Quhem Alma dhe kisha shumë dëshirë t’ju shkruaja dhe t’ju tregoja të gjithëve se si vajza e tezes mund të jetë ajo që të bën më keq sesa një shoqe e thjeshtë që mund të kesh.

Unë jam moshatare me vajzën e tezes sime. Në fakt, ajo është një vit më e madhe, por nënat tona donin të ishim gjithmonë bashkë prandaj na futën të dyja së bashku në të njëjtën klasë. Edhe pse ajo ishte shtatë vjeçe, e futën në klasë të parë. U ulëm të dyja në një bangë, por mësuesja na ndau se do të vinte një vajzë me një djalë. Atëhere u mërzita shumë dhe qava shumë. Kur ishim të vogla, ne shkonim shumë mirë. Unë isha shumë e urtë dhe bëja gjithmonë atë që më thoshte ajo. Erdhi koha kur unë u fejova dhe kjo ndodhi në një moshë shumë të vogël. Burri me të cilin u fejova ishte 10 vjet më i madh. Ai në atë kohë ishte me pozitë dhe për këtë, familja ime ishte shumë e lumtur, ndërsa unë nuk isha edhe aq optimiste, sepse isha shumë e vogël dhe nuk e kuptoja me të vërtetë se ç`është dashuria e jeta me një burrë. Siç thashë edhe më lart, isha shumë e urtë dhe nuk e kisha shpirtin e kundërshtimit. Kushërira ime më thoshte se kisha bërë një gabim të madh që isha fejuar me një burrë të vjetër dhe shtonte: “Si ai, unë mund të rrjeshtoja 30, por nuk dua se s`më pëlqejnë të vjetrit”.

Ajo në fakt nuk ishte e bukur vetëm se mbahej shumë dhe në kohën tonë kjo gjë shihej me sy të mirë. Edhe pse isha e fejuar, kur dilnim bashkë me kushërirën, djemtë më ngacmonin mua e jo atë që ishte beqare. Madje mbaj mend një herë që kur po kalonim pranë ca djemve të cilët atehëre uleshin anës rrugës dhe ngacmonin vajzat duke u hedhur fjalë, ajo u kthye:

– Ej, kujdes! – u tha.

– Nuk e kishim me ty – thanë ata – e kishim me këtë tjetrën.

– Po ajo është e fejuar! – tha ajo.

Ata qeshën.

Xhelozia e saj më ndiqte kudo, edhe në mësime. Unë mësoja shumë mirë dhe ajo bëhej keq kur mësuesit i thonin që të merrte shembull nga unë. Kur zemërohej me mua, i bënte të gjitha shoqet të mos më flisnin. Unë i flisja vetë e para dhe kështu ajo u mësua të bënte ç`të donte me mua. Një herë i kishte thënë të fejuarit tim se mua më ngacmonte një djalë të cilin e kishim në klasë. Në të vërtetë, ai djalë më kishte qejf, por asnjëherë nuk më kishte propozuar, madje s`më kishte thënë asnjë fjalë dashurie. Të nesërmen, i fejuari im erdhi te shkolla dhe nuk më kishte kërkuar mua, por atë djalin që ajo i kishte thënë se më ngacmonte. Kur e pashë, u ndjeva shumë keq. Ajo erdhi dhe më tha:

– E di kush ka ardhur? – unë ngrita supet duke i lënë të kuptonte se nuk dija gjë. – I fejuari yt dhe po bisedon me Armirin.

– Po pse, ç’ka me të? – i thashë e habitur.

– Nuk e di. – gënjeu ajo.

Filloi mësimi dhe mua s`më durohej sa të mbaronte mësimi dhe të takoja të fejuarin. Isha bërë shumë merak. Pyeta Armirin se ç`i kishte thënë, por ai më tha se kishin një problem me të cilin unë nuk kisha lidhje. Kur takova të fejuarin, e pyeta se ç`kishte patur me Armirin. Ai më tha gjithë inat:

– A të ka ngacmuar ai?

– Jo! – i thashë dhe u skuqa në fytyrë.

– Po pse skuqesh? Po mos u merakos se tani nuk do të të thotë as “mirëmëngjes” se ia rregullova qejfin. Ia thashë ca fjalë “të ëmbla”.

Të nesërmen, Armiri mezi m’i hidhte sytë dhe unë gjithashtu. E bukura e kësaj ishte se unë nuk e dija shkaktarin e vërtetqë të kësaj gjendjeje. Nuk e dija se ishte vajza e tezes, kushërira ime e parë, të cilën e doja më shumë se motrat e mia. Të vërtetën e mora vesh aq vonë sa nuk kishte rëndësi më. Edhe shkollën e mesme e bëra në një klasë me të. Ajo tashmë ishte një vajzë e rritur dhe ambiciet i kishin shtuar. Erdhi koha kur unë do të martohesha dhe ajo akoma ishte beqare. Kishte shumë pretendime dhe kjo tani që e mendoj, ishte një anë e fortë e saj. Përveç asaj që thashë më sipër që më bëri me të fejuarin, ajo mundohej të më imitonte në veshje. Gjithmonë blinte gjëra që i kisha blerë edhe unë. Jo se më shqetësonte kjo gjë, por më vriste ideja e saj që të ishte konkurente me mua që duhet të më quante si motër. Pasi u martova, nuk banoja më në qytetin tim, por në qytetin e burrit. Kur vija te prindërit, mamaja ime i tha:

– E shikon Almën? U martua dhe po bëhet me fëmijë e ti akoma beqare.

Në fakt, ky ishte një gabim i mamit tim se martesa nuk është gjithçka në jetën e njeriut, por aq ishte vizioni i saj. Ajo ia ktheu:

– Unë, o e marr tamam ose rri beqare tërë jetën!

Kur i mendoj tani këto fjalë, them me vete se ajo kishte të drejtë. Nga inati i kësaj fjale, ajo më bëri një tjetër “nder”. Po rrinim në shtëpinë e prindërve të mi së bashku me vajzën tjetër të tezes me të cilën ishim moshatare. Në atë kohë, unë isha shtatzënë. Ndenjëm gjithë ditën bashkë të tria dhe u kënaqëm. Në darkë, ato të dyja nuk fjetën te shtëpia ime dhe shkuan të dyja te tezja. Nuk e di se ç`u kishte thënë për mua. Të nesërmen, kur u takova me to, kushërira nuk më fliste. Ajo gjithmonë më thoshte: “Të dua ty më tepër se Emën”. I thashë:

– C`ke, pse je e mërzitur? Ti mirë ishe mbrëmë.

– Asgjë. – tha ajo.

– Ç`ka? – iu ktheva Emës.

– Asgjë. Nuk ka fjetur mirë mbrëmë, ç’do të ketë?

Ajo gjithmonë më kishte gënjyer dhe kishte folur prapa krahëve për mua e nuk e kishte për gjë të më gënjente prapë. Kushërira jonë iku në shtëpinë e vet dhe unë nuk e kuptova se ç`pati me mua. U ktheva te burri dhe meqenëse nuk isha mirë, nuk mund të udhëtoja se rrezikohej fëmija. Kaloi një kohë e gjatë derisa linda, djali u bë një muajsh dhe shumë gjëra kishin ndryshuar. Ema ishte martuar pa dasmë. Kishte shkuar te motra e vet e cila ishte martuar në qytetin më të bukur të Shqipërisë, atje e kishte njohur djalin dhe menjëherë ishte shpërngulur në shtëpinë e tij. Ai ishte djalë i vetëm dhe një njeri i mrekullueshëm. Kur ajo erdhi te prindërit e ne njohëm burrin e saj, u manhitëm. Ai kishte shumë edukatë dhe ishte njeri me shumë nivel, por ajo stononte shumë me sjelljet e saj. Kur u takuam të tria kushërirat, i thashë:

– Ema, e mora vesh se ç`i kishe thënë atë natë kushërirës sonë që ajo s`më foli.

Ajo nuk skuqej asnjëherë, por këtë herë u skuq.

– Pse e bëre?- i thashë. Në fakt unë nuk e dija se ç`i kishte thënë, por e mora me mend se vetëm ajo kishte gisht në zemërimin e saj.

– Më fal – më tha – unë nuk doja.

Kushërira u habit. Ajo nuk i kishte thënë askujt se si ishte puna dhe habitej se si e kisha marrë vesh unë. Unë në të vërtetë nuk dija asgjë, por sapo kisha filluar të njihja Emën, të cilën e kisha dashur dhe e kisha respektuar. E ajo ç`kishte bërë? Vetëm më kishte prishur punë dhe madje ishte munduar edhe të më ndante nga i fejuari, pra, ishte munduar vetëm të më shkatërronte. Ajo tani është shumë e lumtur dhe e ka ndërtuar jetën e saj mjaft mirë. Ne shihemi rrallë, sepse ajo tani jeton jashtë shtetit dhe është integruar aq mirë në jetën atje sa nuk i bie ndërmend as për nënën e saj sepse babi i ka vdekur. Ato pak herë që e kam takuar, kam vënë re që është e njëjta Emë që ka qenë, plot ambicie dashakeqëse dhe e nxirë nga inati që askush të mos jetë më mirë se ajo. Ajo pati fat se u martua me një burrë të mirë, se përndryshe… nuk dua as ta mendoj se ç`të ardhme do të kishte. Sa e vështirë është jeta kur duhet të ruhesh edhe nga njerëzit më të afërt!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *