Ish-e dashura

– Në ëndërr pashë sikur isha në një emision televiziv bashkë me një vajzë.

Ajo nisi të fliste diçka, por ishte e paqartë.

Ngaqë më erdhi keq, ndërhyra dhe i thashë se do ta ndihmoja unë që të shprehej më mirë. Më pas i fërkoja barkun dhe i thashë: “Dua të kem fëmijë me ty”. Ajo m’u drejtua: “Po ti ke qenë i lidhur!”. Më pas më erdhi familja ime bashkë me ish-të dashurën, e cila më tha nga ana e saj: “Gjithçka ishte një lojë dhe unë jam përsëri me ty”. Ç’do të thotë, ju lutem, kjo ëndërr?

– Ëndrra juaj lidhet me të kaluarën dhe të tashmen tuaj, që bashkohen në një pikë. Emisioni televiziv janë rrethi juaj shoqëror dhe presionet (nëse mund të quhen kështu) që ju bëjnë për të pasur një jetë më aktive. Dikush ju qëndron afër, ose ju e njihni tani vonë dhe po ju imponohet që të jetë diçka më shumë për ju. Dëshironi të keni një lidhje, por këtë doni ta bëni jo sepse ndjeni vërtet, por sepse dëshironi të harroni në njëfarë mënyre atë që keni pasur në të kaluarën. Ish-e dashura është akoma e pranishme në mendjen e zemrën tuaj dhe mund t’ju shfaqet papritur. Keni lënë gjëra pezull dhe për këtë ju nevojitet të sqaroheni një herë me të kaluarën e pastaj të mendoni për të ardhmen. Ka shumë mundësi që ju të ktheheni me atë që keni pasur, prandaj mos filloni angazhime të reja sepse mund të lëndoheni dhe të lëndoni edhe persona të pafajshëm rreth jush.

Fotografi e vjetër

– Para dy ditësh kam parë në ëndërr sikur isha te shtëpia e ish-burrit tim (në realitet, nuk është ajo), ku më doli ish-vjehrra dhe më tha: “Unë të nxora nga kjo shtëpi. Çfarë do që vjen përsëri?”. Ajo kishte në dorë një shirit të kuq të varur dhe një fotografi të vjetër. Kur po kthehesha te shtëpia ime, më thanë që s’mund të kaloja nga qendra e qytetit sepse kishte festë, po martohej dikush. Arrita në shtëpi dhe nuk e gjeta babain aty, ndaj i thashë vëllait: “Më mirë që nuk ishte këtu, që të mos e merrte vesh se unë kam një shok”. Pres një shpjegim.

– E nderuar lexuese, ju nuk jeni shkëputur totalisht nga jeta që keni bërë në të kaluarën. Janë edhe situatat dhe problemet e ditës që ju përplasin papritur me persona që i përkasin së shkuarës, por është në dorën tuaj të shkëputeni totalisht nga këta persona dhe të shikoni përpara sepse dikush mund të ketë qëllime vërtet serioze ndaj jush, sado që ju dukeni person pesimist. Fotografia e vjetër përfaqëson të gjitha pjesë e historisë suaj të kaluar, që nuk ju lënë të ngrini kokën dhe të shijoni atë çfarë keni tani e të jetoni e lumtur. Duhet të merreni më shumë me veten, sepse frika që keni shprehur në shtëpi e devijimi i rrugës drejt qendrës, tregojnë se gjendja juaj aktuale nuk është edhe aq e mirë. Ju ndiheni e frikësuar për arsye që vetëm ju mund t’i dini. Duhet të reshtni së menduari negativisht dhe së pasuri frikë. Qëndroni me kokën lart, shijojeni momentin dhe atë që keni në krah. Është jeta juaj dhe e askujt tjetër, ndaj keni nevojë të jetoni qoftë edhe hapur fare, pa pasur nevojë të fshiheni.

I dashuri në burg

– Kam parë në ëndërr sikur më telefonoi një djalë që ndodhej në burg dhe donte të lidhej me mua. Pasi e kundërshtova, ai më tha: “Rri me mua se unë do të të bëj t’i mbash vetullat lart”. Ç’do të thotë kjo? E kam të dashurin në burg.

– Ëndrra juaj tregon që do të merrni shumë shpejt lajme nga i dashuri. Ai do t’ju flasë për ndjenjat që ka karshi jush, por ju do të jeni e lëkundur, ndoshta sepse ai ndodhet në burg. Ç’t’ju themi, përveçse t’ju urojmë më të mirën për ju?!

Më puthi një i panjohur

– Po qaja me lot në ëndërr. Një mashkull m’u afrua për të më ngushëlluar dhe më puthi në buzë. Ishte një puthje shumë e butë, e thellë dhe shumë prekëse. Jam befasuar nga kjo ëndërr sepse s’e prisja që dikush të më vinte pranë dhe të më merrte me të mira. Dua një shpjegim këtë javë, mundësisht. Faleminderit.

– Ëndrra ju paralajmëron të bëni një balancim në jetën tuaj sepse jeni shumë e çorientuar kohët e fundit. Duhet ta hiqni frikën e brendshme që keni sepse kjo gjë po ju torturon më shumë seç duhet. Nga situata që ia krijoni ju vetes me frikën dhe ankthin që keni, shkaktoni pasiguri. Lotët që keni derdhur tregojnë dhembshuri dhe përmirësim të gjendjes emocionale, çlirim shpirtëror dhe gëzim për ju, ndërsa puthja nga mashkulli i panjohur tregon dashuri, ngrohtësi, qetësi dhe harmoni të cilat dëshironi t’i keni edhe në jetën reale. Keni nevojë për një marrëdhënie të sigurtë dhe të ngrohtë, sepse jeni natyrë shumë e ndjeshme e keni nevojë për mbështetje, por nga ana tjetër, keni shumë frikë të krijoni një lidhje, për arsye që mund t’i dini vetëm ju. Nëse ju pëlqen dikush, ju ka shprehur ndjenjat dhe ju ndjeni për të, ëndrra ju sugjeron të provoni dhe ta jetoni dashurinë për të cilën keni nevojë.

Para komisionit

– Pashë në ëndërr sikur isha në një provim. Përpara kisha një tavolinë të madhe ku ishte ulur komisioni. Papritur, tavolinës iu afrua shoqja ime që kishte veshur një bluzë plastike transparente. Gjithë çfarë ishin aty filluan të qeshnin me bluzën e saj. Edhe unë u çudita. Njëri nga ata që po bënin provim i tha një anëtari të komisionit, rreth të gjashtëdhjetave: “Ja, çfarë ka veshur ajo!”. Ai, çuditërisht, nuk reagoi si ne, por sikur ishte mësuar me këto gjëra. Ç’do të thotë kjo lloj ëndrre?

– Thuhet që jeta është një provim në vetvete. Siç shihet nga ëndrra, ju vazhdimisht i nënshtroheni gjykimit të familjes tuaj. Keni ca kohë që jeni në konflikt me familjen, sepse ata nuk janë dakord me zgjedhjet tuaja në jetë. Edhe personi me bluzë transparente që keni parë në ëndërr, jeni ju vetë. Ju jeni e frikësuar nga ideja që ata tashmë dinë çdo dobësi tuajën dhe shohin qartë edhe pasiguritë tuaja. Kjo s’ju pëlqen aspak. Megjithatë, një person i moshuar në familjen tuaj duket më pak paragjykues se të tjerët. Është mirë që ju të flisni me atë, pasi kjo do t’ju ndihmojë të jeni më e vendosur në ato çfarë doni të bëni apo thoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *