– Doktor Dashamiri, përshëndetje.
Ju lutem, më thoni të gjitha shqetësimet që ka sëmundja e hipotiroidizmit.
Ju uroj shëndet. Faleminderit.
Dr. Dashamir Gjergji, Doktor i Shkencave Mjekësore, Endokrinolog-Diabetolog, Spitali Amavita, Rruga Pjetër Budi, 75/3, Tiranë: – I nderuar letërshkrues që më jeni drejtuar me këtë pyetje, para se të jap disa shpjegime kryesore, do të doja të kisha më shumë informacion rreth situatës suaj shëndetësore, ndaj gjej momentin t’ju drejtohem edhe një herë juve dhe lexuesve të tjerë që, kur më drejtoheni me pyetje, do të ishte më mirë t’u referoheshim situatave të caktuara klinike sesa pyetje në formë leksioni. Gjithsesi, duke u kthyer tek esenca e pyetjes suaj, sëmundja për të cilën kërkohen të dhënat klinike apo ankesat e pacientit, me terma mjekësore, përkufizohet si Hypotiroidizëm ose e njohur ndryshe, si ulja e funksionit të tiroides apo pakica e jodit. Kjo sëmundje është relativisht e shpeshtë dhe prek kryesisht femrat. Niveli i prekjes së popullatës nga kjo sëmundje rritet me kalimin e viteve. Kjo patologji e tiroides vjen nga shumë shkaqe, kryesisht, nga dëmtime të brendshme të tiroides ose sëmundje auto-imune të saj. Infeksionet e shpeshta të tiroides përfundojnë në një formë apo tjetër si hypotireozë. Marrja e disa barnave për sëmundje të tjera, përfshirë këtu edhe sëmundje të tiroides mund të japin dëmtime në trajtën e hypotireozës apo uljes së funksionit të tiroides. Ka edhe shumë shkaqe të tjera që nuk po i trajtojmë në këtë përgjigje, por ajo që ka rëndësi në raport me shqetësimin tuaj është fakti që pavarësisht shkakut që ka sjellë uljen e funksionit të tiroides, rëndësi ka se çfarë shenjash manifeston kjo sëmundje dhe si diagnostikohet ajo.
Në vazhdim të kësaj trajtese, ju vë në dijeni që jo te çdo i sëmurë që vuan me hypotireozë duhet të gjejmë medoemos të njëjtat shenja klinike apo edhe simptoma sepse kjo varet nga individi që e mbart sëmundjen e po ashtu, edhe nga shkalla e dëmtimit të tiroides. Shenjat më të përgjithshme që hasen te këta të sëmurë, janë: Shtim në peshë, fryrje e kapakëve të syve e fytyrës, pse jo, të të gjithë trupit, lëkurë të thatë me flokë të dobët e të dëmtuar, thonj të brishtë, të thyeshëm, shpesh, me ngjyrë të verdhë të shndritshme, për shkak të depozitimeve dhjamore në të. Këta të sëmurë nuk e durojnë dot të ftohtin, ndaj vishen trashë si në dimër, ashtu edhe në verë. Në aspektin e reagimit dhe projektimit social të tyre, ata konsiderohen njerëz të mefshtë, dembelë, të lodhur, apatikë, flasin pak, kanë mendime të ngadalta, nuk i çojnë fjalitë e madje as veprimet apo punët e përditshme gjer në fund. Depresioni është i shpeshtë te këta të sëmurë. Ata qajnë pa shkak, ndihen të vetmuar, janë pre e mendimeve të këqia sidomos në vlerësimin e jetës së tyre dhe realitetit. Pjesa panoramike e shqetësimeve të kësaj sëmundjeje janë edhe vështirësia në frymëmarrje, gjumi i tepruar, nervozizmi, rrahjet e ngadalta të zemrës, kapsllëku, si dhe tharja në tërësi e organizmit. Mendoj se shumicën e shqetësimeve që hasen te kjo sëmundje i kemi ezauruar dhe në të njëjtën kohë, shpresoj që pyetja juaj të ketë marrë zgjidhjen dhe informacionin që ju prisnit. Ju faleminderit!