Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Si të dobësohesh duke kërcyer?!

Ja disiplinat e konsoliduara dhe risitë në fushën e fizkulturës me kërcim, për të mos u gjendur të papërgatitur për verën që po vjen.

Vera po vjen dhe trupi ynë duhet të jetë i tonifikuar, por ky është një binom që në shumicën e rasteve, ngjall shqetësim te të gjithë.

Megjithatë, mos u alarmoni, kemi përzgjedhur për ju llojet e kërcimeve që praktikohen në sallat e palestrave, të cilat do t’ju japin të njëjtën ndjesi që ju jep një mbrëmje zbavitëse me shoqërinë.

Advertisement

Me një fjalë, justifikimet nuk pinë më ujë, edhe ai që “palestra ju mërzit”. Nga kërcimi Garuda, i praktikuar nga Madona dhe Gineth Paltrou, tek ai Xtend me shkop, që bashkon elementet tipikë të pilateve, me atë të baletit klasik të mbështetur pas shkopit, nga Zumba, versioni ulur, te S Faktor, një kërcim seksi që shërben për të çliruar feminilitetin tuaj. Gjithashtu, edhe ritme latine e afrikane për seanca zbavitëse e shpërthyese, që do t‘ju bëjnë të humbisni kalori. Qëllimi i kërcimit të përdorur si metodë fizkulture është pikërisht tonifikimi i trupit, duke stimuluar ata muskuj që normalisht, punojnë më pak, zgjatja dhe stërvitja e tyre, duke fuqizuar njëkohësisht rezistencën aerobike. Pastaj, kështu, do të harroni që jeni në palestër…

1. Shkopi Xtend

Është disiplina e preferuar e shumë VIP-ave përtej oqeanit dhe kjo duhet t’ju shtyjë ta provoni. Shkopi Xtend bashkon baletin (të mbështetur pas shkopit) me pilatet, duke ju dhënë mundësinë të vini në punë muskujt që përdoren më pak. Me anë të tij, trupi rezulton më i tonifikuar dhe i zgjatur. Krijuese e këtij lloj kërcimi është Andrea Roxhers, që ka menduar të fusë në kurset e saj të pilateve edhe muzikën dhe baletin, për t’u ofruar nxënësve të saj një sfidë të re në fushën e koordinimit, ritmit dhe stërvitjes kardiovaskulare.

2. Bokua

Bëhet fjalë për një program dobësimi energjizues, me të cilin mund të harxhosh deri në 1200 kalori gjatë një seance. Ky është një kërcim që ka lindur në Los Anxhelos dhe përzien kërcimin afrikan me kikboksin. Hapat janë të thjeshtë: Duhet të vizatosh me këmbë shkronja dhe numra, ndërkohë që lëviz lirisht, sipas ritmit të muzikës. Ndryshe nga shumica e displinave, në të, nuk është parashikuar përllogaritja se sa herë duhet bërë një ushtrim (mënyra klasike: me seri prej 8 ushtrimesh) dhe nuk ndjek një koreografi të caktuar, por thjesht, ritmin e muzikës. Pasi mëson hapat kryesorë, mund ta praktikosh edhe në shtëpi.

3. Piloxing

Ideja është e Viveka Jensenit, kërcimtare dhe trajnere suedeze që banon në Kaliforni. Piloxing është një lloj fizkulture zbavitëse që bashkon pilatet, boksin dhe kërcimin në një seancë me intervale dhe me intensitet të lartë. Shkathtësia, forca dhe shpejtësia e boksit bashkohen me përkulshmërinë dhe veprimin e përcaktuar mirë të pilateve, së cilës i shtohen hapa kërcimi zbavitës. Këto ushtrime stërvisin gjithë muskujt e trupit dhe në një orë, mund të djegësh deri në 900 kalori.

4. Zumba

Tashmë, e njohin të gjithë sepse zumba mësohet gati në çdo palestër. Ajo bashkërendon aerobinë, tonifikimin, sambën, hip-hopin, flamengon, regetonin, merengen dhe tangon, të praktikuara nën ritmin e muzikave karaibike dhe latino-amerikane. Me të, digjen shumë kalori dhe rezultatet janë të shumëfishta: Stërviten muskujt e këmbëve dhe të pasmet, sheshohet barku, forcohen krahët dhe modelohen ijet. Zumba bën mirë për shëndetin dhe ka efekte të mira në sistemin e qarkullimit të gjakut dhe frymëmarrjes. Numërohen mbi 14 milionë të apasionuar pas saj.

5. Zumba sentao

Ky është një version i ri i zumbës, që vjen nga portugalishtja dhe do të thotë: zumba ulur. Gjatë saj, përdoret një karrige që forcon, barazpeshon, stabilizon ekulibrin dhe përmirëson punën e zemrës. Do të jetë një nga kërcimet në modë në muajt në vazhdim.

6. Pole Dance

Ky kërcim është i përshtatshëm si për gratë, ashtu edhe për burrat. Është një përzierje gjimnastike dhe kërcimi, për të cilin përdoret një tub i fiksuar në dysheme, por kujdes, nuk është tamam kërcimi i striptisteve në klubet për të rritur! Ekzistojnë edhe kampionatet botërorë për të dhe të apasionuarit janë duke u përpjekur ta fusin si disiplinë në Olimpiadë. Me Pole Dance punojnë muskujt e krahëve, këmbëve dhe të barkut.

7. S Factor

Bashkojeni Pole Dance me ngarkesën erotike të striptizës dhe ja ku del S Factor, ku S do të thotë seduction (joshje). Është një teknikë që u mëson grave gjuhën e trupit, nëpërmjet lëvizjeve të derdhura, shumë femërore dhe zgjon tek ato ngarkesën e fshehur erotike. Ky kërcim seksi i botës së fizkulturës përzien jogën, kërcimin, pilatet, striptizin dhe Pole Dance. Ideatorja e tij është Sheila Keli: “S Factor lindi kur zbulova forcën time sensuale dhe trupin më në formë që kam pasur ndonjëherë, duke përgatitur rolin e një balerine ekzotike”, shpjegon Sheila Keli në sitin e saj zyrtar. “Jeta ime ndryshoi kaq thellë me këto lëvizje tipike femërore, saqë desha ta ndaja këtë eksperiencë edhe me gra të tjera”.

8. Booty Barre

Elementi kyç i Booty Barre është biomekanika. Kjo disiplinë, e krijuar nga Trejsi Male, një trajnere e shumë vipave të Hollivudit, është një program revolucionar që bashkon teknikën e pilatëve, të kërcimit dhe të jogës, për një stërvitje atletike. Është kombinimi i përkryer i forcës dhe përkulshmërisë, të cilës i shtohet edhe puna e zemrës që zhvillohet falë përdorimit të shkopit të baletit.

9. Garuda

Është një stërvitje e përpunuar nga Xhejms D’Silva, me origjinë indiane, që jeton në Londër dhe që njihet si trajneri personal i Madonës. Përveç të tjerave, ka stërvitur edhe Gineth Paltroun dhe shoqen e saj, Trudi Stajler. Garuda, që në mitolgjinë indiane është zogu që ndryshon formë sipas nevojës, përzien kërcimin, pilatet, tai shinë dhe jogën, me një punë kardiovaskulore të bashkuar me përkulshmërinë, ritmin dhe rrjedhshmërinë.

10. Kërcimi Tai Shi

Dy kultura krejtësisht të kundërta bashkohen në këtë stërvitje që bashkon tai shi-në, një teknikë luftimi të lindur në Kinë në vitin 1000 p.e.s. dhe hip-hopin, kërcim i lindur në Bronks të Nju Jorkut në vitet ‘70. Kërcimi tai shi shkrin dy aspektet pozitive të dy aktiviteteve: Lëvizje të ngadalta dhe të kontrolluara, me hapa kërcimi energjike dhe me ritëm të lartë. Ideal për ata që duan të bien në peshë.

11. Kërcim Kardio

Momente zbavitjeje të vërtetë në këtë kurs arobie me elemente kërcimi. Digjen afro 400 kalori në orë, shkëlqyeshëm për të përmirësuar stërvitjen kardiovaskulare dhe koordinimin.

12. Kërcimi i stilit hip-hop

Ky është një kërcim rruge, me element karakterizues stilin e rrugës së getove amerikane dhe tingujt e rrepit. Efektet e tij, falë origjinalitetit të muzikës, janë zbavitja dhe relaksimi. Në të lëviz lirisht, pa stereotipe.

13. Kërcimi tribal i barkut

Është një lloj kërcimi që bashkon lëvizjet e kërcimit të barkut me ato afrikano-tribale. Muzika është e përzgjedhur nga ajo e Shakirës, tek ajo me bateri dhe theksi vihet te lëvizja e legenit. Kërcehet nga i gjithë grupi bashkë, me koreografi dhe lëvizje të improvizuara. Është i mirë për të tonifikuar muskujt e barkut dhe të pasmet, por edhe të krahëve dhe këmbëve. Energjia dhe ritmi bëjnë të arrihet një punë e mirë kardiovaskulare dhe mund të digjen afro 300-400 kalori në orë.

14. Ori Tahiti

Ori Tahiti është kërcimi tipik i Polinezisë Franceze, traditë e kulturës Mahoi. Ritmi i tamburëve dhe ukuleles (lloj kitare tradicionale), lëvizja e valëzuar e krahëve dhe ijeve, i bëjnë thirrje thelbit të natyrës dhe të tokës. Hapi bazë i kërcimit është ori, që konsiston në lëvizjen e butë të ijeve, që fillon që nga gjunjët, por që nuk i transmetohet bustit. Krahët, të hapura nga jashtë, tunden duke u valëzuar.

15. Kërcimi i 5 ritmeve

Kërcimi i 5 ritmeve është një kërcim i ri, që mund të praktikohet nga të gjithë, pavarësisht nga mosha apo niveli fizik. Lëvizjet ndjekin 5 ritme të ndryshme muzike: Fluid, kaos, lirik, qetësi dhe shkëputje. Së bashku krijojnë një valë energjie që të bën të hysh në kontakt me ndjesitë e tua dhe të çlirosh forcën tënde të brendshme. Mund të relaksosh tensionet e tua dhe të çlirosh ato që nuk është e nevojshme t’i mbash. Ideatorja e kërcimit është Gabriel Roth, artiste, kërcimtare dhe shkrimtare, e vdekur kohët e fundit, shkolla e së cilës është në SHBA.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Më doli vëlla e shkuar vëllait

Next Post

Vrava engjëllin tim!

Advertisement