disa muaj, u bënë tre vjet dhe ne nuk po takoheshim më fare. As unë nuk e kërkova sepse sapo e kisha njohur dhe nuk kisha ndonjë simpati të madhe për të. Një ditë mësova rastësisht se ai ishte lidhur me një vajzë adoleshente. “Të gjithë djemtë njësoj janë”, mundohej të më ngushëllonte shoqja ime e ngushtë e cila dinte gjithçka rreth historisë sime. “Nuk më bën aspak përshtypje”, i thashë sepse vërtet nuk më bënte përshtypje. Gjatë atyre tre viteve që ai vazhdonte lidhjen me atë vajzë, unë vazhdova jetën time pa e vrarë mendjen për të. Nuk doja të dashurohesha sepse kisha dëgjuar nga miket e mia që vetëm kishin vuajtur. Ndihesha mirë ashtu siç isha! Shoqet habiteshin me mua që isha ende beqare, madje e kisha marrë me frikë takimin me to sepse çdo herë më bënin të njëjtën pyetje. Ato kishin vendosur që të më njihnin me patjetër me një djalë. Unë nuk e kisha problem të qëndroja pa një mashkull në krah, madje ndihesha më e lirë kështu, por fati deshi që të takoja përsëri Fatjonin disa herë, rastësisht, në vende të ndryshme. Unë i shmangesha sepse e dija që ishte i lidhur, por ai tentonte të më afrohej dhe të më fliste. Një ditë, kur po kaloja në rrugë, shoqja që ishte me mua më tha se dikush po më thërriste sepse unë nuk kisha dëgjuar asgjë. Ktheva kokën dhe pashë Fatjonin që kishte nxjerrë kokën nga makina e tij dhe po më buzëqeshte. Në fillim vetëm e përshëndeta, por ai më ftoi të pinim diçka. U çudita sepse e dija të lidhur! Megjithatë, pranova dhe mora edhe shoqen me vete. Ai dukej që ishte shumë në siklet e unë, po ashtu. Nuk flisnim, vetëm shiheshim në sy. Mirë që ishte shoqja ime ajo që e thyente paksa heshtjen duke folur herë pas here. Që pas asaj dite, ai vazhdoi të më telefononte e më ftonte për të dalë, por unë e refuzoja sepse nuk e shihja ashtu siç ai më shihte mua, ose më saktë, mendoja se me mua dilte sa për të kaluar kohën apo për të harruar ish-të dashurën e tij.
“Jam ndarë me të sepse erdhi një moment që kjo lidhje e humbi kuptimin e saj”, më pati thënë kur më foli për të, por unë vazhdoja të mos u besoja fjalëve të tij sepse nuk kishte arritur të më bindte ende që kërkonte diçka serioze me mua. Ai sapo ishte ndarë dhe ndoshta kërkonte ngushëllim te vajza e parë që i dilte para. Por, ndoshta Zoti e kishte shkruar që ne të ishim bërë për njëri-tjetrin sepse ndodhte përsëri të takoheshim rastësisht. Shpesh ishim të ftuar në të njëjtat vende dhe Fatjoni më afrohej gjithmonë, më fliste dhe donte të qëndronte me mua. Njëkohësisht, ai vazhdonte të shoqërohej edhe me vajza të tjera. “Ti nuk je akoma e imja dhe deri atëhere unë nuk mund të qëndroj larg çdo femre”, më thoshte kur diskutonim tema të tilla. “Kur ne të dy të jemi bashkë, do ta shohësh që do të të përkushtohem vetëm ty”. Fjalët e tij më dukeshin fjalë boshe sepse edhe ata që e njihnin, më thonin se ishte djalë shumë i mirë, por i pëlqenin shumë femrat. Preferoja që më mirë të mos nisja një histori me të sesa më pas të lëndohesha, por sa më shumë e largoja, aq më shumë më afrohej ai.
“Dua të të njoh sepse më dukesh vajzë shumë e mirë dhe më tërheq shumë”, më thoshte ai. Pranova të dilja më të disa herë. Ne kishim vërtet një tërheqje mes njëri-tjetrit; sa herë takoheshim, sytë na shkëlqenin dhe nuk flisnim shumë, si dhe na dukej sikur e njihnim njëri-tjetrin prej kohësh, por unë gjatë gjithë kohës kisha frikë se ai mund të kthehej tek ish-e dashura e tij. Pak nga pak, fillova ta pëlqeja dhe të më hynte zemër. E kapja shpesh veten teksa mendoja për Fatjonin gjatë ditës. Fillova të isha unë tani ajo që i telefononte dhe e ftonte për të dalë. Takim pas takimi, ai nisi të bëhej shumë i rëndësishëm për mua, por pikërisht atëhere kur Fatjoni e pa që unë fillova të interesohesha dhe afeksionohesha pas tij, nisi të bënte të vështirin. Nuk më telefononte më si më parë, nuk ishte aq i dashur sa ka qenë me mua. Edhe pse po ndodhte kështu, unë përsëri e pëlqeja gjithnjë e më shumë, madje fillova ta mendoja si njeriun e jetës dhe ndoshta ky ishte shumë gabim sepse atëhere kur i mendon gjërat në një mënyrë, ato dalin krejtësisht ndryshe. Ndodhte që takoheshim edhe një herë në dy-tre muaj apo vetëm disa herë në vit. Gjatë kohës që nuk e takoja, më mungonte shumë dhe sa herë që ia dëgjoja zërin në telefon apo e takoja, më dridheshin gjunjët. Isha shumë e emocionuar dhe kuptova se po dashurohesha me të, por atëhere kur ndjenjat e mia për të forcoheshin, Fatjoni më zhgënjeu shumë! Ai u kthye me ish-të dashurën e tij, ndërkohë që vetëm para pak ditësh, kishte dalë me mua. “Si guxon? Nuk më ke treguar asgjë gjatë gjithë kësaj kohe që po mendoje të riktheheshe me të? Nuk dua të të shoh më!”, i thashë në telefon dhe që pas asaj telefonate kam vuajtur shumë. Ai nuk bëri as mundimin më të vogël që të më kthente telefonatën apo të paktën të më jepte një justifikim për atë që po bënte.
Kalonin ditë, javë, muaj dhe unë vazhdoja të vuaja e vetme, pa i thënë asgjë askujt. Nuk flisja me askënd dhe të gjitha i mbaja brenda. Vuaja me veten sepse nuk doja që t’u tregoja shoqeve që isha dashuruar, pasi ato më njihnin si femër të fortë që mund t’i përballoja ndjenjat. Qaja me veten dhe doja të mos e kisha njohur kurrë atë njeri që më kishte shkaktuar kaq shumë dhimbje! Pas gjithë atyre vuajtjeve, i vura qëllim vetes që ta harroja, ndonëse e kisha shumë të vështirë, por siç e thashë edhe më lart, Zoti ndoshta i kishte bashkuar fatet tona sepse pas tre muajsh mësova se Fatjoni ishte ndarë përsëri nga ish-e dashura. U bëra shumë kurioze për arsyen e ndarjes së tyre dhe mezi prisja që ta mësoja. Sapo e mësova këtë lajm, u gëzova shumë, por përsëri isha shumë e inatosur me Fatjonin. Nuk mund t’ia falja atë që më kishte bërë sepse nuk e meritoja. Jam sjellë gjithmonë shumë mirë me të dhe ndoshta për këtë ai po përfitonte dhe e humbi interesimin ndaj meje. Unë vendosa të vazhdoja jetën time dhe ta harroja Fatjonin. Pranova të dilja dhe të njihja djem të tjerë duke i dhënë mundësi të reja vetes. Ndodhte përsëri që të takoheshim rastësisht në vende të ndryshme dhe, edhe pse ai tentonte të më afrohej, unë largohesha.
“Nuk mund të bëj përsëri të njëjtin gabim”, i përsërisja vetes, edhe pse Fatjoni nuk më largohej nga mendja. U mundova t’i qëndroja sa më larg dhe gjatë tre muajve të pushimeve verore u largova në një qytet tjetër. Përsëri e mendoja! “Çfarë është ky njeri që nuk më del nga mendja?”, çuditesha. Fatjoni kishte lënë shumë gjurmë në mendjen e në zemrën time dhe tani, vështirë ta largoja. Çfarë marrëdhënieje kishte qenë ajo e jona? Ndoshta ai ishte shoqëruar me mua sa për të kaluar kohën dhe besoja fort në këtë. Më vinte shumë inat që po afeksionohesha pas një njeriu si ai, por nuk kisha çfarë të bëja. Pasi u ktheva nga pushimet, vazhdova ta takoja përsëri. Ai e kishte kuptuar se unë isha dashuruar me të dhe kjo e bënte të ndihej i sigurtë që unë do t’i shkoja gjithmonë pas. Në fakt, ashtu ishte; unë nuk mund të qëndroja një minutë larg tij!
Këtë herë, Fatjoni ishte mashkulli i parë me të cilin kreva marrëdhënie, por ai nuk e kuptoi që unë kisha qenë e virgjër dhe, pasi e mësoi, e kishte të vështirë të besonte që kishte qenë i pari. “Nuk më kishe dhënë përshtypjen e një vajze të virgjër”, më tha.
“Nuk kam ndërmend të të mbush mendjen ty për këtë. Beso ose jo, e ke vetë në dorë”, i thashë dhe vërtet nuk mora as mundimin më të vogël që t’i mbushja mendjen, edhe pse më vinte shumë keq që po dyshonte për këtë, në vend që ta vlerësonte. Ai të nesërmen nuk reagoi fare, as ditën tjetër dhe u binda se kisha bërë përsëri të njëjtin gabim. Ai po luante me mua! Puna që bënte, i merrte shumë kohë dhe takoheshim vërtet rrallë. Tani i druhesha shumë mendimit se Fatjoni më takonte vetëm për seks. Isha unë ajo që i telefonoja, që e ftoja të dilnim dhe kur ia thoja të gjitha këto, më betohej se puna ia kufizonte shumë kohën dhe edhe në shtëpinë e tij kishte kohë pa shkuar. Pas tre ditësh, më telefonoi dhe më tha: “Mendove se nuk do të të telefonoja më? Ja ku të telefonova” dhe buzëqeshte. “Nëse je e lirë, bëhu gati që të bëhesh shoqëruesja ime sonte sepse jam i ftuar diku. Pranon?”. “Nuk e di”, i thashë, por pastaj pranova. Atë natë që dolëm, ia kaluam shumë bukur dhe në fund ai priste që unë do ta kaloja natën me të, por nuk pranova. E pashë që ngeli keq, pasi ishin të pranishëm edhe miqtë e tij. E dija që ai e meritonte këtë, por përsëri nuk ndihesha mirë që e lëndoja sepse e doja shumë. Hera e fundit që shkuam bashkë ishte pas asaj nate dhe që atëhere, dukej sikur Fatjoni u zhduk. Më dukej sikur më kishte hipnotizuar sepse i kisha shkuar shumë pas. Pas kësaj, e mblodha veten dhe u shkëputa prej tij. I fshiva numrin, fshiva të gjitha mesazhet e tij dhe fillova ta largoja nga mendja. Pak nga pak, ai po bëhej pjesë e së shkuarës sime, por siç kishte ndodhur edhe më parë, ai u bë përsëri i gjallë. Më dërgoi mesazh por unë nuk reagova, nuk doja. E mendova gjithë natën dhe përsëri të nesërmen përfundova duke i kthyer përgjigje, por këtë herë, shumë ftohtë. Ishte ora 10 e 30 e mbrëmjes dhe ne po shkëmbenim mesazhe. Zemra po më rrihte fort kur lexova mesazhin e tij e megjithatë, e përmbajta veten. Më kërkoi të takoheshim dhe kanë kaluar dy javë e unë akoma nuk i kam kthyer përgjigje. Nuk e di nëse kjo është një lojë që po na e bën fati, që edhe pse na mban për një kohë larg njëri-tjetrit, na takon përsëri. Nuk e di nëse duhet t’i jap fund kësaj lidhjeje apo të vazhdoj ta takoj Fatjonin. Kjo dashuri është vuajtje e lumturi dhe nuk e di nëse duhet të vazhdoj t’i përjetoj këto dy ndjenja në të njëjtën kohë! Ju lutem, më thoni ju që e shihni nga larg këtë histori, çfarë të bëj me të?