Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Edhe pse jam martuar, nuk e harroj dot!

Ne asnjëherë nuk jemi të kënaqur me atë që kemi arritur dhe gjithnjë kërkojmë më tepër.

Shpesh jeta na vë para zgjedhjeve të vështira dhe Klodi ka qenë zgjedhja ime më e vështirë.

Pasi mbarova gjimnazin, fillova studimet për mjekësi dhe që në vitin e parë, djemtë më ngacmonin shumë.

Advertisement

Kisha shumë mundësi që të zgjidhja një person të mirë për ta patur në krah, por Klodi ishte “i zgjedhur im”. Ishte shoku ynë i përbashkët ai që na takoi, takim ky shumë i rastësishëm. Kur e pashë në fillim, nuk më ngalli asnjë interes; ishte indiferent e nuk fliste pothuajse fare, edhe pse unë mundohesha të flisja me të. Pasi u ndamë atë ditë, mendova se nuk do ta takoja më kurrë, por shoku më tha që Klodit i kisha pëlqyer shumë.

“Ai nuk më dha këtë përshtypje atë ditë që u takuam”, i thashë e çuditur.

“Ashtu është Klodi, tip i heshtur, por është djalë shumë i mirë. Nuk ka shumë që ka ardhur në Shqipëri dhe ndoshta edhe ambienti i ri e bën të jetë kështu, por ajo që ka rëndësi është se Klodi të pëlqen shumë dhe kërkon të të takojë përsëri”.

Nuk dija ç’të thoja! Mendja më thoshte që të ruaja krenarinë time, ndërsa zemra më thoshte tjetër gjë. Diçka e brendshme më shtynte që ta takoja përsëri dhe kështu bëra, ndoqa zemrën. Herën e parë që u takuam, ishte edhe shoqja me mua dhe asaj nuk i pëlqeu fare Klodi kur e pa.

“Më mirë mos e tako fare sepse nuk po më pëlqen. Nuk më duket tipi i përshtatshëm për ty”, më tha, por me gjithë kundërshtimet e saj, unë e takova përsëri. Takimet e para ishin shumë të ftohta, pothuajse nuk flisnim fare, por kuptohehsim shumë mirë edhe vetëm me shikime. Unë fillova ta takoja shumë shpesh dhe, gjatë asaj kohe, arrita të kuptoja pak nga tipi i tij. Klodi ishte shumë fjalëpak në fillim, por pastaj tregonte që dinte edhe të të bënte për vete me ato që thoshte. Gjithnjë më kanë tërhequr tipat misteriozë si ai dhe Klodi filloi të më tërhiqte edhe më shumë. Familja ime ishte konservatore dhe, nëse vonohesha edhe 10 minuta më tepër, më telefononin pa pushim. Ishin të shpeshta ratet kur zihesha me ta gjatë kohës që isha lidhur me Klodin. I urreja që nuk e kuptonin se kisha nevojë të dilja edhe unë si moshataret e mia! Për ta, mjaftonte të shkoja në fakultet dhe pas mësimit mund të pija ndonjë kafe me shoqet, por destinacioni duhet të ishte shtëpia. E pra, unë kur takoja Klodin, i harroja prindërit, madje fikja telefonin që të mos më shqetësonin. Klodi nuk e kuptonte që unë po sakrifikoja shumë vetëm për të qëndruar me të, nuk e kishte vlerësuar kurrë këtë. Në rastet që i thoja se nuk kisha mundësi të dilja, ai mbyllte telefonin i zemëruar se nuk po i kushtoja kohë dhe isha unë ajo që i telefonoja më pas. Dukej qartë që isha e dashuruar me të, ndërkohë që ai nuk dukej se më donte.

Klodi udhëtonte shpesh drejt Italisë sepse më thoshte se atje kishte një firmë të tijën, por më vonë mësova se pas këtyre udhëtimeve fshihej diçka tjetër të cilën ai ma kishte mbajtur të fshehtë për disa vjet. Edhe pushimet nuk i bënte në Shqipëri që të qëndronte me mua, por shkonte drejt Spanjës dhe vendeve të tjera, me shoqërinë e tij. Unë, gjatë asaj kohe, kaloja një periudhë shumë të keqe dhe mendjen e kisha vetëm te Klodi.

“Kur do të udhëtojmë bashkë? Nuk mund të kaloj më asnjë moment vetëm larg teje…”, i thoja.

“Shumë shpejt, sapo të mbaroj punët me firmën”, më thoshte, por mua filloi të më bënte përshtypje që vetëm unë i telefonoja dhe kujtohesha për ta takuar. Shumë të rralla ishin rastet kur ai kujtohej për mua. Unë, ndryshe nga ai, isha shumë e dhënë pas tij; i bëja dhurata, e përkëdhelja, e llastoja, ndërsa ai jo. Përse më largohej kështu kur ishte ai që kërkoi të më njihte? Për këtë, fillova të diskutoja me të, por ai nuk donte t’ia dinte! Me mua i merrte gjërat me lehtësi, ndryshe nga ç’mund të bënte me një femër tjetër, me të cilën do ta kishte seriozisht. Nuk mbaj mend një sakrificë të vetme që ai të bënte për mua, por pavarësisht çdo gjëje, unë e doja si e çmendur.

Kaluam dy vjet bashkë dhe gjatë atyre dy viteve, kanë ndodhur shumë gjëra. Kemi diskutuar me njëri-tjetrin me dhjetëra herë dhe, edhe pse nuk flisnim për disa ditë, përsëri na shihnin bashkë. Nuk mund ta largoja atë njeri i cili ishte kthyer në pjesë të pandashme të jetës sime. Nisur nga ftohja e tij, isha e bindur se më tradhtonte dhe për një kohë të gjatë mbajta këtë peshë për vete derisa më në fund ia thashë se dyshoja tek ai. Ai, jo vetëm që e priti shumë keq, por më tha se nëse ishte kështu, atëhere po largohej një herë e përgjithmonë nga unë. Nuk e prita të reagonte ashtu dhe u frikësova se do të largohej vërtet! Asnjëherë nuk më kishte folur në atë mënyrë dhe u ndjeva shumë keq. U ndjeva edhe më keq kur u ngrit nga karrigia dhe u largua. E thërrita, por nuk e ktheu kokën. I telefonova, i kërkova të falur për dyshimet që kisha patur, por këtë e bëja sepse e doja. Klodi nuk më ktheu asnjë përgjigje. Ishte mashkulli i parë të cilit i isha dhënë dhe të paktën këtë duhet ta kishte vlerësuar, por atij asgjë nga ato që kisha bërë nuk i kishin bërë përshtypje.

U largua atë ditë dhe çdo ditë që kalonte pa e parë dhe pa komunikuar me të, më bënte të ndihesha keq. E ndjeja shumë mungesën e Klodit, por edhe më vinte inat që nuk më telefononte fare, prandaj edhe unë e mbaja veten që të mos i telefonoja, edhe pse nga brenda po vdisja ta shihja edhe një herë. Në qytet nuk e shihja më dhe kuptova që ishte larguar nga Shqipëria. Kaloi një vit dhe unë nuk kisha marrë asnjë lajm nga Klodi. Provova t’i telefonoja, por numri i tij më doli i fikur. Po çmendesha! Doja me patjetër që t’i dëgjoja zërin, ndaj edhe bëra çdo gjë për të gjetur një mënyrë komunikimi. Për fat të mirë, njihja edhe disa miq të tijët, të cilët më ndihmuan të gjeja numrin e Klodit. “Çfarë po bëj?”, i thoja vetes, por përsëri e ndjeja se duhet ta bëja. I telefonova, por ai nuk u përgjigj. I dërgova mesazh ku i shkrova se më kishte marrë shumë malli për të dhe se mezi prisja ta takoja. “Nuk e di çfarë ka ndodhur me jetën tënde gjatë kohës që nuk kemi qenë bashkë, gjithsesi mua më ke munguar shumë”, i shkrova. Prisja me ankth përgjigjen e tij e cila po vononte shumë. “Me siguri nuk do të më shohë më kurrë, më ka harruar”, mendoja me vete. Pas tre orësh, dëgjova telefonin. E kapa menjëherë dhe nxitova të shikoja mesazhin. Zemra po më rrihte fort dhe me një frymë e lexova përgjigjen e tij: “Zemër, as unë nuk të kam harruar. Shumë shpejt do të vij në Shqipëri dhe dua të të shikoj”. Kjo përgjigje e Klodit më bëri të hidhesha përpjetë nga gëzimi, pa menduar se kisha qenë përsëri unë ajo që kisha reaguar. Nuk e kuptoja atë njeri, por përsëri e doja shumë. Ishte një dashuri që as vetë nuk arrija ta shpjegoja. Shpresoja vetëm që të mos isha e varur nga ai. Klodi e kishte kuptuar që unë kisha rënë në dashuri me të dhe mendonte se nuk do ta lija kurrë, edhe sikur ai ta bënte këtë. Dhe, në të vërtetë, kështu ishte, për fatin tim të keq. Ajo dashuri më tepër më bënte të vuaja sesa më lumturonte.

Klodi erdhi në Shqipëri dhe më telefonoi. Kur e takova, e putha dhe e përqafova fort! Nuk kishte ndryshuar fare, ishte po ai që kisha njohur më parë. Këtë herë ia kaluam shumë bukur bashkë, por nuk kaloi shumë dhe filluan përsëri grindjet. Klodi vazhdonte me ftohtësinë e tij. Ne kishim shumë kohë që nuk takoheshim dhe atij dukej që nuk i kisha munguar fare. Edhe pse më kishte lodhur shumë kjo sjellje e tij, unë vazhdoja ta pranoja.

“Më duket sikur ti del me zor me mua. Më mirë ma thuaj nëse nuk do që të dalim më bashkë. Edhe pse do të më dhembë në fillim, do të mësohem dhe do ta pranoj”, i thashë.

“E ke kuptuar shumë gabim sepse unë mendoj të fejohem me ty”. Sapo tha këtë, zemra më rrahu përsëri fort. E pashë gjatë në sy dhe dukej që nuk po gënjente. Kështu bënte Klodi! Sa herë që grindeshim, më thoshte diçka që më jepte shpresë për të vazhduar lidhjen me të. Një ditë i kërkova të më fliste për jetën e tij para se të më njihte mua, sepse asnjëherë nuk më kishte folur, ndërsa unë, po. Më tha që kishte patur lidhje me një vajzë prej 5 vjetësh, por ajo lidhje kishte marrë fund përfundimisht. Bëra sikur e besova sepse tani isha bërë edhe më mosbesuese ndaj tij. Ajo që nuk më pëlqeu ishte se kishte patur një lidhje të gjatë të cilën mendova se ishte shumë e vështirë për ta harruar.

“Nuk e ke takuar më fare atë vajzë?”, e pyeta.

“Jo, dhe as nuk dua ta përmend fare”.

Pas kësaj fillova të interesohesha për vajzën dhe ata vërtet kishin patur një lidhje 5 vjeçare bashkë, por nuk zbulova dot nëse lidhja e tyre kishte marrë vërtet fund! Më mirë të mos e kisha pyetur fare për lidhjet e tij të mëparshme sepse kështu u mërzita më shumë. Klodi vazhdonte me po të njëjtën mënyrë jetese; largohej në Itali pa më thënë asnjëherë mua më parë (më thoshte vetëm pasi kishte vajtur atje), telefononte shumë rrallë dhe fejesën nuk e përmendi më kurrë!

Fillova të dyshoja se Klodi po më tradhtonte dhe se lidhjen me mua e mbante sa për të kaluar kohën. Ai nuk po kthehej dhe, në një moment zemërimi, i thashë se nuk doja ta takoja më. Diskutuam shumë gjatë e ashpër dhe Klodi arriti deri aty sa më ofendoi rëndë. I mbylla telefonin dhe fillova të qaja. Thellë brenda meje e dija që jo shumë larg kjo do të ndodhte, por pasi e provova, kuptova se ishte një eksperiencë shumë e hidhur. Nuk po e kaloja dot ndarjen me të dhe pikërisht në ato momente, kushërira më njohu me një shokun e saj.

“Vini është djalë shumë i mirë dhe tani, pas ndarjes me Klodin, do të ishte mirë ta njihje sepse ai nuk do të të zhgënjejë kurrë”, më tha ajo.

As vetë nuk e di si pranova ta takoja, por nuk u pendova për këtë. Vini është vërtet djalë shumë i mirë dhe kishte vetëm 3 javë që takoheshim, kur më propozoi të fejoheshim. Zemra më dhimbte për Klodin, por kuptova që me të nuk kisha asnjë të ardhme, ndaj pranova propozimin e Vinit. Menjëherë pasi u fejova, i dërgova mesazh Klodit ku i thashë se nuk duhej të kishte menduar se ai ishte mashkulli i vetëm mbi tokë dhe i tregova që isha fejuar. Ai nuk reagoi fare dhe shpresoja të ndihej keq për këtë. Unë u martova me Vinin dhe shkuam për të jetuar në Amerikë. Nisa një kapitull të ri në jetën time dhe shpresoja që çdo faqe boshe të tij ta mbushja me përjetime dhe kujtime të bukura, por përsëri nuk arrita ta harroja Klodin! E mendoja shpesh dhe nuk rezistova dot pa komunikuar me të. Fshehtas Vinit i bëja të gjitha këto dhe shpesh, kam rrezikuar shumë. Vinit i tregova për Klodin dhe e di që bëra gabim sepse edhe pse i thashë që tani doja vetëm atë, u bë shumë xheloz dhe filloi të më kontrollonte celularin, facebook-un e vajtje-ardhjet e mia. Situata në të cilën po jetoja, nuk durohej.

“Nëse mendon të sillesh kështu në vazhdim, unë dua divorcin”, i thashë, por ai më qëlloi me shuplakë në sy të prindërve të tij. Isha e vendosur që do të ndahesha nga Vini. Klodi, pasi e mësoi këtë, më tha që do të vinte të më merrte. Në fillim u ekzaltova, por më vonë mendova me vete: “Ku do të qëndroja e vetme? Në shtëpi nuk kthehesha dot më. Te Klodi nuk kisha më besim se do qëndronte me mua, edhe pse e doja shumë…”. Kështu, unë hoqa dorë nga vendimi im dhe qëndrova me Vinin. Vendosa të shkëpusja çdo lidhje me Klodin, u mundova të bëja një jetë të qetë pranë burrit tim dhe t’i përkushtohesha vetëm atij, por edhe Vini nuk e kuptonte që unë e kisha shumë të vështirë të përshtatesha me jetesën atje. Shpesh më kujtonte se duhet të filloja një punë, pa e menduar se unë akoma nuk dija të komunikoja anglisht. I thoja që më mungonte shumë familja dhe ai më thoshte shkurt se nuk kishim para për të prerë biletën. Pas shumë mundimeve, mësova gjuhën dhe fillova një punë, por të gjitha këto, përsëri nuk më ndihmuan që ta harroja Klodin. Sa herë që vija në Shqipëri, e takoja. E di se ajo që kam bërë është shumë gabim, por nuk ndaloja dot. Dashuria që kam për Klodin nuk ka ndryshuar fare, edhe pse këtë verë mësova se ai është martuar. Ky lajm më ra si bombë. Ma tha shoku i tij. Djali të cilin e dashuroj më shumë se gjithçka, është martuar dhe më e keqja është se është martuar me vajzën me të cilën kishte lidhje 5 vjeçare. Klodi më kishte gënjyer gjatë gjithë kohës që kemi qëndruar bashkë sepse atë vajzë nuk e kishte harruar, madje e kishte ditur gjithmonë se me të do të fejohej. Sa e zhgënjyer ndihem nga ai person dhe unë përsëri nuk arrij ta harroj! Kjo dashuri është si dënim për mua dhe vazhdon të mbetet e tillë. Nëse do të më jepej rasti, përsëri do ta takoja dhe do ta përqafoja. Edhe pse kjo që them duket si pa kuptim, unë e dashuroj ende!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

A ka shërim impotenca?

Next Post

Ka rrezik operacioni me rreze?

Advertisement