U ktheva në fëmijëri
– Mbrëmë pashë në ëndërr sikur u riktheva në fëmijërinë time të largët. Unë jam 30 vjeç tani, por e pashë veten në shkollën fillore. Pashë të njëjtat banga, shoqet, shokët, klasat, të njëjtët profesorë. Sa afrohesha t’u flisja, më bëheshin të panjohur, direkt më dukeshin nxënës të tjerë dhe jo ata që njihja unë. Çfarë parashikon kjo ëndërr? Faleminderit. Nardi.
– Kjo ëndërr ka dy kuptime: Së pari, tregon që në fëmijërinë tuaj keni qenë natyrë shumë e ndrojtur, nuk e keni shijuar atë periudhë si të tjerët dhe jeni ndjerë gjithmonë i veçuar, ndaj edhe e mendoni shpesh këtë gjë. Pasojat i vuani edhe tani, sepse ëndrra ka të bëjë edhe me jetën që bëni ju tani. Jeni më shumë seç duhet serioz, nuk i lini shumë hapësira vetes për të bërë një jetë më argëtuese, me më shumë ngjyra dhe kjo ju bën të ndiheni paksa të vetmuar, ashtu si në fëmijërinë e largët. Duhet të dilni nga guacka juaj, ta jetoni jetën me çdo gjë dhe të mos vendosni mure që do t’ju bënin të ndiheshit më i vetmuar se kurrë. Pra, ëndrra juaj është këshilluese, ndaj filloni të jetoni; nuk është kurrë vonë!
I kishin rënë dhëmbët
– Kisha bërë në plan të shkoja në plazh me shoqet e mia. Më përpara takova shoqen time të ngushtë sepse do bënim plan se çfarë do të vishnim. Kur e pashë shoqen, vura re se asaj i kishin rënë tre dhëmbët e parë. I thashë: “A e ke parë veten në pasqyrë që të kanë rënë dhëmbët?”. Ajo, e tmerruar, mori pasqyrën e tualetit, pa që nuk i kishte dhe filloi të qante me dënesë. Unë i thashë të pushonte sepse mund të vinte dhëmbë të rinj dhe nuk ishte problem, por ajo qante dhe më thoshte: “Si do t’i dal përpara të fejuarit tim?”. Aty, nga sikleti, u zgjova nga gjumi. Çfarë parashikon kjo ëndërr?
– Së pari, ëndrra juaj tregon që jeni pak në siklet, përsa i përket udhëtimit. Gjithmonë para se të niseni për diku, ju jeni pak në ankth. Përsa i përket shoqes suaj, ajo po kalon një periudhë stresante që ka lidhje me të fejuarin e saj. Do të ndihet sikur çdo gjë po shkatërrohet dhe ndjehet e pafuqishme për ta rregulluar. Ndoshta në ditët në vazhdim do të kërkojë ndihmën tuaj me një këshillë ose mbështetje psikologjike, por s’duhet të shqetësohet sepse ajo ka qarë në ëndërr dhe kjo do të thotë se do të ngushëllohet shumë shpejt, pra, do të gëzohet dhe do të lehtësohet nga sikleti që po kalon. Çdo gjë është kalimtare dhe shoqja juaj do të ndihet më e qetë e do t’i zgjidhë të gjitha problemet që ka pasur deri tani.
Vajzë lakuriq
– Kam parë në ëndërr një vajzë shumë të bukur që ishte komplet lakuriq. Ishte brune dhe shumë tërheqëse. Isha së bashku me një mikun tim, e morëm këtë vajzë dhe e ulëm në tavolinë me ne. Shokut tim i iku truri fare, dukej sikur po e hante me sy, ndërsa unë nuk bija shumë në sy, pavarësisht se e admiroja. Çfarë kuptimi ka?
– Mendoj se në mënyrë të pandërgjegjshme, ashtu në gjumë, ju keni pasur nevojë për marrëdhënie seksuale. Ëndrra tregon edhe një anë tjetër të karakterit tuaj, që nuk jeni shumë i lirshëm në marrëdhënie intime; e frenoni shumë veten, edhe atëhere kur keni ndonjë lidhje. Mos vallë kjo ka të bëjë me ndrojtjen tuaj ose nuk ndiheni shumë i sigurtë në vetvete? Gjithsesi, mos u trembni, gjithçka do të kalojë dhe ju do të piqeni e do të ndiheni më i hapur në një marrëdhënie.
Më sulmoi një akrep
– Para dy netësh kam parë një ëndërr të frikshme, prandaj do t’ju lutesha të më tregoni se çfarë do të thotë. Isha me disa miq të mitë në një tip lugine dhe po loznim e po bënim muhabete të ndryshme për shkollën e punën. Në një moment, dikush më tha që kisha një akrep te këmbët. Kur e pashë, u tromaksa dhe thashë ta shtypja me këmbë, por sa më shumë afrohesha ta shtypja, aq më shumë më afrohej dhe një moment e ndjeva që më kafshoi. Më pas, m’u duk sikur e godita, por përsëri nuk isha e sigurtë. Ju lutem, më thoni, çfarë kuptimi ka?
– Ju keni shumë shoqëri, pra, keni shumë njerëz pranë vetes dhe shpesh ndiheni me fat. Ju pëlqen të jeni në qendër të vëmendjes dhe të tërhiqni shumë persona rreth vetes, ama shpeshherë kjo gjë nuk është në të mirën tuaj sepse ju nuk dini të seleksiononi dhe të kuptoni cilët janë miqtë tuaj të vërtetë. Akrepi që keni parë, përfaqëson miq hipokritë të cilët janë gati të përdorin lloj-lloj rrugësh për t’ju dëmtuar juve. Ju kanë zili sepse zakonisht, ju arrini çfarë dëshironi. Dikush ama, sado e fortë që të jeni, do t’ju sulmojë dhe do të lëndoheni disi, por përsëri do ta kapërceni këtë gjë dhe do të ktheheni në gjendje qetësie. Keni shumë kundërshtarë rreth vetes të cilët nuk mjaftohen vetëm me një debat, por bëjnë gjeste e veprime kundra jush dhe ju s’e kuptoni. Ndoshta ky lëndim që do të pësoni do t’jua hapi sytë disi. Më mirë një shok i mirë sesa dhjetëra miq të pabesë.
Manikyr
– E pashë veten në një qendër tregtare dhe po mendoja se sa mirë do të ishte të shkoja të rregulloja thonjtë. Një moment, kur i pashë, i kisha të gjatë, të lyer bukur me ngjyrë të kuqe dhe mendova: “Unë s’paskam nevojë t’i rregulloj, i kam shumë mirë”. Më pas sikur m’u shfaq një e njohura ime dhe më tha sa keq i kisha thonjtë. Unë mora menjëherë një manikyr e fillova t’i lyeja vetë. Më pas, dikush më doli përpara dhe më tha: “Mos u mërzit, mua më ke afër”, por unë përsëri kisha në mendje të bëja diçka dhe vazhdimisht shikoja thonjtë, thua se gjithçka kishte lidhje me ato. Me pak fjalë, e gjithë ëndrra ishte e lidhur me thonjtë. Herë i shikoja shumë të bukur, herë të shëmtuar, prandaj dua të di se çfarë kuptimi ka kjo ëndërr?
– Duke qenë se e gjithë ëndrra juaj ka lidhje me thonjtë, edhe parashikimin e saj do ta japim në vija të përgjithshme, në lidhje me thonjtë. Thonjtë, përgjithësisht, simbolizojnë “armët” me të cilat ju mbroheni në jetën e përditshme dhe kryesisht, nga armiqtë tuaj e padrejtësitë e jetës. Manikyri është diçka sipërfaqësore që duket te një femër dhe tregon për natyrën tuaj ambicioze. Ju jeni një person që bëni të pamundurën për të arritur atë çfarë dëshironi, arrini të pushtoni apo dominoni çdo gjë që dëshironi të jetë e juaja. Në rast se shihni sikur po i bëni manikyr vetes, do të thotë që do të arrini sukses përsa i përket paraqitjes suaj, imazhit. Jeni person shumë i gjallë dhe ju pëlqejnë sfidat. Ka mundësi që në të ardhmen e afërt, dikush do t’ju vijë në ndihmë. Thonjtë e përkujdesur tregojnë se jeni një person që ju pëlqen literatura, zbulimet, por jeni edhe kursimtare. Thonjtë e gjatë premtojnë për një jetë të gjatë, por duhet të keni kujdes nga spekullimet që vijnë nga të tjerët, kurse thonjtë e shkurtër janë pasqyrim i një jete me mundime. Thonjtë, në ndërlidhje me ngjyrën e kuqe, janë sinonim i gjallërisë, fuqisë, krenarisë, vullnetit, seksualitetit, pasionit, zjarrit dhe aventurës. Është simbol paralajmërues që të frenoni veten nga pasione apo ndjenja të fuqishme. Ato mund të jenë ndjenja zemërimi, hakmarrjeje, hidhërimi etj. Në përgjithësi, jeni person impulsiv, por bota në sytë tuaj nuk duhet të jetë gjithmonë “e kuqe”. Si ngjyrë më vete, zakonisht, e kuqja premton fat në dashuri. Nëse mbi ngjyrën e kuqe, keni vendosur një tjetër ngjyrë, do të thotë që jeni në dijeni për temperamentin tuaj, por mundoheni ta ndrydhni dhe ta mbani të fshehur emocionalitetin tuaj. Ndoshta dëshironi të veproni diku, por në fakt, nuk është momenti. Bëni një hap prapa, sepse do të zbuloni diçka që do t’ju vlejë për të ardhmen.