Skip to content Skip to footer

Uroj të jesh i lumtur…

Përshëndetje!

Jam një vajzë nga qyteti i Elbasanit.

Në kohën kur nisi historia që do t’ju tregoj, studioja në Tiranë, dega Gjeografi.

Po e nis historinë time të mrekullueshme, por njëkohësisht, shumë të dhimbshme. Kur isha në gjimnaz, jeta më dukej aq e ndërlikuar në pjesëzat e saj të cilat nganjëherë as që dija se si funksiononin. Shpeshherë, ndodhesha në dilemë. Dilema më e madhe ishte: Të dashurohesha, apo jo?! Kjo ndjenjë më kishte mbërthyer prej vitesh. Djalin me të cilin isha dashuruar vetëm me shikim, e adhuroja pa masë. Ai studionte në të njëjtën shkollë me mua, por akoma nuk e kishte kuptuar ndjenjën time. Gjithmonë më shikonte me habi sepse unë se si kisha një shikim ndryshe. Një ditë, duke luajtur volejboll, qëllova me të në skuadër. Ndihesha tepër entuziaste dhe zemra më rrihte shumë. Aty filluan edhe shkëndijat e para të kësaj ndjenje. Që atë ditë filluam të flisnim për shumë gjëra. Filluam ta njihnim njëri-tjetrin më shumë, edhe pse unë, aq sa kisha, më mjaftonte; më dukej sikur dija çdo gjë për të. Një ditë vendosëm të dilnim së bashku dhe ashtu ndodhi. Kur po bisedonim, fillova të qaja nga të gjithë ato gjëra që më tha sepse ishte jashtë mase njeri i zgjuar dhe i dashur. Vetëm dashuria ngeli pa u diskutuar. Thashë me vete: “Pse kështu?”. Ai po më vështronte me sy kritik se pse po qaja. Ndenjëm pak dhe më pyeti: “Pse po qan?”. Për disa minuta nuk i ktheva përgjigje. Heshtja na kishte mbërthyer të dyve dhe rrinim e shikonim njëri-tjetrin. Pastaj, unë fillova të qetësohesha dhe i ktheva përgjigje se pse po qaja. I tregova që vetëm ajo gjë për të cilën ëndërroja prej kohësh më rrëshqiti nga mendja dhe nuk e diskutova; dashuria. Më përqafoi fort dhe më tha: “Dashuria më e madhe, hap në shpirt një dritare”. Ai më kuptoi nga mimika e futyrës sime që unë e doja. Filluam të shtrëngonim duart dhe po ndjenim një dashuri shumë të madhe sa e gjithë bota. Çdo ditë takoheshim, dilnim për kafe dhe ndjenja bëhej edhe më e fortë nga ana e tij. Çdo ditë na dukej edhe më e bukur. Gjatë atyre ditëve thurnim plane të pafundme për të ardhmen tonë, prandaj ndjehesha edhe me optimiste për ditët në vazhdim dhe nuk kishte natë që nuk e ëndërroja fustanin e nusërisë. Isha e sigurtë nga sa shihja dhe kuptoja se tek ai qëndronte diçka thelbësore, më lart sesa materia, diçka pa fund që na lidhte, edhe pse nuk kishim asnjë kontakt fizik. Prania te njëri-tjetri na bënte të ishim gjithmonë të lumtur e gjithmonë me buzëqeshje në fytyrë. Kaluan gjashtë muaj dhe ai më propozoi për fejesë. Nuk di si ta përshkruaj atë ditë kur ne ishim ulur në lokal dhe ai u ul në gjunjë para meje. Ka qenë dhe do të mbetet dita më e lumtur e jetës sime! Pa e menduar dy herë, me sy të përlotur dhe njëkohësisht të ndritshëm, i thashë “po”. E vendosëm që pas një jave t’u tregonim prindërve. Gjatë gjithë javës kisha një ndenjë të tmerrshme dhe të frikshme faji që ua kisha bërë gjërat pas shpine. Erdhi dita e dielë dhe asgjë. Ngrita telefonin dhe formova numrin e tij. Telefoni ishte i fikur. Fillova të qaja pa pushim sepse mendova se e tradhtoi lidhjen tonë.

Papritur më telefonuan dhe më thanë që X kishte bërë aksident me makinë. Fillova të qaja edhe më fort, kisha humbur të gjithë kontrollin dhe nuk dija ku të përplasesha. Prindërit mundoheshin të më qetësonin, por më kot. U bëra gati, mora çantën dhe dola nëpër rrugë. Nga pas më ndoqi nëna e cila ishte çdo sekondë mbështetje për mua. Vajta te spitali ku më thanë se ishte. U kërkova doktorëve dhe njerëzve të vet që ta shihja dhe kur më shikuan aq të dëshpëruar, nuk hezituan. Hyra në dhomë dhe vrapova drejt krevatit ku ishte shtrirë. Menjëherë fillova t’i flisja dhe hapi sytë duke më vështruar si atë ditë që u njohëm, vetëm se tani ishte shumë i vrarë në shpirt. U gëzova jashtë mase. Nuk doja gjë tjetër vetëm të dilte një sekondë e më parë nga spitali. Babai më telefononte herë pas here për të më pyetur se ku isha. Bisedova me vëllain e tij dhe i thashë të më njoftonte për çdo gjë që do të ndodhte. Isha e tronditur dhe qaja vazhdimisht. Çdo cep i shtëpisë më dukej i errët. Për mua, asgjë nuk kishte vlerë tashmë. Çdo gjë kishte marrë drejtim tjetër edhe ëndrrat m’u thyen në mes. Shkollën po e braktisja dhe të gjithë më qortonin sepse isha studente shembullore. Për mua, ishte e vështirë të studioja e të rrija gjashtë orë në mësim. Prindërit akoma nuk e dinin krejtësisht këtë histori, sepse unë hezitova t`u jepja shpjegime. Pas tre ditësh ankthi, u tregova gjerë e gjatë dhe ata nuk reaguan negativisht, pasi me familjen e të dashurit tim njiheshin më parë, kishin shumë respekt për të dhe kjo më ndihmoi shumë. Pas pak ditësh, vajta për ta vizituar përsëri. Takova të vëllanë, por ai më dha një lajm aq tronditës saqë u rrëzova në mes të spitalit: X do të ngelte i paralizuar sepse kishte dëmtim në shtyllën kurrizore. Për mua ishte një shok aq i madh që nuk dija ta përballoja. U tregova për këtë prindërve dhe vëllait tim të madh që jetonte në SHBA. Kur ai e mori vesh, vendosi menjëherë të kthehej në shtëpi. Kur arriti këtu, u gëzova shumë pasi më mbështeste gjithmonë dhe shpresa ime ishte ta merrte jashtë për ndonjë operacion më të mirë. Me të arritur në shtëpi, ai u ngrit në këmbë dhe më qortoi për të gjitha gjërat që i kisha bërë pas shpine. Ai më tha: “Të kisha premtuar që do të të merrja me vete” dhe më flakëroi një shuplakë të fortë. Doli nga dhoma, ndërsa unë vazhdova të qaja dhe të bëja debat me nënën. U ndjeva midis dy zjarresh. Zemra më thoshte se pse nuk ia tregova vëllait. Ai u kthye përsëri në dhomë dhe me të gjithë zemërimin që kishte, më tha: “Nuk ke për ta takuar më atë person! Do të qëndroj këtu derisa të të marr me vete. Kjo gjë për mua ishte e pamundur dhe refuzova të shkoja qoftë edhe me forcë. Prej ditësh s’kisha marrë asnjë lajm. Qëkur vëllai erdhi te ne, nuk më lanë më as telefonin. Për ditë të tëra qëndrova e mbyllur në shtëpi. Ëndrrat e mia kishin marrë fund tani dhe më keq më vinte që nuk i rrija dot pranë. Iluzionet e mia po shteroheshin dita-ditës. Askush nuk më mbështeste. Dashuria që unë mendova se një ditë do të realizohej, tashmë kishte marrë fund dhe unë isha shkaktarja e çdo gjëje. Që nga ajo ditë ndjej një mllef ndaj të gjithëve, sidomos ndaj vëllait tim i cili duke menduar dëshirën time të madhe për të ikur atje kishte bërë gjithë atë udhëtim për mua, pa ditur që gjërat kishin ndryshuar. Nuk kam marrë asnjë lajm që atë ditë që pësoi aksident. Shpresoj që një ditë do të takohemi; edhe nëse ai nuk jeton, takohemi në botën tjetër. Tani unë jetoj në SHBA dhe e kam shumë të limitur kohën e mundësinë për të pyetur për të sepse vëllai me nusen e tij më mbajnë nën kontroll 24 orë në 24. Nëse jeton, i uroj gjithë të mirat e kësaj bote dhe dua me zemër që të jetë i lumtur, edhe pse pa mua. Të uroj dashurinë më të madhe dhe më të sinqertë në jetë, dashuria ime e parë! Për të gjithë adhuruesit e “Intervistës”, një këshillë: Dashuroni me zemër dhe jo me mendje! Mirupafshim.

Leave a comment

0.0/5