Nga Artan KRISTO
Faktin që më bëri përshtypje, po e jap ashtu siç ma tregoi A., një emigrant shqiptar në Belgjikë. Komentet bëjini vetë:
“Gruaja ime punonte në vilën e një avokati të njohur belg. Erdhi një kohë dhe ky avokat, u bë Kryeministër i Belgjikës. Një ditë pas emërimit të tij Kryeministër, shkova, si zakonisht, te shtëpia e tij të merrja gruan. I vetmi ndryshim që vura re ishte një polic që lëvizte në rrugicën përpara vilës së avokatit. Trokita dhe, si gjithmonë, derën ma hapi gruaja e avokatit, pasi gruaja ime ishte ende duke punuar. E urova për të shoqin dhe, si zakonisht, e pyeta nëse kishin ndonjë punë për të bërë, sepse më vinte ndoresh për të riparuar ndonjë defekt që kishte në instalimet shtëpiake. Ajo buzëqeshi dhe më tha të rrija i qetë se gjithçka ishte në rregull. Ndërkaq, si zakonisht, gruaja zbriti në sallonin e katit të parë të vilës, ku e prisja unë dhe pasi i lamë lamtumirën zonjës së shtëpisë, dolëm. Te fillimi i rrugës, nga makina, na përshëndeti me dorë avokati, tanimë Kryeministër, që po kthehej në shtëpi, si zakonisht, duke e drejtuar vetë makinën e tij… Dhe kështu, tërë ato vite që avokati ishte Kryeministër, unë hyja e dilja në shtëpinë e tij pa druajtje, fare pa teklif, si zakonisht… Trokisja në derë, ma hapte e shoqja, përshëndetesha me të, kur ishte e lirë rrinim në sallon e bisedonim, na jepte ndonjë rrobë të fëmijëve të saj që rriteshin apo ndonjë kostum e këmishë të të shoqit, që ai nuk e vishte më…
Pra, gjithçka, si zakonisht, asgjë nuk ndryshoi, vetëm se burrin e saj tanimë e takoja më rrallë. Ai kthehej më vonë në shtëpinë e tij që ishte një orë e ca larg Brukselit, por si zakonisht, vazhdonte ta përshkonte këtë rrugë me makinën e tij personale, të cilën e ngiste gjithmonë vetë. Atje, në selinë e Kryeministrisë veçse, e priste makina zyrtare me shofer zyrtar. Vetëm një herë më tha ime shoqe, kishte përdorur helikopterin, kur kishte ndodhur një aksident në autostradë dhe ky kishte mbetur në mes të rrugës vetëm, ndërsa e priste në takim një kolegu i tij, Kryeministër i një shteti tjetër europian.
Edhe pas tre vjetësh, kur ai nuk qe më Kryeministër dhe bënte të njëjtën punë si avokat, vazhdonte të banonte, si zakonisht, në të njëjtën vilë, ngiste vetë makinën dhe në shtëpinë e tij vazhdonte të punonte e njëjta punëtore, pra, ime shoqe… Asnjë ndryshim nuk pati në jetën e tij as kur u bë Kryeministër, as pasi u bë Kryeministër”.
Komentet dhe krahasimet me Kryeministrat tanë, bëjini vetë, të dashur lexues. Unë vetëm dua t’ju kujtoj se Belgjika ka një sipërfaqe prej rreth 2 mijë km katrorë më të madhe se Shqipëria, ka rreth 4 herë më shumë banorë se ajo dhe është anëtare e BE-së që nga themelimi i saj…