Babai që nuk jeton më

– Përshëndetje!

Mamaja ime ka parë në ëndërr babain tim që ka vdekur para 20 vjetësh, sikur ai po mbante në krah një fëmijë një vjeç dhe e shtrëngoi.

Mamasë i vinte keq dhe i thoshte: “Kam tjetrin”, ndërkohë që e dinte se ata ishin të vdekur. Ç’do të thotë kjo ëndërr?

– Njerëzit e shtëpisë që nuk jetojnë më, vijnë në ëndrrat tona gjithmonë me një mesazh të qartë. Ëndrra tregon që mamaja juaj është e shqetësuar për diçka që ka të bëjë me familjen tuaj, por për të cilën ajo nuk shprehet. Edhe babai i ka dalë në ëndërr pikërisht për këtë gjë, për t’i treguar asaj që duhet të jetë më e kujdeshme për veten e saj dhe shëndetin. Fëmija që ka kapur në krah, tregon brishtësinë e mamasë suaj, të cilën ajo e harron dhe bën rolin e nënës e të babait bashkë, për pjesën tjetër të familjes, duke lënë mënjanë shqetësimet e saj.

Ushtarë

– Jam Alda. Kam parë në ëndërr para dy netësh ushtarë të cilët më kishin rrethuar dhe më thonin: “Ushtrohu si ne, duhet të disiplinohesh, se na e hoqe mendjen”. Unë nuk jam në shkollë policie, ndaj edhe u habita kur i pashë. Gjithë natën kam parë ushtarë. Ju lutem, më thoni, çfarë kuptimi ka?

– E dashur Alda, meshkujt ushtarë që keni parë në ëndërr ju paralajmërojnë për vetëdisiplinë, sepse mund të jeni ju ajo që provokon turbullira dhe grindje rreth vetes. Duhet t’i kushtoni vetes më shumë rëndësi, të vetëkontrolloheni, sepse po ju del situata nga duart dhe fare mirë mund të humbni ata që janë më të rëndësishëm për ju. Duhet të tregoni anën tuaj më të fortë dhe të lini mënjanë grindjet e tërheqjen e vëmendjes nëpërmjet sherreve. Ju jeni femër dhe keni nevojë për një reputacion tjetër, ndryshe nga ajo çfarë keni menduar ju se e tërheq vëmendjen.

Më doli qumësht nga gjoksi

E nderuar astrologe, kam parë në ëndërr një djalë me të cilin kam shoqëri, por kemi dhe pëlqim ndërmjet nesh. Ai po më puthte si të ishim të lidhur dhe, kur më preku te gjoksi, më doli qumësht. Po kur sheh në ëndërr një person që kërkon të të japë këpucë dhe bluzë të grisur nga ai vetë me gërshërë, ç’do të thotë? Ju faleminderit. Nga E., Durrës.

– Ëndrra juaj e tregon qartë se çfarë do të thotë: Ndjenja të ndaluara dhe një dashuri që ka lindur e po bëhet gjithnjë e më e fortë mes jush. Ju vërtet jeni thjesht shokë dhe kjo gjë mbase jua bën më të vështirë kapërcimin e këtij pragu për të jetuar një dashuri së bashku. Puthjet e tij tregojnë nevojën që keni ju për të qenë e dashuruar dhe për të falur dashuri, pikërisht me këtë djalë. Edhe gjoksi dhe qumështi i dalë, tregojnë se sa po e vuani këtë ndjenjë që po e shtypni dhe nuk e lini të lirshme që të dalë në pah. Pra, ajo çfarë keni parë, nuk tregon ndonjë ngjarje në veçanti, por ndjenjat tuaja ndaj tij. Vazhdimin, ju takon juve ta vendosni. Pjesa e dytë, parashikon njëfarë konfidence që dikush dëshiron ta ndajë me ju. Personi që keni parë, ka dëshirë të hapet me ju për diçka dhe ditët në vazhdim, do ta vërtetojnë këtë gjë.

Sorkadhe dhe ujk

– E nderuar astrologe, në ëndërr isha në lëndinën e sheshtë të një pylli, ku mbizotëronte ngjyra e gjelbër dhe kafe. Unë isha te lëndina e gjelbër dhe isha vendosur në qendrën e një rrethi të rregullt me sorkadhe që loznin rreth meje. Qëndroja i surprizuar, isha i mahnitur dhe nuk po çuditesha pasi sorkadhet kërcenin. Bëja t’i trembja dhe ato e zgjeronin rrethin duke u larguar, por në moment, afroheshin gjithmonë duke luajtur. Jashtë rrethit qëndronte ulur një ujk, por unë nuk e kisha frikë. Ishte diçka e mrekullueshme! Pres një parashikim. Ju falënderoj.

I nderuar zotëri, lëndina që keni parë tregon njëfarë qetësie të brendshme që ju e zotëroni, që jeni person që mendoni përgjithësisht pozitivisht dhe keni shpresa për gjithçka. Kjo është një gjë e mirë. Edhe ngjyra e gjelbër, edhe kafja, tregojnë shpresë dhe stabilitetin që kërkoni rreth jush. Ju dëshironi të jeni me këmbë në tokë dhe të keni besim. Të njëjtën gjë kërkoni edhe nga ata që ju rrethojnë. Sorkadhet përfaqësojnë njëfarë humori të lëvizshëm brenda jush. Sa jeni shumë të qetë dhe plot energji, po aq shpejt bini në melankoli dhe mbylleni në vetvete. Duhet të keni kujdes, sepse shpesh, kjo gjë bën që të trembni ata persona të rëndësishëm që keni rreth jush. Jeni tip i ngrohtë, por kjo s’do të thotë që keni vazhdimisht sukses në jetën private. Për momentin, ndiheni mirë, por përsëri dikush ju mungon ose e keni, por nuk ndiheni i plotësuar si nga ana intime, ashtu edhe ajo e ndjenjave. Megjithatë, kjo gjë nuk ju tremb, sepse ju dini si të dilni nga çdo lloj gjendjeje me të cilën ju ndodh shpesh të përballeni. Ndërsa ujku që keni parë, tregon se duhet të keni pak kujdes me shëndetin, të mos e lini pas dore.

Drejtoja një avion

– E nderuar astrologe, në ëndërr drejtoja një avion. Krah meje ishte edhe një avion tjetër, por nuk e mbaj mend nëse ishim duke garuar. Pas disa çastesh, avioni tjetër u zhduk dhe unë vazhdoja të drejtoja avionin. Ajo që më bëri përshtypje ishte se isha i sigurtë, i qartë dhe nga kabina, dukej pastër hapësira. Faleminderit.

– Ëndrra juaj tregon që përgjithësisht jeni person shumë ambicioz dhe për të arritur atë që dëshironi, nuk ngurroni të guxoni apo të rrezikoni. Kjo është ana psikologjike e ëndrrës tuaj, ndërsa përsa i përket parashikimit, avioni që keni parë tregon projektet tuaja për të ardhmen, por që për momentin janë të parealizueshme sepse ato ide që keni në kokë nuk janë shumë realiste. Veç kësaj, kohët e fundit po u shmangeni shumë ndjenjave, duke u përqendruar tek ambiciet tuaja. Kjo nuk është edhe aq pozitive, sepse në një moment të vetëm, mund të ndiheni shumë të vetmuar. S’po themi të mos realizoni projektet tuaja, por kushtojuni rëndësi edhe ndjenjave dhe shpirtit.

Në lartësi

– Përshëndetje! Kam parë në ëndërr sikur isha në një lartësi shumë të madhe. Doja të zbrisja, por nuk zbrisja dot. Lartësia ishte me rrjetë. Ju lutem, më ktheni përgjigje këtë javë, sepse jam e shqetësuar.

– Nuk keni pse të shqetësoheni, përkundrazi, ëndrra tregon që jeni në lartësinë e duhur në të gjitha drejtimet, pavarësisht se ju e përjetoni me frikë këtë gjë. Gëzojuni faktit që jeni në atë lartësi dhe shijoni momentin. Mos mendoni për frikën apo çfarë vjen pas saj. Thjesht, jetoni momentin, këtë këshillë ju transmeton ëndrra.

Në restorant

– E nderuar astrologe, para disa ditësh kam parë këtë ëndërr: Isha me një të afërmin tim në lokal ku kishte shumë njerëz dhe tavolina të shtruara, dukej si atmosferë feste. Restoranti ishte me hapësira të mëdha të ndriçuara. Vendet ishin të gjitha të zëna, vetëm një tavolinë ishte bosh, por ndodhej shumë afër tavolinës ku ishte ish-e dashura. Vura re që ish-e dashura ishte shëndoshur shumë dhe sa më pa mua që po afrohesha, u çua në këmbë. Këtu, u zgjova. Faleminderit.

– Ëndrra që keni parë tregon se jeni para një periudhe e cila do t’ju ofrojë shumë mundësi si përsa u përket të mirave materiale, ashtu edhe atyre personale. Keni nostalgji për ish-të dashurën, por është e vështirë që ju të bëheni sërish bashkë, sepse janë disa gjëra mes jush që ju nuk i kapërceni dot. Megjithatë, fati është me ju, restoranti, dritat dhe hapësirat, tregojnë të gjitha mundësira dhe shanse për ju në çdo drejtim. Duhet vetëm të dini si t’i vlerësoni dhe të jeni më zemërgjerë dhe mirëkuptues me ata që ju rrethojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *