Personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri përballen me vështirësi të shumta si shëndetësore ashtu dhe ekonomike. Një studim i fundit i publikuar nga organizatat e huaja thekson se 92 % e këtyre personave janë të pakënaqur nga pagesat që marrin;83% e tyre pohojnë se nuk trajtohen me shërbimet e specializuara; ndërsa 89.6% nuk kanë mundësi punësimi.

Për herë të parë, Shoqëria Civile ka monitoruar zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit të Aftësisë së Kufizuar 2016-2020 në 4 qytete: Lezhë, Dibër, Korçë dhe Berat. Në Shqipëri, zyrtarisht, janë 144,135 persona me një aftësi të kufizuara.E kspertët kanë pyetur një kampion prej 592 personash (me aftësi të kufizuar, familjarë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile) që vlerësojnë se shërbimet shoqërore në komunitetet e tyre janë të munguara (Peshkopi) apo të pamjaftueshme në kapacitete dhe tipologji për të përballuar nevojat (Berat, Korçë dhe Lezhë). Gjetjet tregojnë se 92% e personave me aftësi të kufizuara janë të pakënaqur nga pagesa e aftësisë së kufizuar dhe mbi 83% e tyre pohojnë se janë të pakënaqur me shërbimet e specializuara.

Punësimi

Një tjetër fushë e matur në raport është punësimi i personave me aftësi të kufizuara. 89.6% e tyre shprehen se nuk kanë mundësi punësimi. Po ashtu, 50% e tyre pohojnë se nuk janë të informuar për programet e nxitjes së punësimit. Drejtoresha e World Vision për Ballkanin Perëndimor tha: “Raporti që sot mbajmë në duar, sjell fort zërin e 592 personave, që përfaqësojnë dhe shumë të tjerë, që çdo ditë përballen me një shoqëri që vazhdon diskriminon e ka vështirësi në aksesueshmëri fizike. Ka një rritje të numrit të mësuesve ndihmës por më shumë se gjysma e personave me aftësi të kufizuara shprehet qe akoma janë të pakënaqur nga sistemi arsimor dhe mundësitë për aftësim profesional që ata të bëjnë një jetesë të pavarur, limitohen nga fakti që rreth 50% e tyre nuk kanë fare informacion që mund të ketë mundësi të tilla pranë zonës ku ata banojnë.”

Fëmijët me aftësi të kufizuar

Gjithashtu World Vision Shqipëri dhe Kosovë nënshkoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Bashkinë Dibër për zbatimin e programit social “Tungjatjeta Jetë”. Janë 36 fëmijë me aftësi të kufizuar në zonën e Peshkopisë, Maqellarës, Tominit dhe Kastriotit të cilët do të marrin shërbime të specializuara në banesat e tyre. Ekipi i ‘Tungjatjetës’, i përbërë nga një punonjës social, psikolog, fizioterapist dhe logopedist do të hartojë dhe zbatojë një Plan Zhvillimi Individual në bazë të nevojave të fëmijës, por edhe famijarëve të tyre duke ofruar shërbime të specializuara. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Shërbimeve Sociale Dibër, 4.2 % e numrit total të personave me aftësi të kufizuar në Bashkinë Dibër janë fëmijë. Por studimi i prevalencës së aftësisë së kufizuar tregoi se 14.6% e fëmijëve 2-17 vjeç në Bashkinë Dibër rezultojnë me aftësi të kufizuar.

Shërbimet

Mungesa e qendrave që ofrojnë këto shërbime, pamundësia ekonomike, mungesa e informacionit apo mentaliteti janë disa ndër arsyet pse këta fëmijë nuk marrin shërbimet që iu nevojiten. Për këtë arsye, Dibra është bashkia e dytë në Shqipëri që do të zbatojë këtë model ndërhyrjeje dhe do të përfshijë ekipin ‘Tungjatjeta’ në organigramën e saj.

Eljona Boçe Elmazi, Drejtoresha e Ballkanit Perëndimor në World Vision tha: “Çdo bashki duhet të përfshijë këto plane lokale sociale në buxhetin vjetor. Është detyra e pushtetit vendor të planifikojë, të buxhetojë dhe të ofrojë shërbimet e specializuara për fëmijët me aftësi të kufizuara. Tungjatjeta…Jetë është programi i parë dhe, deri tani, i vetmi në Shqipëri që ofron shërbime terapeutike të asistencës shtëpiake për 72 fëmijë me aftësi të kufizuar, në Librazhd dhe në Dibër.”

Nga plani lokal për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara rezultoi se në Bashkinë Dibër 2472 persona me aftësi të kufizuar marrin pagesën KMCAP, 108 prej tyre janë fëmijë. 1 vit më parë, World Vision filloi në Librazhd zbatimin e programit social për 36 fëmijë me aftësi të kufizuara në zonat e thella të vendit. Përmirësimet shëndetësore janë të dukshme tek çdo fëmijë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *