Unë që ju shkruaj jam një grua fatkeqe.
E gjihë jeta ime ka shkuar ters, vetëm prej një fatkeqësie e cila më mori dashurinë, lumturinë dhe të gjithë jetën time.
Gjatë këtyre viteve, nuk bëj gjë tjetër veçse mendoj se do të ishte më mirë të vdisja sesa të jetoja kështu.
Gjithçka nisi kur unë isha ende e re, afërsisht 23 vjeçe. Në atë moshë u njoha dhe u fejova me dashurinë e jetës sime… Berti ishte gjithçka që unë kisha ëndërruar në jetë. E doja e më donte shumë dhe mezi prisja sa të bëhesha gruaja e tij e të jetonim bashkë.
Edhe familja ime ishte shumë e kënaqur me zgjedhjen që kisha bërë. Të gjithë ata që na shihnin bashkë thoshin se ne kishim lindur për njëri-tjetrin, derisa erdhi ajo ditë e zezë…
Atë paradite isha në punë, kur erdhi një shoqja ime dhe më tha se më kërkonin në telefon. Ishte urgjente. E mora receptorin dhe ndërkohë e ndjeva se po më këputeshin gjunjët. Kisha një parandjenjë të keqe. Nga ana tjetër e telefonit dëgjova zërin e babait të Bertit:
– Tasha, duhet të vish sa më shpejt! Berti është përplasur me motorr. Mjekët thonë se është rëndë…
E pyeta në çfarë spitali ishin, lëshova menjëherë receptorin dhe vrapova për në spital. Më ishin errur sytë dhe përpiqesha të bindja veten se Berti do të shpëtonte. Edhe tani kur e kujtoj se si e kam bërë atë pjesë të rrugës, më merren mendtë. Kam qenë thjesht një trup që donte të bëhej prapë shpirt, duke takuar njeriun më të shtrenjtë që kishte.
Kur arrita në pavionin ku ishte Berti, pashë shumë vetë nga familja e tij. Të gjithë qanin me të madhe. Unë ktheva sytë nga babai i tij, i cili m’u afrua dhe më përqafoi. Nga shtrëngimi i tij i fuqishëm, i pashpresë, i hidhur, e kuptova që Berti kishte vdekur. Këtë mendova dhe pastaj më ra të fikët. Kur u zgjova isha në një nga dhomat e spitalit. Kërkova që të shihja Bertin, por doktorët më thanë që duhet të qetësohesha. Kam qarë pa pushim. Më dukej sikur asnjëherë nuk do të më shteronin lotët. Qaja me dënesë. Ende nuk më besohej që Berti nuk ishte më. Më dukej sikur nga momenti në moment do të hapej dera, ai do të futej dhe do të përqafonte fort, ashtu siç bënte sa herë më shihte duke qarë, por më kot prita, se Berti nuk erdhi. Ndaj vendosa të shkoja unë tek ai, për t’i dhënë puthjen e fundit.
As vetë nuk e di se si e kalova dhimbjen e vdekjes së tij. Në fakt, asnjëherë nuk e kalova. Ato që u zbehën ishin të qarat, por trishtimi dhe kujtimi, mbetën të vazhdueshme. Po nuk ishte kjo e keqja më e madhe që mund të më ndodhte. Njerëzit nisën të flisnin. Unë quhesha vajzë e fejuar një herë dhe megjithëse nuk ishte faji im që nuk e kisha të fejuarin në krahë, gjithsesi, e kisha një “njollë” në biografinë time. Unë, të them të drejtën, nuk e vrisja mendjen shumë, por prindërit e mi e sidomos mami filluan të shqetësoheshin. Ata kishin frikë se mos qëndroja gjithë jetën time duke menduar për Bertin e në vetmi. Në fakt, kjo gjë më kishte shkuar shpesh në mendje. Jo sepse mendoja se duhet të mbyllesha për shkak të tij, por sepse kisha frikë. Kisha frikë se nuk do të doja dot njeri ashtu siç doja atë. Kisha frikë se mos te çdo njeri do të kërkoja atë. Si mund të lidhesha unë me njeri tjetër?
Në atë kohë, u futën shkes për mua. Një grua te puna e mamasë sime kishte kunatin të ve, pasi i kishte vdekur gruaja në sallën e operacionit, duke lindur fëmijën e tyre të dytë.
U drithërova kur dëgjova një histori të tillë. Ishte e tmerrshme! As që e mendoja se mund ta njihja këtë njeri, por në darkë, mamaja më erdhi afër krevatit. Nisi të qante.
– Të gjithë e dinë që ke qenë një herë e fejuar moj bijë. Flasin… E di që nuk kanë të drejtë, që ne nuk u kemi bërë asgjë, por njerëzit kështu janë, ndaj dhe ti duhet të fejohesh sa më parë, se përndryshe do të mbetesh vetëm. Dua që kur të vdes, mos të të lë njeri pa njeri. Dua ta di që do të jesh e sigurtë! Ky burri për të cilin më foli Leta dukej njeri i mirë. Po pastaj se i ka vdekur gruaja e ka dy fëmijë? Ti do t’i rrisësh ata si të ishin fëmijët e tu. Pastaj, do të bëhesh edhe vetë nënë. Në fund të fundit, kjo do të jetë lumturia jote më e madhe në jetë!
Fjalët dhe lotët e saj më shtynë ta takoja atë burrë. E dija që nuk do të doja asnjeri në botë sa Bertin, ndaj thashë që të paktën të provoja çfarë ndjeje kur bëheshe nënë. Pastaj, e dija se asnjeri nuk do të donte të martohej me mua, me një vajzë që kishte qenë një herë e fejuar.
E takova Skënderin në një ditë me shi. Më dukej sikur edhe natyra ishte kundra lidhjes sonë. Më vinte të qaja fort. E vetmja gjë që më kalonte në mendje ishin kujtimet e Bertit. Asgjë tjetër. Skënderi fliste, por mua më dukej sikur nuk ishte fare. E megjithatë, pranova të bëhesha gruaja e tij. U takova edhe me djemtë e tij. I madhi asnjëherë nuk më deshi, ndërsa i vogli, duke qenë se nuk e njihte mamanë e tij, më afroi shumë shpejt. Atë e rrita dhe e desha si fëmijën tim. Më vonë, disa muaj pas martesës, mësova se nuk mund të lindja fëmijë. Zoti po më godiste me një tjetër fatkeqësi. Nuk e di se përse fati është treguar kaq i pamëshirshëm me mua.
Të gjithë jetën time ia kushtova djalit të vogël të tim shoqi. Ai më deshi dhe e desha. I madhi asnjëherë nuk u tregua i mirë e i sjellshëm me mua. Nuk i vë faj, megjithëse veprimet e tij ishin të liga. Tani është jashtë shtetit, është martuar dhe ka familje, ndërsa i vogli është këtu, është fejuar dhe së shpejti do të martohet.
Kjo është historia ime e dhimbshme, që më ka bërë gjysëm njeriu. Edhe sot e kësaj dite, rri e ulur në një kolltuk, qëndis dhe kujtoj Bertin. E kujtoj çdo ditë. Ndonjëherë edhe flas me të. I them të më presë, pasi nuk besoj të vonojë edhe shumë bashkimi ynë i përjetshëm…