…Përshëndetje Znj.Hoxha, faleminderit që pranuat të ishit pjesë e kësaj intervist

  1. Një publiciste e re në moshë dhe me një karrier të pasur, së fundmi edhe autore e një libri të titulluar “ Çorodia”, si lindi ideja e këtij libri tek ju?

Publicistika është një zhanër që kërkon impenjim, profesionalitet, imagjinatë, por mbi të gjitha ta shohësh botën dhe realitetin përtej asaj që duket dhe që vetëm mund të ndjehet. Libri erdhi si një përpjekje disavjeçare në fushën e publicistikës. Dita ditës vëreja se titujt e shkrimeve po shtoheshin dhe më duhej të shpenzoja kohë ti kërkoja e ti rikujtoja deri sa u binda që të gjitha publikimet e mija të mos i kisha të shpërndara nëpër gazeta, revista apo ëebe lajmesh por në një përmbledhje e cila do të ma lehtësonte kohën nëse do doja tju riktheja hera herës. Në realitetin shqiptar publicistik u gjenda papritur kur u zgjova nga “gjumi kafshëror” që ne të gjallët na kap në përditshmërinë tonë  dhe nisa të kuptoj të vërtetën si ndjenjë, ashtu siç është e denjë për shpirtin njerëzor. Rruga për të ndjekur nuk ishin emrat e spikatur të kësaj fushe dhe gjurmët e tyre, rruga ime ishte e qartë, të rendja pas vetes me vullnetin për ta dashur botën. Metoda që ndiqja rridhte natyrshëm nëpër préklat e kompjuterit dhe unë ende s’e kisha kuptuar. Jemi një hap pranë së vërtetës për të kuptuar veten dhe botën, por ky hap na merr vite, ndonjëherë edhe tërë jetën.

  •   Çfarë nënkupton për ju si autore libri “ Çorodia ” por edhe si një e re që lëvron në fushën e publicistikës?

Ky libër është përpjekja e një rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë në jetës time. Intervistat janë edhe më të vështirat për mua sidomos kur ja bëj të tjerëve dhe tani që jam në rolin e të intervistuarës, e kam shumë të vështirë të gjejë fjalët e duhura për ta përcaktuar qartë këtë përpjekje. Ky libër ka përjetime emocionale të forta, sepse unë kur shkruaj përfshihem e tëra në atë situatë që më ngacmon mendimet e sidomos të më ringjallë emocione. Jam shumë e bindur që gjithkush nga ju që do kishte dëshirën ta lexonte do të gjente veten në ndonjë frazë. Unë shkruaj për të qënë origjinale dhe e vërtet ashtu siç shpirti im ndjehet në ato moment inspirimi, unë nuk dua ta shmang përjetimin shpirtëror në shkrimet e mia publicistike, sepse ndryshe do ishte një shkrim i vdekur. Unë dua të shkruaj shkrime të gjalla edhe për ato që ndihen shpirtërisht të munguar. Realitetin e kësaj bote nuk mund ta shohim pa qënë të përfshirë shpirtërisht. Në përditshmërinë tonë përqëndrimin dhe rehatinë na e marrin ato momente që na shkaktojë trishtim apo gëzim, ajo që na krijon stres apo ajo që na krijon paqe, kjo do të thotë se jemi qënie të mbushura me emocione dhe misioni im është që unë ashtu siç e shoh dhe përjetoj realitetin të mund tja përciell lexuesit tim. “ Çorodia” për mua do të thotë përjetim, kohë, zhgënjim, lumturi, dhimbje, orë pa gjumë, ankth, pasiguri por mbi të gjitha vullnet për ti dhënë botës një pikpamje më shumë rreth saj.

  • Titulli i librit është një gjetje e veçantë  dhe përfshirëse, të krijon iden e titujve Sartian, “ Fjalët” “ Pezull” apo edhe të autorit Franz Kafka “ Metamorfoza”. Si është “ Çorodia” sipas Dorina Hoxhës?

Titulli ishte një ndër faktorët që më ka marrë shumë kohë duke e diskutuar me miq profesionistë, ka pasur disa versione të ndryshme nga sugjerimet e tyre  por përgjatë hulmutimit tim të përditshëm sapo hasa fjalën “Çorodia”, u binda që pavarsisht kritikave libri im do të titullohej “ Çorodia”, sepse ishte fjala më e përshtatshme për mua që i përfshinte 60 artikujt e përzgjedhur për publikim. Shkrimet e përzgjedhura kanë të përbashkët reflektimin mbi katastrofat që mendja është e aftë të prodhojë në ditët me diell. Çorodia lind nga bashkëveprimi i dy forcave të kundërta brenda nesh, lind në hapësirën e zbrazët që lidh dy boshtet tona të vetvetes, të mirën dhe të keqen. Çorodia ngre krye atëherë kur dashuria nuk është e mjaftueshme dhe besimi është një çështje zgjedhjeje dhe jo zgjidhjeje. Çorodia është vetja jonë e mohuar, dëshirat tona të parealizuara, çorodia është aty ku përjetohet përjashtimi dhe përçmimi social.

Titulli i librit përfshin pikëpyetje që njeriu i shekullit ia drejton vetes dhe shoqërisë. Çorodia është një shqetësim që e ngre njeriun në një nivel tjetër të kërkimit të pritshmërive, gjatë së cilës duhet të kemi të qartë frazën siç thotë Mevlana Xhelaleddin Rumi në serinë e tij të Poemës Mistike Mesnevi, se “ Nëse ti zë një punë seriozisht, e meta e saj mbetet për ty e fshehtë…” I fshehtë është ai shteg drejt së cilit ne mund të shkojmë edhe nëpërmjet rrugës së gabuar por duke pasur idenë e rrugës së drejtë. E njëjta gjë ndodh edhe në jetën e përditshme të shqiptarëve, shkohet ndonjëherë  drejt së panjohurës me mendimin se po shkojmë në drejtimin e duhur dhe çorodia jonë ngre krye vetëm atëherë kur ndodhin dramat sociale dhe atëherë kur ndodhemi përball vetes duke u vetpyetur: “ Çfarë bëre”? Çorodia për mua lind vetëm atëherë kur mendja është  e aftë të kërkojë vetgjygjësi unit të saj, jo duke e urryer atë, por duke reflektuar dhe duke u penduar, sepse çorodia është edhe një formë pendimi.

  • Libri “ Çorodia” është publikuar nga një shtëpi botuese e huaj  gjithashtu është pjesë e rrjetit më të madh të  shitjeve ‘Amazon’, kur ka dal libri juaj dhe a do ta kemi këtë libër të përkthyer edhe në gjuhë të tjera?

Libri ka dalë në librari në muajin Tetor të vitit që lam pas, është shumë shpejt për të arritur këtë përfundim, ajo që mund të them është dëshira ime për ta përkthyer në italisht, anglisht por edhe gjermanisht. Ky impenjim kërkon kohë për tu arritur  dhe gjithashtu  profesiontë që  do të kryenin këtë punë. Libri është publikuar nga Shtëpia Botuese e njohur “ Cavinato Editore Internacionale” që së fundmi ka hapur një degë edhe në Shqipëri me logon G.I.E.P Albania, libri “ Çorodia’ ishte edhe ndër librat e parë që bashkëpuntoret Italian përzgjodhën ta publikonin nën logon e tyre, gjithashtu libri im ndodhet në Amazon,fr  dhe Amazon.it.

  •  “ Çorodia ” sipas Dorina Hoxhës a do ti hapë siparin një shtegu tjetër letrare në të ardhmen?

Libri është një përpjekje serioze që përvecse të merr kohë, të përfshinë e të largon nga realiteti ku duhet detyrimisht të jesh e përfshirë. Unë i dua librat jam rritur mes tyre dhe dikur teksa lexoja romane e drama  ëndërroja të isha autore e një vepre që do lindte nga inspirimi dhe nga gjithë ajo përpjekje formuese ndër vite. Ekziston një përpjekje e dytë pas çorodisë por nuk do jetë e zhanrit publicistikë. Nuk zgjohesh në një ditë të bukur papritur si autore e një libri, ajo është përpjekje që vjen nga pasioni dhe dashuria për dijen, për të shkruar, për t’i dhënë botës edhe qasjen tënde, e cila pavarsisht kritikave është një gur themeli ndër miliarda përpjekje që njerzia len në historinë e saj të jetës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *