Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Kam fiksim njerkën time!
Si më grabiti gruaja me fëmijët, pas 22 vjet martese
Astrologia shpjegon...!

Si më grabiti gruaja me fëmijët, pas 22 vjet martese


I dashur lexues, historia që do t’ju tregoj është historia e jetës sime dhe
është po aq e vërtetë sa jam unë prej mishi dhe kocke. Në vitet ’80, për efekte pune, jetoja në Vlorë pasi punoja në ushtri. Kam qenë një njeri i thjeshtë që e doja punën dhe vazhdoj ta dua akoma, pasi ajo është dashuria ime e parë. Në ushtri punoja në shumë profesione, si saldator, murator, marangoz. Pas ndarjes me ish-të dashurën time për konflikte të ndryshme, e kisha hequr mendjen nga dashuria njerëzore. Në atë periudhë, disa miq më njohën me një vajzë tjetër, që kishte qenë njëherë e martuar dhe në atë kohë, punonte si sanitare në spital.Kur e kam takuar për herë të parë Fanin, sepse ashtu quhej, më tha se kishte një vajzë tre vjeçare dhe m’u dhimbs. Në ambientin ku punonte kishte reputacion të mirë, të gjithë flisnin për një grua të ndershme, punëtore dhe të varfër, por që në hapat tona e para, doli në pah një mashtrim; ajo nuk kishte vetëm një fëmijë, por dy, kishte dhe një djalë që asokohe ishte tetë vjeçar, gjë që nuk mund ta dija që në fillim, pasi isha i huaj në atë vend. Megjithatë, natyra ime ishte e çiltër që besonte kollaj. Fëmijët i kam dashur, kështu që, dy të sajët dhe një që mund ta bënim bashkë do ta forconte lidhjen tonë. Ishte një femër e bukur, lozonjare, që të bënte për vete, kështu që u dashurova marrëzisht pas saj.E shikoja që vuante, mundohej shumë për fëmijët dhe kolektivi ku punonte e ndihmonte shumë. Njëherë, kur sapo ishim lidhur, e pashë që në një trastë kishte kavanoza. Kur e pyeta se për çfarë i nevojiteshin, më tha: “Për t’i shitur”. Aty vendosa të bëhesha burri i saj, kështu që u martuam. Në martesën e saj të parë, ajo kishte vuajtur pasi burri ishte pijanec, bixhozxhi dhe e rrihte. Ky fakt më shtyu ta besoja akoma më shumë që nuk ishte faji i saj. Nga natyra, jam shumë tolerant, aq sa kam pirë kafe edhe me ish-burrin e saj. Shokët më flisnin sepse nuk mund ta konceptonin një gjë të tillë, ishte anormale, por unë jam ky që jam, mundohem të krijoj marrëdhënie të mira me këdo. Për fëmijët e saj jam treguar më shumë se një baba. Një herë, kur u sëmurën nga fruthi, i kërkoja llogari mjekut sikur t’i kisha të mitë, aq sa ai që e dinte historinë, u habit.Në vitin’88, vendosa të largohesha nga Vlora, duke menduar për perspektivën e familjes sime, kështu që u ktheva në Elbasan. Fëmijë tjetër Zoti nuk na dha. Fani, sikurse e mora vesh më vonë, nuk mund të bënte fëmijë pasi e kishte hequr mitrën. U zhgënjeva, por nuk u ndava; më kishte hyrë aq shumë në zemër saqë varesha nga buzët e saj. Në vitin’90, hapa një zdrukthtari private. Isha i pari që mora një liçencë private, saqë nga gëzimi, vara te kumbulla një tabelë ku shkruhej: “Ndërmarrje private”. Të gjithë më quanin kapitalist dhe ta mendosh që aktivitetin e fillova me 10 mijë lekë borxh të cilat ia kisha marrë hua dajës tim. Njerëzit nuk arrin ta konceptonin diçka private, por unë arrita të punësoja 16 punëtorë. Puna ecte mirë dhe familjes nuk i mungonte asgjë. Vajzën e shëtisja me makinë, pasi duke qenë më e vogël, e ndjeja më afër. E rregullova të vazhdonte një shkollë të mirë te murgeshat. Ajo, e tillë konsiderohet dhe sot, si një nga shkollat më të mirat. Djalin, Mondin, mundohesha ta edukoja sa më mirë. Ka patur raste kur jam treguar edhe i rreptë, pasi në shtëpi kisha vendosur rregulla strikte, që të mos vonohej në darkë. Një herë, kur djali kishte vjedhur një elektromotor me shokët, i fola në një mënyrë të arsyeshme. I tillë jam unë, që mendoja edhe për të tjerët dhe i thosha shpesh djalit që të mos bëhej si i ati, por një njeri më i mirë se ai. Kam përdorur shumë takt ose të paktën ashtu mendoja, por është e vështirë të rritësh fëmijën e tjetrit. Në vitet e para të demokracisë, Mondi emigroi në Itali. E ndihmova sa munda edhe me lek. Më kujtohet një herë kur vajza, Sonila, do të shkonte në eskursion në Durrës. Kur e mora vesh, lekët ia dhashë vetë. Një herë tjetër, ajo do të shkonte përsëri në Durrës, por unë nuk e dija dhe as Fani nuk më kishte thënë. Si për dreq, unë nuk i kontrolloja kurrë ushqimet. Blija shumë, pasi i kisha mundësitë. Shikova në frigoriver një shishe me lëng kumbulle, e pyeta Fanin se çfarë ishte dhe ajo më tha se Sonila do të shkonte prapë në Durrës. E marr dhe e fluturoj shishen nga dritarja, duke i thënë përse nuk më kishe thënë, kështu që mund t’i jepja unë lekët. Aty e kuptova se sa ndikim kishte nëna te fëmijët, por edhe kur unë nevrikosesha, ajo e gjente mënyrën për të më qetësuar. Në ’95, edhe vajza u largua në Itali, e tërhoqi i vëllai. Edhe kësaj here, bëra ç’ishte e mundur. Një periudhë fillova të mërzitesha. I thashë Fanit që të iknim edhe ne si të tjerët. Kështu, emigruam në Turqi. Shitëm shtëpinë dhe dyqanin, i morëm me vete lekët dhe filluam një jetë të re në Turqi; atje punonim të dy. Pas një periudhe 4 vjeçare, u kthyem përsëri në Elbasan. Fillova të punoja përsëri si marangoz. Kam patur fantazi në punë, por edhe më ka ecur. Kur u kthyem, mora një dyqan me qira. Lekët nuk i mbaja në bankë, por nëpër krahët e divaneve. Një shumë e fsheha edhe poshtë kompesatës së komosë. Në atë periudhë, Fanit iu ngrit mendja për të ikur në Itali, por ishte shumë e vështirë dhe fëmijët nuk mund ta merrnin. Me ta flisja shpeshherë në telefon. Marrëdhëniet i kishim të mira. Asokohe, Mondi u fejua. Qe emri im i mirë që bëri të lidhej ajo krushqi, pasi në atë kohë të turbullta, ishte shumë e vështirë t’ia jepje vajzën një emigranti. Fillova të kërkoja mundësi për të ikur në Itali bashkë me Fanin. Vajta në Durrës tek ime motër dhe menaxheri ku ajo punonte më dha një gjysëm fjale për një vizë shengen, por për atë vizë ai kërkonte 2 milion lek dhe pesëqind paradhënie. Ime motër më tha të kisha kujdes, pasi besoja shumë te të tjerët… Kur ia thashë Fanit, ajo u lumturua. Lumturia e saj ishte dhe e imja. Kur i thashë se kisha vetëm një vizë, “s’ka gjë, më tha, të iki unë e para, pasi ti ke dhe sharrat. Ti eja pas meje”. Në atë kohë shitëm shtëpinë dhe jetonim me qira. Po bënim gati plaçkat dhe unë, ndërkohë, i bëra një shumë të konsiderueshme liretash. Kur mori vizën, atë ditë e kemi gdhirë duke bërë dashuri, pasi ajo dinte ta bënte për vete një burrë, ishte një femër e bukur dhe me gusto. Të nesërmen mora një taksi për ta çuar deri te trageti. I kisha prenotuar edhe një dhomë, që të ishte sa më komode. Gjatë gjithë rrugës, qau dhe unë i merrja kokën në gji duke i thënë se së shpejti do të bashkoheshim. Lotët e saj nuk pushonin deri në Durrës. Gjatë rrugës, kur u ulëm të pinim një kafe me shoferin, ai për shaka i tha se sapo ajo të ikte, unë do të martohesha. Me lot në sy dhe duke u puthur, u ndamë si të ishte hera e fundit. Aty më tha diçka që më habiti dhe më vuri në dyshim. Më tha se i kishte thënë komshijes që të kujdesej për mua, por unë e dija fare mirë natyrën e saj xheloze. Rruga e saj ishte e gjatë, pasi do të shkonte deri në Sanremo. Kur folëm të nesërmen në telefon, po më tregonte se sa bukur ishte atje. Meraku dhe malli nuk më linin të qetë kështu që e mora përsëri në telefon, por nuk m’u përgjigj njeri. Në telefonatën tjetër, me doli nusja e Mondit. E pyeta për Fanin dhe më tha se kishte dalë me Mondin. Të nesërmen, më doli Mondi në telefon. Gjëja që më bëri përshtypje ishte toni i tij, sikur të ishim të huaj. I thashë që po bëhesha gati të shkoja edhe unë atje.“Ç’do të bësh? – më tha – Këtej s’ka punë”.

“Të bëjmë bashkim familjar”, i thashë. “Nuk është e mundur, pasi nuk kemi të njëjtin mbiemër”, më tha.Realisht, u nxeha: “Do të rri me gruan time!”, i thashë.Në atë moment, më tha një shprehje që nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë…- Më jep mamanë! – i thashë.- Ç’e do, t’i shkaktosh dhimbje koke?- më tha dhe më mbylli telefonin.I mora përsëri dhe fola me Fanin, i kërkova të kthehej pasi i thashë se unë nuk do të shkoja në Itali. Ajo m’u përgjigj se nuk do të kthehej më, pasi do të pagëzohej në kishë dhe do të qëndronte me fëmijët e saj. “Po vitet që kaluam bashkë, si mund t’i harrosh kaq kollaj?”, i thashë, por m’u përgjigj se tashmë duhet të shikoja jetën time dhe më mbylli telefonin. Në ato momente më iku truri fare, u ktheva në shtëpi dhe fillova të kërkoja lekët. Në komo nuk kishte, vidat e divanit ishin lëvizur. Mora Sonilën në telefon dhe i tregova ç’kishte ngjarë, duke menduar se ajo ishte ndryshe nga të tjerët. “Mirë, më tha, do bisedoj me mamin”. E mora përsëri e m’u përgjigj se Fani do të rrinte në Itali. I thashë se ajo nuk i kishte shumë të mira marrëdhëniet me Mondin dhe do mbeste rrugëve. “Jo, më tha, mami ka dy fëmijë e nuk mund të mbesë rrugëve”.Aty e kuptova që çdo gjë kishte qenë e organizuar, ata më kishin mashtruar. Fani, bashkë me fëmijët, më kishin grabitur 48 milion lekë. Për ta unë kisha qenë veç një vegël e shfrytëzuar deri në maksimum. Nuk arrija ta besoja që ajo e kishte bërë këtë gjë, pasi kishte qarë gjatë gjithë rrugës, por paskan qenë jo lot zemre, por lot krokodili. Ja që jeta qenka shumë e egër për atë që mendon për të tjerët dhe që mundohet të japë shumë, por rrezikon të mbesë vetë në mes të katër rrugëve, pa shtëpi e katandi dhe pa familje. Një ditë, kur u ktheva në shtëpi i mërzitur tej mase nga ç’më kishte ndodhur, mendova t’i jepja fund jetës. Mora çiften dhe ia drejtova vetes… Do më pyesni ju se përse nuk e bëra. Ndoshta ngaqë nuk pata guxim. Nuk kisha frikë nga vdekja, por se mos mbetesha sakat dhe mund të vuaja. I kisha thënë dikur Fanit se ndoshta një ditë do të ma bënte naftën e ajo më thoshte “jo”, por parandjenja nuk më kishte gënjyer. Si mundi të ma bënte këtë? Edhe sot nuk arrij ta urrej, po ajo si mundi të më urrente kaq shumë kur nga unë kishte parë veç të mira? Edhe pse isha treguar strikt me fëmijët, rezultatet u panë…Por, kur thotë populli, e keqja s’ka fund. Përveç grabitjes, ajo më kishte kredhur në borxhe edhe te të njohurit e mi, të cilët pasi morën vesh historinë, më mbinë në derë. Gjithçka po më bëhej më e qartë, kisha qenë viktimë e një gjëje të organizuar më së miri. Paskan qenë të pashpirt! Herën e fundit që fola me të i thashë pse m’i kishte marrë të gjitha, si nuk e kishte vënë dorën në zemër e të më linte të paktën gjysmat, po borxhet kush do m’i lante? Më e bukura erdhi në fund: “Shko bridh me kurvat!”, më tha dhe më mbylli telefonin. Sa e padrejtë! Unë e doja dhe nuk e kisha tradhtuar. Mbase edhe ajo nuk më kishte tradhtuar, megjithëse nuk mund të jem më i sigurtë për askënd. Ndonjëherë nxehem me veten time si i besova, si isha treguar kaq sylesh, por a mund të mos i besosh një njeriu që për 22 vjet të fal dashuri, që ishte kaq e mirë, kaq e urtë, ndoshta dhe kaq e ndershme, kaq lozonjare dhe lajkatare? Besoja se e kisha gjetur dashurinë e vërtetë, atë dashuri që lidh dy njerëz, por paska qenë vetëm një mashtrim. Thonë se kur burri nuk e gjen dashurinë te gruaja e vet, e kërkon gjetkë. Dashurinë njerëzore unë nuk e kam gjetur akoma, besoja se e kisha, por jo. Si mund të kishte qenë aq e poshtër me mua ajo që më bënte të ndihesha mbret, por fatkeqësisht, një mbret pa mbretëri?! Ndonjëherë mendoj se nuk ishte ide e saj, por e fëmijëve apo ndoshta lotët dhe fjalët e dhembshura fshihnin djallëzinë. Nuk e di kush jam, një i pafat apo një sylesh? Dashuria ime e vetme mbetet puna, ajo s’më ka tradhtuar akoma, vazhdoj të punoj me mobiljet e mia. Tani jam 60 vjeç dhe pas largimit të saj, njerëzve u erdhi keq për mua, miqtë dhe dashamirësit u munduan të më bindnin të martohesha përsëri. Në fillim nuk doja, por pikëllimi dhe vetmia më kishin marrë shpirtin, ndjehesha i vetmuar aq sa shkoja në shtëpi vetëm për të fjetur, kështu që vendosa të martohesha, por tani jam kthyer në një mosbesues kronik. Ndoshta është vonë, por më mirë vonë sesa kurrë. Nuk mund të harroj se si u tallën kaq keq me mua. Gruaja e tanishme është e mirë, e urtë, por mosbesimi im te qenia njerëzore akoma nuk është shuar. Siç thotë populli, kur digjesh nga qulli i fryn edhe kosit…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Kam fiksim njerkën time!

Next Post

Astrologia shpjegon...!

Advertisement