Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

E bëri për t’u hakmarrë ndaj meje

Megjithëse e kam përjetuar shumë këtë histori që do t’ju tregoj, unë nuk jam shkrimtare që të shkruaj, vendosa që historinë time ta ndaj me miqtë e gazetës “Intervista”.

Ishte muaji shtator dhe unë sapo isha diplomuar e kisha filluar mësim në qytetin tim të lindjes.

Në një mbasdite, teksa po pija një kafe me kushërirën time, më erdhi një mesazh në celular: “Të kam parë, por nuk të njoh”. Ishte një numër italian që unë nuk e njihja. Në atë kohë sapo kishin hyrë në Shqipëri telefonat celularë dhe unë nuk dija ta përdorja mirë. Për fatin tim të mirë apo të keq, kompania ku unë kisha blerë numrin, ofronte 30 sms falas me numrat ndërkombëtarë dhe unë në mënyrë shumë të shpejtë, i ktheva përgjigje: “A mund ta di se kush jeni ju?”. Ai më tha se e quanin Albi dhe duke më dërguar dhe shumë mesazhe të tjera, më tregoi për veten e tij. Iu luta të më tregonte kush ia kishte dhënë numrin tim, po ai nuk më tregonte. Atë mbasdite, deri në të gdhirë të ditës tjetër, kemi shkëmbyer shumë sms. Ai kërkonte të dinte emrin tim, kurse unë kërkoja të dija se kush ia kishte dhënë atij numrin tim të telefonit, po asnjeri nuk e tregonte të vërtetën. Menjëherë më shkoi në mendje se vetëm një shoku im që rrinte në Itali e dinte numrin e telefonit tim. Unë iu luta Albit që të më linte rehat dhe të mos të më ngacmonte më sepse telefonin nuk e kisha personal, por ai nuk më dëgjonte. Atë ditë pothuajse e gdhimë duke folur. Ai më tregoi se kush ishte në të vërtetë, çfarë pune bënte dhe se ishte i interesuar për një lidhje serioze, pasi kish pyetur për mua dhe i kishin thënë fjalët më të mira. Po kështu, më tregoi se dy xhaxhallarët e tij banonin në qytetin tim. Kishin kaluar tre ditë që ne kishim filluar të flisnim dhe unë, për ta hequr qafe Albin dhe për t’i dhënë fund kësaj loje të çuditshme që me dashje apo padashje tashmë e kishim filluar, i thashë atij se do të shkoja për një punë në një fshat aty pranë qytetit dhe telefonin nuk do ta merrja me vete, pasi atje nuk kishte sinjal. Ai kërkoi të dinte sa ditë do rrija dhe orën kur do të kthehesha në qytet. Pastaj, më tha: “Ok, nuk do t’i bie më telefonit në qoftë se ti më jep fjalën se do të më marrësh kur të kthehesh nga fshati”. Dhe unë me mendimin se për një javë Albi do të më harronte, i thashë se do t’i telefonoja kur të kthehesha.

Advertisement

Çuditërisht, ai nuk më kishte harruar, maadje filloi përsëri të më merrte në telefon. Ai i binte e i binte pa pushim celularit dhe unë nuk ia hapja. Kisha frikë nga e gjithë kjo që po më ndodhte. Ai më shkruante: “Të lutem, mbaje premtimin që më bëre, pasi unë e mbajta fjalën”. Nuk dija si të veproja. Të gjithë këtë histori ia tregova shoqes sime të ngushtë dhe ajo më këshilloi që ta vazhdoja bisedën me Albin. “Edhe në qoftë se nuk do të përfundoni bashkë, më tha ajo, do të jetë një histori e bukur për t’u mbajtur mend”. Kështu, ne filluam të flisnim. Ai më tregonte për veten, për punën, për familjen e tij dhe unë bëja të njëjtën gjë. Ai më tregonte detaje nga jeta dhe familja e tij saqë unë fillova të besoja tek ai. Më pëlqente të flisnim si shokë e të njëjtën gjë kërkonte edhe ai. Dita fillonte me mesazhin që më dërgonte ai: “Mirëmëngjes! Si fjete mbrëmë? Të uroj të kalosh një ditë të bukur sot!”. Të njëjtën gjë i shkruaja edhe unë, kur e pyesja për detaje nga dita që kishte kaluar në punë. Në darkë, kur binim të flinim, flisnim diçka më shumë. Ai kërkonte të dinte se si e kisha ngjyrën e syve, të flokëve. Miri, shoku im, i kishte treguar Albit shumë gjëra për mua. I kishte treguar se unë isha një vajzë e bukur, që studioja shumë dhe me një familje të mirë e kjo e kishte shtyrë atë që të krijonte këtë lidhje me mua. Ditët, muajt po kalonin dhe unë me Albin kishim gati pesë muaj që komunikonim bashkë. Të dy ndjeheshim shumë mirë me bisedat tona. Një ditë ai më shkroi: “Më duket se kam filluar të bie në dashuri me ty, më pëlqen zëri yt, mënyra se si më flet”. I thashë: “Të lutem, nuk dua që të flasim për ndjenja, të paktën derisa të takohemi dhe ta njohim njëri–tjetrin nga afër”, madje i thoja se edhe në qoftë se nuk përfundonim bashkë, doja ta kisha mik. “Nuk thonë kot më mirë një mik sesa një thesar!”. I trembesha shumë faktit se si do të reagonte Albi, kur të më takonte. Miri i kishte treguar vërtet shumë gjëra të mira për mua, por ai nuk e dinte se çfarë më kish ndodhur pas ikjes së tij në Itali. Jeta ime kish ndryshuar shumë nga një aksident automobilistik që më kish ndodhur para një viti. Nga ky aksident m’u desh të vendosja një hekur në këmbë pasi e kisha dëmtuar shumë. Kjo gjë ka bërë që edhe sot të vuaj pasojat e këtij aksidenti, pasi nuk mund të eci më si më parë. Dikush që më shikonte për herë të parë nuk e vërente difektin tim, por dikush që e dinte për aksidentin, e kuptonte pasojën që kish lënë ai në mënyrën se si ecja. Këtë problem që kisha, doja t’ia tregoja dhe Albit, por shoqja ime më tha:

“Nuk ke pse i tregon sepse ti nuk kuptohesh dhe në qoftë se ecën me kujdes, ai nuk ka për ta marrë vesh asnjëherë këtë gjë”, por unë nuk mund të veproja kështu. Nuk dija ç’të bëja. Nga bisedat tona kisha kuptuar se ai kishte filluar të më donte shumë, edhe pse nuk më kishte parë. Një ditë rashë pre e provokimit të tij kur më tha: “Ti diçka më fsheh mua!”. Unë u drodha nga frika sepse mendova se e kishte marrë vesh për aksidentin që më kishte ndodhur dhe fillova t’i tregoja: “Po, është e vërtetë që diçka kam”. Albit për një momont m’u duk sikur i pushoi zemra sepse nuk po fliste. I tregova për aksidentin që më kishte ndodhur dhe ai filloi të qeshte me të madhe. Unë nuk po kuptoja më se çfarë po ndodhte, mendova se aty përfundoi gjithçka që ne kishim krijuar për gati gjashtë muaj rresht. “O budallaqe e vogël!”, më tha ai duke qeshur. Nuk dija çfarë t’i thoja. “Kjo ishte e gjitha tani. Po të duash, edhe mund të mos më flasësh më!”, ia ktheva unë, por Albi nuk i mori fare parasysh ato që unë i kisha thënë, madje shtoi: “Unë thjesht të provokova. Doja të dija nëse ti kishe qenë e lidhur më parë ose të kish ngelur peng dikush dhe kjo do të më vriste vërtet, por të gjithë mund të bëjmë aksident, madje edhe unë kam thyer njëherë krahun kur kam rënë nga motorri”.

E gjithë kjo që ndodhi, më bëri të çlirohesha nga një peshë e rëndë që dukej sikur po më zinte frymën. Mbas kësaj bisede, gjërat vazhduan si më parë, ne kishim gjetur një lloj qetësie te njëri-tjetri, duke komunikuar herë me sms e herë në telefon. Kështu, vazhduam edhe për disa kohë derisa një ditë, Albi, edhe pse kish kaluar mesnata, vazhdonte të komunikonte me mua me anë të mesazheve. E habitur, e pyeta se pse nuk po flinte gjumë dhe ai më tha se kishte shkuar në ditëlindjen e një shoku dhe se atë ditë do ta gdhinin. Atë mbrëmje, folëm deri në katër të mëngjesit dhe ditën tjetër, ai nuk po më shkruante më. E habitur për këtë fakt, edhe unë, e mërzitur, nuk po i shkruaja sepse mendoja se duhet të më shkruante ai i pari. Ishte ditë e dielë dhe unë fillova të bëhesha merak për Albin. Ai asnjëherë nuk kishte ndenjur pa më shkruar deri në orën tetë të mbrëmjes dhe ky fakt më shqetësonte. I dërgova sms ku e pyeta se çfarë po bënte dhe pse nuk po më shkruante, por prapë nuk mora përgjigje prej tij. Ishte ora nëntë e mbrëmjes ku në telefon më erdhi mesazh nga një numër shqiptar: “Je shumë e bukur, dua të të takoj”. U habita dhe po mendoja se pse më ndodhnin mua të gjitha këto gjëra, mendja nuk më hiqej nga Albi që kishte gjithë ditën që nuk më kishte shkruar. Një tjetër sms erdhi në telefonin tim: “Pse nuk më kthen përgjigje, moj bukuroshe?”. Po më vinte inat… Kush mund të tallej me mua në këtë mënyrë? Atë ditë e mbajta të fikur telefonin. Të nesërmen, shkova në shkollë. Kisha klasën e pestë në kujdestari, mbarova mësimin dhe qëndrova në klasë për të plotësuar diçka në regjistër, kur befas erdhi një nxënës, duke mbajtur në dorë një tufë me karafila të kuq dhe m’u drejtua mua:

“Janë për ty, zysh! M’i dha një djalë që po të pret në oborrin e shkollës”.

Menjëherë mendova se mund të ishte personi që më dërgonte sms me numrin shqiptar, ndaj e mora tufën me lule, kyça klasën dhe iu drejtova djalit që më priste në oborrin e shkollës: “Kush jeni ju që ndërhyni në jetën time?” dhe ia përplasa lulet në fytyrë. “Kush jua ka dhënë numrin tim të telefonit dhe çfarë kërkoni nga unë?”. Ai qëndronte në këmbë dhe qeshte me atë veprimin. “Dukeni shumë e bukur kur nxeheni”, shtoi. Kjo më bëri që të acarohesha më shumë dhe i thashë: “Të jetë hera e fundit që më del përpara!”. Ai ma ktheu se duhet të mësohesha me të se do ta shikoja gjithë jetën time. E pyeta kush ishte dhe m’u përgjigj se kishte gati shtatë muaj që e priste këtë takim! Mua, sa nuk më ra pika. Ndjeva se u skuqa në fytyrë dhe se gjunjët po më dridheshin. Nuk dija ç’të bëja, të qeshja apo të qaja. Albi e kishte përgatitur këtë takim deri në detajin më të vogël. Ai vetëm qeshte me sjelljen time dhe mua më vinte inat për këtë…

Ai më hodhi dorën në qafë dhe më tha: “Mos u mërzit, se shaka ishte”. I thashë se nuk e kisha menduar në këtë mënyrë takimin tonë. “Kurse unë nuk e kisha meduar se ti do të ishe kaq e ëmbël”, m’u përgjigj Albi. U ulëm në një lokal dhe filluam të diskutonim se si u gjendëm ne në këtë situatë. Ai më thoshte: “Je njeri i veçantë për mua dhe të dua për gjithë jetën, nuk kam kohë për të humbur”.

Gjatë kohës që ne kishim komunikuar bashkë ai pretendonte se më kishte njohur shumë mirë. Mbasi folëm për ndjenjat tona, Albi më dhuroi një kuti të vogël. Me shumë kureshtje e hapa dhe pashë në të dy unaza që, të bashkuara, formonin një zemër. Njërën prej tyre e vendosi në gishtin tim dhe njërën, në të tijin. Ndjehesha aq e lumtur sa po më dukej vetja si në ndonjë film. Dukej se ai e kishte përgatitur çdo detaj në mënyrë perfekte për takimin tonë. Më pëlqeu kaq shumë unaza saqë nuk dija si ta falënderoja. U afrova ta puthja në faqe, po nuk e di se si ndodhi dhe te buzët e mia ndjeva buzët e tij. Nuk gjej dot fjalë që ta përshkruaj atë moment. Ajo ishte puthja e parë që merrja nga një djalë, edhe pse isha 25 vjeçe. Të dy ngelëm të heshtur. Me gjysëm zëri, i thashë: “Të lutem, mos e bëj më këtë veprim, të paktën sa të bisedosh me prindërit e tu”. Në fakt, ai u kishte treguar atyre për mua, por ata nuk ishin dakord për shkak të problemit që unë kisha në këmbë nga aksidenti, madje e ëma i kishte gjetur dhe një vajzë tjetër për ta fejuar. Kur m’i tha të gjitha këto, mua sa nuk më ra pika. E gjithë ajo lumturi që kisha ndërtuar, m’u duk sikur u shemb para këmbëve të mia. Po dridhesha dhe lotët nuk më pushonin, edhe pse nuk doja të qaja. Albi më përqafoi dhe më tha: “Unë e kam vendosur. Në Itali kam shtëpinë e punën time dhe ne do të krijojmë jetën tonë, edhe pse të mitë nuk duan”.

Të gjitha këto, unë ua tregova prindërve të mi dhe ata, në mënyrë të prerë, nuk pranuan. “Pa sjellë prindërit e tij në familjen tonë, ti nuk do të bësh asnjë hap me të”, më tha babi. Po kështu, edhe prindërit e Albit ishin të vendosur për zgjedhjen e tyre. Nuk më ngelej rrugë tjetër… Edhe pse e doja shumë Albin, duhet të ndahesha prej tij. Nuk mund të hidhja poshtë prindërit e mi, aq më tepër kur nuk e isha e sigurtë se si mund të shkonte jeta ime me të në Itali. Me dhimbje të madhe, ia tregova këtë vendim atij. Ai u nis nga Tirana për të më takuar dhe u mundua të më ndryshonte mendjen, por nuk ia arriti dot. I mërzitur për zgjedhjen time, më tha se shumë shpejt do të pendohesha, por atëhere do të ishte shumë vonë. Edhe pse i kisha dhënë një përgjigje negative, brenda zemrës sime mbaja një shpresë se Albi do t’ua mbushte mendjen prindërve të tij. Në fakt, nuk ndodhi kështu. Ai, për t’u hakmarrë ndaj meje, ishte fejuar me vajzën që i kishte zgjedhur e ëma. Këtë ma tha shoku im që i kish dhënë edhe numrin e telefonit Albit kur ishte në Itali. Ditën që ai ma tha këtë gjë, isha nisur për në Sarandë me kolegët e mi për ta kaluar fundjavën atje. I thashë koleges që e kisha edhe shoqen time të ngushtë për atë që më kishte ndodhur pasi ajo e dinte historinë time dhe i kërkova që nëse qaja në makinë, t’u thoshte kolegëve të tjerë se kisha dhimbje dhëmbi. Sikur të mos mjaftonte e gjithë mërzia ime, u desh që shoferi i makinës të vendoste një disk të këngëtarit Ilir Veliu, këngë këto shumë melankolike, që thuajse të gjitha flisnin për një dashuri të dështuar. E kisha nxjerë kokën nga dritarja dhe gjithë rrugën për në Sarandë e kam larë me lot. Në ndonjë rast edhe qaja, edhe qeshja, kur dëgjoja shoqen time t’u thoshte kolegëve se më dhimbte dhëmballa. Ata, shumë dashamirës, më jepnin ose të pija ilaç, ose raki, “se kështu të pushon” më thoshin, pa e kuptuar se dhimbja ime ishte më e madhe. Dy ditët që kaluan në Sarandë kanë qenë ditët më të dhimbshme të jetës time. Ngrihesha në mëngjes me jastëkun e lagur nga lotët. Kishin kaluar gati dy javë kur në telefonin tim më erdhi një sms nga numri i Albit, në Itali. Zemra më rrahu fort dhe duart po më dridheshin. Ai më shkruante: “Nuk mund ta përballoj jetën time këtu në Itali pa zërin tënd dhe mesazhet e tua. Më mungon shumë, sa vetëm unë e di. Të lutem, hapma telefonin”. Ai i binte telefonit tim pa pushim. I shkrova: “Po i mbyll sytë, i dashur, të lodhur nga të qarët, se vetëm në ëndrra, takohen të ndarët”. Ky ka qenë momenti i fundit që kam komunikuar me Albin, pasi ndryshova numrin e telefonit. Nuk doja të dëgjoja më për të, edhe pse e desha shumë. Nga ai ruaj këtë histori që po jua tregoj juve sot dhe unazën me gjysmë zemre, të cilën e hoqa nga gishti ditën që mora vesh se ai nuk do të ishte më i imi. Sot jam 30 vjeçe, jam martuar, kam edhe një djalë dhe jam shumë e lumtur me familjen time, ndërsa nuk e di as sot se si ka shkuar jeta e Albit me njeriun që zgjodhi për t’u hakmarrë ndaj meje.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Ky është mësuesi më i mirë në botë..!

Next Post

15 mënyra për të ulur nivelin e kolesterolit të keq

Advertisement