Një e dashur shqiptare kushton më pak…
Përshëndetje, miqtë e mi!
Ja ku u takuam përsëri. Uroj të jeni mirë dhe ju ftoj të lexoni historinë e radhës nga jeta e natës, kaq e pasur me ngjarje të bukura, kërcime, alegri, por edhe me pije pa fund, duhan dhe lëndë narkotike. Hehehehe, po vazhdoj më mirë, se e shoh që po ju duket interesante…
Në Tiranën e natës mund të ndodhë dhe mund të gjesh gjithçka, mjafton të gjesh njerëzit e duhur dhe të kesh para mjaftueshëm me vete. Si çdo fundjavë, jam në një nga klubet më luksoze në Tiranë, një ndërthurje mes pabit dhe muzikës live, arreduar me shije, pikërisht në qendër të Tiranës, në zonën e quajtur ish-Blloku. U ula si gjithmonë në një nga tavolinat ku na drejtoi menaxheri i atij klubi dhe, që në fillim, na bëri përshtypje (mua dhe shoqes që kisha në tavolinë) një djalë që kishte hijen e bosit, atij djalit që nuk i interesonte se sa mund të shpenzonte brenda natës, apo për netë të tëra në vazhdim. Pasi na përshëndeti, ai na ofroi edhe për të pirë dhe u duk qartë që po “gjuante” shoqen time, një bukuroshe kaçurrelse e cila vërtet bie në sy që larg. Duke u prezantuar me një anglishte gjysma-gjysma, ai na tha se ishte investitor turk që jetonte prej vitesh këtu në Shqipëri. Nuk na bezdisi si komunikim dhe vazhduam të bisedonim. Pas disa minutash bisede, ai u afrua pak më shumë me shoqen time dhe bisedat bëheshin vetëm duke i folur njëri-tjetrit në vesh. Ai i propozoi që të pinin një kafe të nesërmen dhe shoqja ime i tha që nëse nuk do t’i dilte ndonjë punë, mund edhe ta pinin. Unë e kuptova që e bëri vetëm për të dalë nga situata, sepse ajo nuk do të dilte kurrë me një mashkull që e njeh në një klub nate. Edhe ai duhet ta ketë kuptuar, por kjo nuk e pengon të vazhdojë të qëndrojë me ne, duke na thënë se në Tiranë ka gjetur një parajsë që nuk e imagjinonte më parë, sepse “vajzat këtu janë të ngrohta e të dëgjueshme” dhe, mbi të gjitha, “një e dashur shqiptare kushton më pak”, thotë ai
Ai ishte si i shtëpisë aty dhe i përshëndeste pothuajse të gjithë ata që hynin dhe dilnin nga lokali. Pastaj na shpjegoi se njerëzit e zanatit të tij, duke pasur parasysh se sa lodhen duke punuar me investime e shifra, kanë nevojë të argëtohen dhe argëtimi, për të, ishte të kalonte një natë apo ndoshta edhe disa orë me vajza të bukura që i paguante. Në atë moment, shoqja ime u tremb edhe më shumë. Unë e shtyva me bërryl, sepse doja të mësoja edhe më shumë se si e kalonin kohën biznesmenët në Tiranë, apo siç i quajnë ndryshe, “bobat” e Tiranës…
Pak minuta më vonë, në atë lokal hyri një femër super e bukur, që i ngjante një ikone televizive, aq e bukur sa, kur hyri ajo, i gjithë klubi ktheu kokën.
Ajo u drejtua për nga tavolina e “bobit”, siç e pagëzova unë turkun. U prezantua me ne dhe “bobi” na tha se ajo ishte e “dashura” e tij për atë natë. Ajo nuk u trondit nga ajo që tha ai, përkundrazi, porositi pijen e saj dhe, pasi trokiti gotën me ne, vazhdoi ta pinte e qetë. Ishte studente dhe na tregoi se e dashuronte jetën që bënte dhe se “bobin”, e takonte herë pas here, madje tani i ishte bërë e zakonshme të dilte me të. “Bobi” më tha që personalisht nuk kishte asgjë me ato “vajza të mira”, siç i quante ai, të cilat natën bënin profesionin më të vjetër në botë, prostitucionin, ndërsa ditën ishin studente, si studentja e tij, e cila vinte sa herë që ai e thërriste. Ajo kërcente dhe ai nuk mbante fre në duar, por ia hidhte lekët sipër kokës dhe ajo, pa u menduar dy herë, i merrte paratë dhe i paloste në dorë. E pyeta se përse i merrte ajo dhe m’u përgjigj se kështu funksiononte, lekët nuk ia jepte kurrë në dorë, sepse sipas tij, nuk donte ta “ofendonte”. Ai më tha se shqiptaret janë femra të bukura, por edhe të lira, madje nuk harroi të shtonte se femrat shqiptare pëlqejnë shumë të huajt sepse paguajnë më mirë, bëjnë dhurata dhe nuk “të bëhen rrodhe”, madje ndodh edhe që historia e nisur me para, të përfundojë me martesë “sepse të gjitha gocat këtu e kanë ende me shumë qejf martesën”, thotë ai. Ai fliste e une mendoja: Pse shumë nga vajzat e metropolit bëjnë jetë të dyfishtë natën-rrugëve, ditën-studente (edhe me rezultate shumë të mira)? E për çfarë do t’u hyjë në punë ajo diplomë, kur shesin trupin e tyre për të siguruar qiranë e shtëpisë, dalin me meshkuj që nuk i kanë parë ndoshta kurrë më parë në jetën e tyre, puthen, kalojnë netë më ta dhe në fund, paguhen për shërbimet e tyre?!
Por le të kthehemi te vajza që kemi në tavolinë… Ajo ndenji edhe pak, futi paratë në portofolin e saj Gucci dhe thirri taksinë e u largua me “bobin”. E shikoja dhe doja të gjeja në të qoftë edhe një grimë dhimbshmurie, apo keqardhjeje për veten, por jo, ajo po ikte me bindjen se nuk kishte bërë asgjë të gabuar. Prindërit e saj nuk dinë se çfarë bën vajza e tyre, madje kam bindjen që ata mendojnë se vajza e tyre e gdhin mbi libra, sepse kur vjen puna të provimet, ajo bën punën më të lehtë, i blen ato! Sa do të zgjasë jeta që bën? Eh, atë nuk e dimë, as unë, as ajo, as vetë koha. Kështu ndodh në Tiranë, ku gjithçka e ka një çmim. Ku të gjithë dinë se çfarë ndodh, por nuk kanë qejf t’u flasësh për të, madje thjesht pijnë, qeshin, dehen, drogohen, paguhen, paguajnë… Dhe te gjitha këto ndodhin ne klube si ky ku isha sot. Ky klubi është si ato “zgjojet” e bletëve që duket sikur lëshojnë mjaltë dhe i tërheqin njerëzit me ëmbësinë e tij. Pothuajse të gjitha vajzat pinë duhan, të veshura, të pispillosura dhe presin “gjahun” e radhës, për të paguar shpenzimet e tyre dhe për të bërë karshillëk e konkurencë mes vajzash… Kjo është jeta e natës në Tiranë…
Vijon të shtunen e ardhshme..!