Shumë njerëz pinë alkool dhe nuk jam të aftë të kontrollojnë veprimet e tyre,
duke u bërë kështu të dëmshëm për veten e mbi të gjitha,
të dëmshëm edhe për të tjerët.
Ata nuk mendojnë në ato momente, djalli i posedon, mendja e tyre është mjegulluar nga dëshirat momentale dhe zemërimi, nga dëshirat të paarsyeshme që i bëjnë të harrojnë edhe moralin. Duke mos e ndjerë veten të aftë, paftësinë e tyre ata ia shprehin si furi të dhunshme njerëzve të tjerë. Kur zgjohen nga dalldia e tyre, kanë bërë aq dëme sa as një det i tërë nuk do të mjaftonte që t’i lante mëkatet e tyre. Ju, kur ta lexoni këtë histori do të thoni që nuk janë të gjithë kështu dhe jam e bindur që keni të drejtë, por unë flas për eksperiencën time personale dhe për atë kategori njerëzish që bëjnë këto veprime dhe që besoj se janë shumë.
Unë që e tregoj këtë histori e kam këtë eksperiencë të hidhur, e kam vuajtur në lëkurën time. Kam përjetuar dehjet e vazhdueshme të burrit tim, por sikur të mos mjaftonin vetëm këto, kam përjetuar edhe faktin që pija i shkaktoi shumë vuajtje fëmijës sim. Unë kam dy vajza dhe një djalë, aktualisht jetojmë në Greqi dhe kemi bërë punë të ndryshme. Familja ime është e përçarë dhe as që dëshirojmë ta shikojmë njëri-tjetrin, sa ndjej dhimbje kur e mendoj. Mund të them që në jetën time kam hequr aq shumë sa, kur e mendoj, i them atij, burrit tim, që kam karshi si bashkudhëtar të jetës time: “Përse?”. Ai më shikon, ngre supet dhe nëse deri dje komentonte diçka, tani as nuk psherëtin.
Jeta ime, që në moshë të re, filloi me dhunën e vazhdueshme të burrit që, kur pinte, humbte kontrollin dhe të gjithë dufin e tij e shprehte nëpërmjet dhunës që përplasej mbi mua duke më shkaktuar shenja të ndryshme që më mbetën jo vetëm në trup, por edhe në shpirt. Kur dehej, ai ishte i papërmbajtshëm. Diskutimi plaste për gjëra nga më të kotat dhe përfundonte si mos më keq, madje godiste edhe fëmijët sa ata, kur e shikonin që ai vinte i dehur, largoheshin. Ka patur raste që kemi përfunduar edhe në polici, por gruaja mbetet e pambrojtur e kthehet përsëri në atë derë dhe nuk mund të largohet nga frika se mund t’i ndodhë diçka më e keqe, por gjithashtu edhe sepse nuk ka ku të shkojë. Më pas, me emigracionin, erdhi një periudhë qetësie dhe gjithashtu, fëmijët fillluan të rriteshin. Kjo largësi e ndryshoi pak. Kur vinte i pirë, ai nuk ishte aq i dhunshëm sa më parë. Zemra ime mendoi se gjërat ndryshuan, se ditët e këqija ua lanë vendin ditëve me diell. Gabohesha! Mund t’ju them se ditë më të këqija do të vinin për familjen tonë dhe unë ndonjëherë ia vë fajin edhe vetvetes, që nuk qeshë në gjendje ta mbroja…
Pas disa kohësh që im shoq jetonte në Greqi, na mori edhe neve atje ku jetonte dhe atë periudhë qe vërtet një periudhë qetësie dhe mirëqenieje për ne dhe familjen tonë, por pas ca kohësh, djalli do të vinte të bënte folenë pikërisht te ne. Një nip i burrit erdhi të jetonte në shtëpinë tonë për pak kohë sa të gjente një punë dhe të ambientohej, ashtu siç bëjnë të gjithë shqiptarët kur venë në një vend të huaj. Ne i hapëm derën, e mirëpritëm, i dhamë jo vetëm një strehë dhe ushqim, por më shumë se aq dhe shpërblimi që morëm në këmbim ishte shumë i hidhur për ne, aq sa për pak u bëmë vrasës… E gjitha kjo për faj të pijes që i erri sytë dhe na bërë një të pabërë, që nuk ma nxë as goja ta them.
Nipi i burrit e kishte ves pijen dhe pinte bashkë më burrin e me xhajen e tij. Ai nuk qëndroi shumë dhe u largua, mori një shtëpi në vete dhe nuk po vinte më te ne. Kjo gjë na çuditi, por nuk i dhamë rëndësi; menduam se kishte punë. Gjithashtu, edhe ne ishim shumë të zënë me punën, kohën e kishim të kufizuar dhe nuk arritëm të vinim re gjërat që ndryshonin te miqtë dhe mbi të gjitha, te fëmijët tanë. Shumë shpejt mësuam një gjë që ishte shumë evidente: Vajza jonë e madhe 18 vjeçare ishte shtatzënë!
Se si nuk e kishim vënë re këtë gjë nuk mund t’jua shpjegoj, ndoshta nga fakti që ajo ishte e shëndoshë dhe barku filloi t’i dukej shumë me vonesë. Kur filluam ta pyesnim, ajo nuk donte të tregonte, por kur ne filluam të bëheshim më shtrëngues, ajo na rrëfeu që pikërisht kushëriri, nipi i tim shoqi, kur kishte qenë i pirë, e kishte detyruar të bënte marrëdhënie seksuale me të dhe më e keqja qe se e kërcënonte që të mos na e tregonte të vërtetën neve. Im shoq u tërbua fare e donte ta vriste. Po të mos të kishin qenë të tjerët që i ndanë, ai do ta kishte vrarë.
Ja çfarë na shkaktoi neve pija! Na bëri një të keqe që nuk mund ta heqim dot kollaj. Çfarë të bënim me vajzën? As asaj nuk i falej që nuk na e tregoi më parë se mbanim gjarpërin në gji dhe ai na helmonte ngadalë. Ajo ishte shtatzënë në muajin e gjashtë, kur ne e morëm vesh dhe nuk ishte e mundur që ta hiqnim fëmijën. Kështu, ajo e lindi dhe e dhamë për birësim. Burri nuk e kapërdiu dot të gjithë këtë dhe e përzuri nga shtëpia, por unë nuk e braktisa, sado që qe gabimi i saj.
Tani, kur i mendoj të gjitha këto që kanë ndodhur, nuk di çfarë të them, vetëm se do të doja që gjithçka të kishte qenë ndryshe dhe unë të mos kisha vuajtur për shkak të pijes që shkatërroi familjen time dhe jetën e fëmijës sim.