Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Fëmijët duan të lajnë hesapet me të atin

Unë që po ju shkruaj, jam Majlinda.

Një mikesha ime më sugjeroi që historinë time të dhimbshme ta ndaja me të gjithë ju, miqtë e gazetës “Intervista”.

Ndoshta në këtë mënyrë do të ndjehem pak më e lehtësuar nga ky hall i madh që më ka rënë.

Advertisement

Para se të filloj të tregoj historinë, dua t’ju them se unë jam nga një fshat i Fierit. Edhe ish-burri im nga ky fshat ishte. U njohëm që në gjimnaz dhe u dashuruam marrëzisht mbas njëri-tjetrit. Në fshat, ishte shumë e vështirë që të ecje përpara. Ne u bëmë edhe me dy fëmijë djem dhe mendonim për të ardhmen e tyre. Alberti në atë kohë kishte një shok në Tiranë dhe ai i propozoi që ne të shkonim të jetonim atje, sepse punën do t’ia gjente ai. Të dy këta ishin shokë ushtrie dhe shkonin shumë me njëri–tjetrin. Mbas dy vitesh jete në Tiranë, Bertit i doli emri për të kryer shërbimin ushtarak në Afganistan, si shumë prej shokëve të tij. Ditën që mori lajmin ndjehej shumë i gëzuar dhe erdhi e më përqafoi duke më thënë se tani do të kishim mundësi të ndërtonim shtëpinë tonë. Unë edhe u gëzova, por edhe u trishtova nuk kisha ndenjur asnjëherë larg Bertit dhe nuk dija se si do ta përjetoja këtë gjë. Ai më ngushëllonte se vetëm gjashtë muaj do të ishim larg. Ditën që ai iku, jam ndjerë tmerrësisht keq, megjithatë, dy djemtë e mi, njëri tetë dhe tjetri 10 vjeç, ishin ngushëllimi im më i mirë. Çdo gjë shkonte mirë sepse ne e merrnim rrogën e Bertit dhe na mjaftonte për të jetuar normalisht.

Në lagjen tonë ishte hapur një supermarket i ri dhe vetë pronari i këtij supermarketi rrinte aty dhe vëzhgonte punëtorët ose faktin se si ecte puna. Unë, edhe pse isha bërë mami prej 10 vjetësh, ruaja prapë rininë dhe freskinë time, gjë kjo që me sa kuptova, i ra në sy pronarit të dyqanit. Ai, sa herë shkoja të blija diçka, më shikonte dhe më buzëqeshte. S’e di pse, por me kalimin e kohës edhe unë e përshëndesja duke i buzëqeshur. Ditët dhe muajt kalonin e unë flisja rrallë në telefon me Bertin, por nuk e di pse në mendje tani më rrinte gjithmonë fytyra e pronarit të supermarketit. Ai mund të ishte gati 10 vjet më i madh se im shoq, por ndoshta mungesa e dashurisë së Bertit që e kisha larg, më bënte që ta doja dhe të mendoja për një njeri tjetër. E kuptoja edhe vetë që me kalimin e muajve unë shkoja më shpesh në supermarket, madje gjeja edhe një pretekst fare të thjeshtë sikur edhe një çokollatë për djemtë, vetëm si e si të shkoja dhe ta shikoja njeriun më kishte bërë për vete që me shikimet e tij. Mbaj mend që një ditë ai ishte te kasa dhe më dha faturën e ushqimeve. Kur shkova në shtëpi, vura re se në krahasim me çmimin, më kishte marrë shumë pak lekë dhe në qese pashë edhe një letër të vogël. E hapa duke m’u dridhur duart dhe lexova: “Të ëndërroj çdo ditë e më shumë. Të lutem, më telefono në këtë numër…”. Nuk e di pse, por fillova të dridhesha; një ndjenjë e çuditshme më kishte mbërthyer gjithë trupin, nuk e di nëse ishte lumturi apo frikë. Atë ditë, me qindra herë e kisha lexuar letrën dhe numrin e tij e kisha fiksuar shumë mirë. Nuk dija si të veproja dhe vendosa ta merrja në telefon. Me veten time po mendoja: “S’ka ndonjë gjë të keqe. Të dy ndjehemi të vetmuar dhe duam të flasim e të shprehemi me njëri-tjetrin, vetëm kaq, asgjë më shumë”.

Me këto mendime në kokë, i telefonova. Zëri i tij burrëror teksa m’u përgjigj “alo”, bëri të më dridhej i gjithë trupi. Unë nuk munda t’i flisja, por ai tashmë e kishte kuptuar se dikush që ai e mendonte, ishte në telefon dhe nuk ngurroi e më mori menjëherë në telefon duke më thënë: “Fakti që nuk po më përgjigjesh, më bën të dyshoj se je ajo që unë e kam ëndërruar për dy muaj”.

Iu përgjigja: “Nuk duhet t’i kisha rënë numrit tënd” dhe i shpjegova faktin se ndjehesha shumë e vetmuar, pasi im shoq nuk ndodhej në Shqipëri. Ai m’u përgjigj se edhe ai ndjehej i vetmuar, edhe pse të shoqen e kishte në krah. Atë ditë mbaj mend që kemi folur shumë, por thelbi ishte se nuk duhej të ndjeheshim fajtorë për faktin që zemrat tona kishin nevojë për dashurinë e njëri–tjetrit. Unë i shpjegova se nuk do të mund ta tradhtoja kurrë tim shoq me një mashkull tjetër dhe ai m’u përgjigj: “Nuk ke pse e bën një gjë të tillë. Na mjafton fakti që ne flasim dhe unë kështu ndjehem mirë”. Mënyra se si ai i mendonte dhe m’i shprehte gjërat më bënte të mos ndjehesha fajtore për atë që po bëja. Në fund të fundit, edhe unë kisha nevojë për një mik, që t’ia hapja zemrën. Gjithmonë kur shkoja në dyqan, do të ishte ai që më mbante llogarinë dhe ashtu si pa u kuptuar, tentonte të më prekte pak nga dora teksa më jepte qeset me ushqime. Mua, vetëm kaq pak më bënte të ndjehesha e lumtur. E njëjta gjë ndodhte edhe me atë.  Ai më kish propozuar që të hanim drekë bashkë, por një gjë të tillë unë nuk e bëra asnjëherë dhe ai nuk këmbëngulte sepse e kuptonte pozicionin tim, që kisha dy fëmijë dhe duhet të kujdesesha për ta. Mbas gjashtë muajsh, u kthye Alberti në Shqipëri dhe unë nuk e dija se në çfarë date do të vinte. Ai ma bëri surprizë, por nuk është se kjo surprizë më gëzoi… Jo se nuk e doja tim shoq, por nuk isha e përgatitur, për faktin se nuk i kisha thënë Hekuranit dhe telefoni mund të binte nga momenti në moment. Dhe, pa e mbaruar akoma mendimin, zilja e telefonit tim ra dhe unë fillova të bëhesha nervoze, nuk dija ç’të bëja, ta hapja apo ta mbyllja. Berti më pyeti se pse nuk e hapja telefonin dhe unë i thashë: “S’ka problem, se një shoqja ime është” dhe mora lekët për të shkuar në dyqan. Bertit i thashë se duhet të shkoj të blija ndonjë gjë të ftohtë për të, por unë jam shumë e sigurtë se ai ka kuptuar shumë gjëra nga ajo telefonatë, sepse unë nuk e përmbaja dot veten dhe fillova të bëhesha nervoze. Shkova në dyqan dhe e porosita Hekuranin që të mos i binte më telefonit, duke i shpjeguar arsyen, por Alberti nuk ishte nga ata meshkuj që mund t’ia hidhje kollaj. Jam e sigurtë që kjo që më ndodhi me tim shoq ka ardhur si rezultat i asaj telefonate, edhe pse ai nuk më kishte thënë asgjë, e kishte kaluar në heshtje…

Alberti kishte një motër që rrinte në Amerikë. Mbas dy muajsh ajo erdhi në familjen tonë bashkë me një mikeshën e vet që ishte e pamartuar dhe në familje diskutuam që Alberti duhet të shkonte në Amerikë, por më parë duhet të bënte ndarjen nga unë dhe të martohej me atë zonjën që na kish sjellë kunata në shtëpi. Më pas, ai do të ndahej prej saj dhe do të na tërhiqte neve, duke bërë bashkimin familjar. Të paktën, kështu ma shpjeguan mua dhe unë, si një grua naive dhe e parrahur me të tilla probleme, hodha firmën duke i dhënë divorcin njëherë e përgjithmonë bashkëshortit tim. Pas disa muajsh ai iku në Amerikë, duke u martuar me mikeshën e kunatës. Në fillim e mora si diçka të thjeshtë se do të bënim bashkimin tonë në një kohë të shkurtër, por Alberti e nxori fytyrën e tij të vërtetë. Që prej ditës që iku në Amerikë, ai nuk më ka telefonuar as mua dhe as djemve të mi. Që prej asaj dite kanë kaluar pesë vite dhe ai nuk është bërë më i gjallë. Unë vetëm qaj dhe e mallkoj çdo ditë e më shumë atë njeri që më shkatërroi jetën, por ajo që është më e keqja dhe që nuk mundem ta duroj dot është fakti që fëmijët po rriten pa babanë e tyre dhe kjo gjë ka ndikuar nga ana psikologjike, duke e urryer atë. Ka raste kur ata e shprehin duke thënë se edhe pse ai jeton në Amerikë, një ditë do ta gjejnë dhe do t’i lajnë hesapet për këtë që na ka bërë. Unë mundohem që djemve të mos ua ushqej ndjenjën e hakmarrjes, por kjo është e pashmangshme sepse ata e kuptojnë se ajo që bëri Berti ishte një pabesi e ndyrë, pa na dhënë asnjë lloj shpjegimi. Edhe prindërit e tij nuk na tregojnë asgjë. Ata betohen se nuk kanë folur, por unë e di që e gjithë kjo është një gënjeshtër, që zanafillën e ka nga ajo telefonatë që m’u bë mua ditën që ai erdhi nga Afganistani. Unë e dija që Alberti ishte tip hakmarrës, se vetëm tradhtinë nuk do të ma falte kurrë, por nuk do ta mendoja asnjëherë një reagim të tillë. Të paktën me fëmijët duhet të komunikonte dhe të mos i linte të vuanin në këtë mënyrë, duke u rritur me ndjenjën e hakmarrjes kundra babait të tyre.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Astrologia shpjegon...!

Next Post

Mbetet gropë nga operacioni në veshka?

Advertisement