Më kafshoi një peshkaqen

– Në ëndërr shkova për të peshkuar dhe ndërkohë që futa dorën në ujë për të provuar detin sa i ngrohtë ishte,

më doli një peshkaqen dhe ma kafshoi dorën. Çuditërisht, nuk është se ndjeva dhimbje dhe as nuk pashë gjak.

Pres një parashikim.

– Peshkaqeni përfaqëson një person në jetën tuaj, që mund të jetë shumë lakmues, egoist dhe që mund t’ju lëndojë lehtë në mënyren e tij dhe ju mund të mos e kuptoni këtë gjë. Ky person mendon vetëm për veten e tij dhe kjo do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe te ju, që do ta vuani brenda jush. Atëhere, ëndrra ju këshillon të reagoni, ta mbani sa më larg këtë person dhe të mos mbyllni sytë para tij apo asaj. Gjithë të mirat.

Babai, që nuk jeton më

– Përshëndetje! Unë kam parë në ëndërr babain që ka tre vjet që ka vdekur. Ishte babi, mami e unë dhe po dilnim. Ai më tha të kthehesha dhe të merrja djalin në shtëpi. Unë u ktheva dhe e mora, vajta te lokali që më thanë, por aty më doli një burrë dhe më tha: “Ja, ku janë ulur”. Unë i shikoja nga larg. Para meje ishin shkallë të larta. Unë mundohesha, por nuk arrita dot të hipja lart te shkallët dhe bija. U mundova shumë, por nuk vajta dot. Unë i shikoja nga lart me keqardhje. Vendi ku ishin ata ishte shumë gropë dhe ata më shikonin, por nuk folën. Keta.

– E dashur Keta, ëndrra juaj është pak e ngatërruar, gjë që tregon se dhe ju po kaloni një periudhë shumë konfuze në lidhje me çështjet tuaja private familjare. Shfaqja e babait në ëndërr, edhe pse ai nuk jeton më, ju paralajmëron në njëfarë mënyre që të kujdeseni më shumë për veten dhe të jeni më e qartë në ato çfarë vërtet dëshironi. Prindërit në ëndërr, në çfarëdolloj forme që na vijnë, vijnë për të na mbrojtur, këshilluar dhe tregojnë shqetësime për personin në fjalë që e shikon këtë ëndërr. Duhet të kujdeseni si për vete, ashtu edhe për djalin, se mund të keni shqetësime të vogla shëndetësore, por që kalojnë shpejt. Shkallët janë dëshirat tuaja për të arritur nivelin që ju dëshironi, por për momentin, duhet të kënaqeni me ato që keni. Përgjithësisht, ëndrra juaj është pozitive. Jeni e mbrojtur në njëfarë mënyre nga personat që ju rrethojnë.

Lexoja poezi dashurie

– Kam parë në ëndërr sikur isha me një vajzë në krah. Unë mbaja një libër me poezi dashurie. Mbaj mend që isha në faqen e parë të librit duke i lexuar vajzës vargjet nga poezitë, ndërsa ajo këto vargje m’i kthente, pra, i lexonim njëri-tjetrit njëkohësisht dhe shkëmbenim edhe puthje. Kaloi dikush dhe na tha: “Njerëzit po ju komentojnë”. Unë iu përgjigja: “Ne duhemi dhe nuk më interesojnë fjalët e njerëzve”. Ju falënderoj. X.

– I nderuar X, ëndrra juaj është shumë romantike dhe tregon që edhe jeta reale do t’ju pëlqente të ishte e tillë. Poezitë dhe libri janë ndjenja të ndaluara dhe shprehje që s’ia keni thënë akoma personit për të cilin ndjeni. Ju keni nevojë të shpreheni më lirshëm ndaj njëri-tjetrit për çdo lloj ndjesie që kaloni nëpër mendje apo që keni në shpirt. Në njëfarë mënyre, e frenoni veten dhe arsyen pse e bëni këtë, e dini vetëm ju, ama kjo gjë po ju torturon në njëfarë mënyre, sepse keni nevojë më shumë për dashuri dhe nuk ndjeni se merrni të njëjtën gjë nga partnerja. Atëhere, çfarë prisni? Shprehuni në mënyrë që edhe ajo të ndjejë të njëjtën lirshmëri dhe konfindencë që të shprehet me ju. Ju uroj fat!

Bleva shtëpi

– E nderuar astrologe, në ëndërr pashë sikur isha në një kompleks ndërtimi dhe do të blija një ndërtesë. Takova disa njerëz dhe më thanë se me datë 10 do të shkoja të firmosja, pasi kishin pyetur dhe isha shumë i rregullt në të gjitha drejtimet. Unë iu përgjigjia se në këtë datë nuk firmosja, pasi ishim me Mërkur të kundërt. Në këtë moment, u zgjova. Realisht, nuk kam aplikuar për ndonjë shtëpi. Ju falënderoj. X.

Ëndrra juaj është shumë interesante dhe parashikimi i saj, po ashtu. Ndoshta jo tani, por në një të ardhme do t’ju lindë një ide apo plan për të investuar në diçka me shumë vlerë. Idetë do t’i keni të papritura, të paplanifikuara, por që kanë të bëjë me një pasuri të paluajtshme. Këtë gjë do ta diskutoni me disa persona të njohur, të cilët nga ana e tyre do të mundohen t’jua mbushin mendjen që të veproni ashtu siç duan ata, por ju, në këtë rast, duhet të ndiqni instiktin dhe intuitën tuaj, pa u ndikuar. Mund të merrni mendim, por jo të veproni në momentin që thonë ata. Kini durim sepse fati është me ju, thjesht duhet të ndiqni intuitën tuaj, pa u ndikuar nga personat në fjalë.

E veshur me të zeza

– Në ëndërr po shkoja diku për një rast vdekjeje, por nuk e dija se ku. Di vetëm që isha e veshur me të zeza dhe më ishin grisur edhe çorapet. I fejuari më tha: “Më mirë hiqi se nuk je në rregull kështu!”. Unë vesha një fustan tjetër të shkurtër me ngjyrë të hapur, jo të zi. Çfarë kuptimi ka, ju lutem?

– Ju jeni shumë e shqetësuar këto kohë për diçka dhe kjo shfaqet fare qartë në ëndërr. Nuk do të dëgjoni për asnjë vdekje apo sëmundje. Ëndrra ka të bëjë me ju, që ndiheni si e “vdekur” brenda jush dhe jeni gjatë gjithë kohës, e shqetësuar. Arsyen se pse jeni kështu e dini vetëm ju, por ëndrra tregon edhe anën tjetër, që ju jeni e shqetësuar për gjëra pa rëndësi. Këtë e tregon fakti që i fejuari juaj ju ka thënë: “Hiqini ato rroba” dhe ju keni veshur një fustan të shkurtër me ngjyrë të hapur. Nuk duhet të shqetësoheni, sepse gjithçka është në mendjen tuaj, jo se ka diçka reale për t’u ndjerë kaq në panik sa ndiheni ju. Qetësohuni!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *