Në të kaluarën, keqinformimet në lidhje me shëndetin shpërndaheshin dalëngadalë, nga goja në gojë.

Në ditët e sotme, kjo situatë ka ndryshuar, interneti ka bërë të mundur që këto gjëra të shpërndahen shumë shpejt dhe të mbushin mendjen e njerëzve me lloj-lloj mitesh dhe legjendash.

Shumica e këtyre gjërave janë keqkuptime ose shtrembërbim i vetëdijshëm i së vërtetës. Ja disa prej tyre: 

1. Duhet të pish 8 gota ujë në ditë

Në vitin 1945, Shoqata Amerikane e Ushqimit i këshillonte njerëzit të konsumonin 8 gota lëngje në ditë. Nuk kaloi shumë kohë dhe njerëzit filluan të mendonin se duhet të pinin 8 gota ujë në ditë, përveç lëngjeve që merreshin me mënyra të tjera.

E vërteta: Është mirë të pish ujë, por ti mund ta shuash etjen edhe me lëngje frutash, çaj, qumësht, fruta dhe perime, të mjaftueshme për të qenë i hidratuar. Edhe kafja shërben për këtë qëllim, me gjithë reputacionin e saj si diuretike. Kafeina të bën të humbësh disa lëngje, por prapë, më shumë merr sesa humb.

2. Stresi të nxjerr thinja

Motivet për t’u stresuar në jetën e përditshme janë të shumta dhe të gjithë ne kemi frikë se stresi do të na i shtojë thinjat në kokë.

E vërteta: Stresi i shumtë, na plak jashtë e brenda. Në saje të tij, krijohen radikalet e lira, që sulmojnë qelizat e shëndosha dhe shtohet prodhimi i hormoneve të stresit në trup. Megjithatë, deri tani, asnjë provë shkencore nuk ka provuar se ditët e këqija shkaktojnë daljen e thinjave.

3. Leximi në dritë të dobët, dëmton sytë

Të gjitha nënat ua thonë këtë fëmijëve të tyre: Leximi nën jorgan ose me një llampë të dobët, ta dëmton shikimin.

E vërteta: Leximi në dritë të dobët mund të t’i lodhë sytë. Ne kemi tendencën t’i picërrojmë sytë kur drita është e dobët dhe kjo mund të shkaktojë dhimbje koke, por jo dëme të përhershme të syve; vetëm rrudha rrotull tyre. Sytë shumë të lodhur mund të thahen dhe të të kruhen, bile mund ta mjegullojnë shikimin, por një gjumë i mirë natën, i ndihmon ata ta marrin veten.

4. Kafja është e dëmshme

Shumë njerëz në botë e pinë kafen, bile nuk bëjnë dot pa të, sidomos në mëngjes, për t’u zgjuar nga gjumi. Por, a është ajo aq e dëmshme?

E vërteta: Pirja e shumë kafeve mund të të bëjë nervoz, por ajo ka edhe anët e saj pozitive. Kafja vjen nga bimët, që kanë disa fitokimikate të dobishme për trupin, që veprojnë si antioksidues. Pirja e kafes të gjallëron edhe trurin. Pastaj, pavarësisht nga dhënia e energjisë, kafja nuk ndikon negativisht te zemra.

5. Ushqimet e freskëta janë gjithmonë më të mira se të ngrirat

Qëkur shkencëtarët kanë zbuluar efektet pozitive të substancave antioksiduese, ata nuk pushojnë së thëni: Hani më shumë fruta dhe perime të freskëta, ndërsa të ngrirat i lënë në vendin e dytë.

E vërteta: Ushqimet e ngrira mund të jenë po aq të mira sa të freskëtat sepse frutat dhe perimet janë këputur në kulmin e pjekurisë e përmbajtjes së tyre ushqimore dhe janë ngrirë menjëherë, duke i mbyllur brenda këto substanca. Ndërsa frutat dhe perimet e freskëta, për shkak të nxehtësisë, ajrit dhe ujit, i ruajnë cilësitë e tyre të plota vetëm nëse këputen dhe shiten në të njëjtën ditë.

6. Vezët të shtojnë kolesterolin

Në vitet ’60 dhe ’70, shkencëtarët e lidhën kolesterolin me sëmundjet e zemrës dhe u këshillua që vezët (që kanë shumë kolesterol) të konsumoheshin më rrallë.

E vërteta: Studime të reja kanë treguar se janë yndyrnat e ngopura dhe ato të përpunuara kimikisht e jo kolesteroli ato që shtojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Një vezë përmban 213 mg kolesterol, ndërkohë që doza ditore e këshilluar është jo më shumë se 300 mg në ditë. Vezët përmbajnë gjithashtu edhe proteina, vitamina A e D dhe janë të lira e gatuhen lehtë, gjë që i bën ato të përshtatshme për përdorim.

7. Nëse ftohesh, do të sëmuresh me grip apo rrufë

Duhet të jetë e vërtetë, përderisa e ka thënë mamaja, apo jo?

E vërteta: Mamaja e kishte gabim. Ftohja nuk e ul imunitetin, përveçse nëse ke aq ftohtë sa shkatërrohet mbrojtja e trupit dhe kjo ndodh vetëm gjatë hipotermisë (ulje e temperaturës së trupit). Ne sëmuremi vetëm nëse ekspozohemi ndaj një virusi që shkakton gripin. Njerëzit sëmuren më shumë në dimër jo për shkak të temperaturës së ulët, por sepse ekspozohen në vende të mbyllura ku qarkullojnë shumë viruse.

8. Buzëkuqi mund të të sëmurë

Në vitin 2007, një grup ambientalistësh amerikanë, Fushata për Kozmetikë të Sigurtë, testoi 33 buzëkuqe për të parë sasinë e plumbit që ato përmbanin dhe një e treta rezultoi se kishte më shumë sesa sasia limit e lejuar.

E vërteta: Fakt është se plumbi ndodhet pothuajse kudo rreth nesh, por rreziku se mund të dëmtohesh nga plumbi i buzëkuqit është shumë i vogël. Në fakt, helmimi nga plumbi mund të shkaktohet nga faktorë të tjerë mjedisi, si për shembull, nga tubacionet dhe boja e lyerjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *