Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Vajza na e nxiu faqen!

Përshëndetje miqtë e mi!

Po e shkruaj këtë letër për të treguar shqetësimin tim që mendoj se nuk është i vetmi që kanë nënat shqiptare.

Unë që po ju shkruaj jam një zonjë nga Tirana që kam një djalë 15 vjeç dhe një vajzë 18 vjeçare.

Advertisement

Raporti me dy fëmijët e mi është i mrekullueshëm ose më mirë të them, ishte, pasi u bë ca kohë që me vajzën pothuajse nuk flas fare. Shumë nga ju do ta gjykojnë vendimin tim, por unë kam vepruar ashtu siç mendoj se është më mirë, shtyrë nga rrethanat.

Para një viti filluan grindjet me vajzën, të cilën e shikoja shumë arrogante ndaj njerëzve. Edukata edhe mirësia fëmijërore sikur ishte zhdukur me magji. E vetmja gjë për të cilën dinte të fliste ishin paratë, telefonat e shtrenjtë, ku të kalonte fundjavën dhe markat e rrobave që duhet të ishin medoemos nga më të shtrenjtat. Në kohën time ne ishim më të dashura me prindërit, gjyshërit e madje edhe komshinjve u flisnim me dashuri e respekt, ndërsa tani rinia nuk do t’ia dijë as për më të vegjëlit, as për më të mëdhenjtë. Më përpara, kurrë nuk e kisha pasur problem buxhetin familjar, pasi si unë, si burri im, kemi një rrogë shumë të mirë dhe nuk kursenim asgjë për fëmijët; i llastonim me para dhe pushime aty ku shumë moshatarë të tyre nuk mund t`i bënin. Me sa duket, nga përfitimet që kishin prej nesh, ata morën flatra. Në fakt, djali ishte goxha mirë dhe kurrë nuk kisha probleme me të. Ai vetëm më shqetësonte që kthehej vonë në shtëpi fundjavave, por kjo ishte më e pakëta, krahasuar me hallet që hoqëm më vonë. Vura re që me kalimin e kohës vajza kishte në mendje shumë ide të këqia që filluan të më shqetësonin. Mirë që i kishte në mendje, por i shprehte pa pikë problmi. Sa herë fliste me shoqet në telefon për ndonjë djalë, u thoshte:

– Thuaji mi, të ta blejë një Iphone! Thuaj të të blejë ndonjë çantë firme, se atij nuk i mungojnë!

Sa herë e dëgjoja që shprehej në këtë mënyrë, e qortoja dhe më vinte inat pse të kishte gjithë atë ambicie kur nuk i kishte munguar kurrë asgjë. Kur bënim debat për këtë, më kthehej shumë keq duke më thënë se “jeta kështu është”. Mendoja se ngaqë ishte edhe e bukur i kishte hipur pak mendje e madhe, por shpresoja që me kohën do të jetonte me këmbë në tokë. Pse mendonte se duhej të merrte përfitim nga të gjitha anët?! Çfarë i kishte munguar? Shqetësimi im ishte se ajo mund të binte pre e ndonjë njeriu që me pak material mund ta shtinte në dorë e të bënte ç`të donte me të. Normalisht unë jam si çdo prind tjetër që i shkon mendja te më e keqja, por ja që kështu ndodhi, pasi një ditë sapo u kthye nga shkolla, djali më tregoi se një makinë luksoze e kishte përcjellë gocën deri në shtëpi. U nervozova pa masë dhe mezi po prisja të përballesha me të. Kur e pyeta se kush ishte, më tha se ishte i dashuri i shoqes së ngushtë, mirëpo unë nuk e besova aspak. Kaluan disa ditë dhe unë e kisha nën vëzhgim. Mundohesha t’i përgjoja telefonatat dhe bisedat me shoqet. E di që disa do të mendojnë se është diçka e gabuar, por nuk kisha rrugë tjetër. Vajza një ditë më erdhi me një telefon të ri dhe kur e pyeta ku e mori, më tha se ishte dhuratë e nuk më dha më shpjegime. U revoltova shumë dhe, kur e pyeta ku e kishte telefonin tjetër, më tha se do t’ia dhuronte vëllait. Me këtë kuptova se nuk e kishte shitur për të blerë një më të mirë, domethënë, ai telefon i ri nuk ishte blerë me lekët e saj. Nuk më pëlqenin ato ndryshime kolosale tek ajo sepse ishte vajzë e zgjuar dhe nuk duhet të bënte kompromise të tilla si disa vajza që nuk kanë të ardhura familjare dhe që shiten për fare pak. Realisht, kohët e fundit ajo nuk më kërkonte më lekë si më parë as për rroba, as për të dalë me gocat. Kuptohej qartë se diku i merrte lekët. Kaluan disa kohë edhe unë e ndjeja që po merrej me dikë, por nuk ia kisha idenë me kë. Sa herë i flisja ndonjë gjë, ma kthente shumë keq. Nuk kishim pothuajse fare komunikim dhe i dukej vetja shumë e rritur për të marrë mendimin tim. Ne nuk dilnim si dikur as shëtitje, as nuk uleshim më të shikonim filma bashkë, sepse gjatë gjithë kohës që rrinte në shtëpi, ose do të ishte në telefon, ose do të ishte mbyllur në dhomën e vet. Për mua, ishte sfilitje totale kur mendoja që do zihesha me të për ndonjë arsye dhe vazhdova të mos debatoja shpesh. Nuk gjeja më forcë t’i kundërvihesha, por vetëm qaja dhe flisja me tim shoq, i cili ishte në një pozitë më të vështirë se e imja. Ai më këshilloi një ditë që të merrja makinën e ta ndiqja nga pas, për të vënë re nëse i bija në qafë kot apo kisha të drejtë. E mendova gjatë dhe ashtu bëra. Një mbasdite vendosa dhe iu vura nga pas. Ajo me një shoqe në makinën e saj, ndërsa unë që i ndiqja disa metra nga pas. Më dukej budallallëk ky që po bëja, mirëpo nuk kisha rrugë tjetër. Ato shkuan nga Liqeni edhe u ulën në kafe. Deri këtu më dukej çdo gjë normale. Ika e u ula disa tavolina larg, sepse vendi ishte plot dhe nuk më shikonin. Pas pak minutash erdhi një djalë shtatlartë, disi i madh në moshë, por që nga rrobat e veshura dukej se kishte shumë para dhe nga mënyra se si ecte, s`më pëlqeu fare. E vura re që disa vajza në lokal u kthyen duke e parë, ndërsa mua nuk më dukej ndonjë bukurosh i madh. Bomba më ra kur shoqes së vajzës sime i dha dorën, ndërsa këtë e puthi në buzë. Nuk mund ta besoja këtë gjë dhe një mendje ma dha të merrja në telefon burrin. Ai dukej tamam si horri i lagjes, plus që dukej që ishte shumë më i madh se ajo. Dihej që zhgënjimin me të e kishte të sigurtë. U ngrita nga lokali për të mos parë më shumë. Ika dhe takova burrin në punë ku i tregova gjithçka. Ai u nxeh shumë dhe më tha se do ta rrihte keq kur të kthehej në shtëpi. Më tha se kurrsesi nuk do ta linte të dilte as me vajza, as vetëm. U mundova ta qetësoja disi, por realisht, edhe unë isha bërë për t’u varur. Numëroja minutat dhe më vinin qindra ide në mendje, ndërkohë që ktheheshim në shtëpi.

Në darkë, kur erdhi, ne e prisnim gjithë nerva dhe debatuam egër me të, por në vend që të mërziteshim ne, na u kthye ajo duke na thënë se s`kishim pasur të drejtë ta ndiqnim dhe se kishim bërë shumë gabim. Gërthiste se shoqeve të veta nuk ua bënin prindërit në këtë mënyrë dhe se po tregoheshim të padrejtë. Kur e pyetëm për djalin, na tha se ishte malok nga Shkodra. Burri im u bë shumë keq sepse nuk mund t`i duronte dot veriorët dhe vajza e dinte shumë mirë këtë gjë. Nuk na tha më shumë se emrin dhe na tha që jetonte në Tiranë me vëllain, ndërkohë që familja i jetonte në një fshat të Shkodrës. A mund të kishte më keq për familjen tonë sesa ta martonim vajzën në fshatrat e Shkodrës? Mendoja me veten se ç`fat skandaloz që na ra. Unë dhe burri, dy njerëz të ngritur, të respektuar nga gjithë Tirana, që do bëheshim krushq me disa fshatarë të cilët mund të ishin shumë njerëz të mirë, por kurrsesi rangu ynë. Vajza ishte e vendosur deri në fund që s`do ndahej nga ai dhe na u kundërvu duke na thënë se, nëse do ta pengonim të dilte, do të ikte të bashkëjetonte me të. Për ne, ishte një shok i madh. Ishim në pikë të hallit të dy. Gjithë natën nuk vumë gjumë në sy duke menduar se si do t’ia bënim. Nuk ditëm ç`të vepronim tjetër, veçse të pranonim lidhjen e saj.

Raportet miqësore kuptohet që nuk ekzistonin më mes nesh. Djalin e takuam vetëm një herë në kafe dhe ai, ashtu sine, ishte shumë serioz, por indiferent. Me sa duket, vajza ia kishte transmetuar të gjitha muhabetet. Unë qaja sa herë bëhej e bukur për të dalë. Alamet vajze nga Tirana, a s`mund të gjente një të rangut tonë?! Sa herë flisja me shoqet, ua shprehja mërzinë time, por si mua, asnjë fëmijë nuk ua kishte bërë. Kaluan disa muaj lidhje dhe një ditë vajza më erdhi në shtëpi duke qarë me të madhe. Direkt më shkoi mendja për keq dhe shpresoja që të paktën të ishin ndarë. E pyeta se çfarë i kishte bërë ai maskara, por ajo më tha se nuk ishin gjërat ashtu siç i kishim menduar ne. Më tha se ai kishte rënë në burg për drogë në Mal të Zi dhe se për të paktën tre vjet s`bëhej llaf të dilte. Në njëfarë mënyre u gëzova shumë, sepse mendova ajo do ta harronte dhe ndjenjat do t`i ftoheshin. Ajo ishte shumë e tronditur dhe ika ta përqafoja, gjoja për ta ngushëlluar, por nga ana tjetër, i lutesha Zotit të m’i kishte dëgjuar lutjet.

Kur më përqafoi, duke qarë, ajo më tha që ishte shtatzënë. Mua m’u prenë gjunjët. Më iku truri dhe vetëm se nuk mund të ulërija nga komshinjtë, se do kisha bërë namin. Ajo më tha se nuk do ta hiqte fëmijën dhe do ta priste atë kur të dilte nga burgu sepse e donte. Kur i thamë burrit, sa s`na vrau të dyjave, por s`kishim çfarë të bënim më. U bënë pesë muaj që vajza ime është shtatzënë dhe flet në telefon në burg me atë maskara që na nxiu fytyrën. Ai i thotë se e do, që ta presë edhe se do ta marrë për nuse. Të gjithë në lagje e dinë që vajzën e kemi të fejuar. Nga djali nuk ka ardhur ta takojë asnjë familjar e ne nuk dimë ç`të bëjmë. Si ka mundësi që ai të mos u ketë thënë familjarëve të vet? Çfarë emri t`i vëmë kësaj lidhjeje?! Vërtet ne jetojmë në Tiranë dhe këtu njerëzit janë më liberalë, por kështu as kisha parë, as dëgjuar. Asaj po i rritet barku dita-ditës e tashmë duke menduar të mirën e vajzës nuk i bëj më sherr e mundohem ta marr me të mira. Më dhimbset e shkreta se është vetëm tetëmbëdhjetë vjeçe dhe nuk e di çfarë e pret. Po na ikën truri sepse mirë që fëmija do të lindë e ne sigurisht vajzën tonë do ta përkrahim e do ta duam, por mbiemrin, si do t’ia vëmë? Kam në mendjen time njëqind pikëpyetje të cilat një Zot e di a do marrin përgjigje. Vetëm shpresoj që kjo histori të shkojë më së miri, pasi vajza ime do të lëndohej shumë. Nuk e kuptoj këtë rininë e sotme si nuk e mendon më gjatë të ardhmen. Tani vajza ime do të ishte në shkollë të lartë, mes gjithë të mirave e do të dilte përditë me shoqet, ndërkohë që ajo është bërë si shtëpiake e dëshpëruar e nuk vete asgjëkundi, pasi edhe barku i është rritur shumë. Shoqet i ka të gjitha duke menduar për universitetin, duke shijuar diskotekat e jetën, ndërsa kjo e mbylli jetën e vet dhe tonën në mënyrën më të keqe.

U them gjithë nënave që të ruajnë fëmijët nga mashtruesit e drogaxhinjtë që po marrin në qafë vajzat e bukura të Tiranës. Uroj që këtë situatë që po kaloj unë, të mos e përjetojë asnjë njeri tjetër. O Zot, bëj që çdo gjë në familjen time të rregullohet dhe të na kthehet paqja e dikurshme! Më ndjeni për revoltimin tim!

Zonja Dea, Tiranë

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Luljeta Shala gati të sjellë një super këngë

Next Post

SHQIPONJAT ILIRIANE/ILLYRIAN EAGLES kujtojnë në Gjermani heroin kombëtar Sali Çekaj.

Advertisement