Dy ëndrra

– Përshëndetje astrologe! Kam parë dy ëndrra. E para: Isha duke ecur dhe përpara kisha një kanal për të kaluar. Në fund të kanalit, në një shesh, ishte një vajzë me një fëmijë të vogël. Më tha se do të më udhëzonte ajo sepse parashikonte fatin nëpërmjet 24 ikonave. Atje erdhi edhe një burrë tjetër, por ajo i tha se do të më ndihmonte vetëm mua dhe më pyeti nëse isha i martuar. Unë i thashë “jo”. Ëndrra tjetër: Isha me ish-të dashurën dhe secili prej nesh mbante nga një ëmbëlsirë në dorë. Pasi i provuam të dyja, unë i thashë: “Të dyja të ëmbla janë”, pavarësisht se pjesa e saj, kishte pak më shumë ëmbëlsi. Ajo më tha se do t’i ribënim të dyja akoma më të ëmbla. Shumë herë më shfaqet në ëndërr një vajzë, herë si ish-e dashura, herë si një e panjohur, herë në formën e vajzës që njoh, por në ëndërr mundohet gjithmonë të më ndihmojë. Ju lutem, më tregoni, ç’do të thotë kjo ëndërr? Një zotëri.

– I nderuar zotëri, të dyja ëndrrat tuaja kanë të bëjnë me një merak shumë të madh që keni dhe pikërisht, me ish-të dashurën tuaj. Keni një rrugë për të bërë, përgjatë së cilës do të hasni disa pengesa, por fati do të jetë me ju dhe këtë e tregon ëndrra e parë që keni parë. Ëndrra e dytë ka lidhje përsëri me të njëjtin problem, nëse mund ta quajmë kështu. Duhet të merrni vendime sa më shpejt, në drejtim të personit të zemrës, pra, në drejtim të ish-të dashurës suaj. Gjithmonë nëse dëshironi që mes jush të ketë vërtet diçka serioze, duhet të këmbëngulni me njerëzit që ju rrethojnë që ju të jeni bashkë. Nuk duhet t’i zvarrisni projektet, përndryshe do ta keni më të vështirë t’i realizoni. Ju uroj fat!

Më ngordhi lepuri

Kam parë në ëndërr sikur kapa një lepur nga krahët e jo nga veshët. U gëzova shumë dhe, nga baçja, shkova në shtëpi. Kur arrita në shtëpi, lepuri më kishte ngordhur në duar, pa e kuptuar. Në shtëpi ishte nëna, motra e kushëriri. Motra më kritikoi duke më thënë se kisha hyrë në gjynah me lepurin që kishte ngordhur, por lepurin nuk e ngordha unë. Unë isha me kushërirën në bahçe dhe pashë dy lepuj. Lepuri bardhë e zi më iku dhe unë kapa lepurin gri me të bardhë, i cili më ngordhi në duar. Çfarë kuptimi mund të ketë ëndrra ime? Me respekt, Mona.

– Lepujt që keni parë tregojnë për personalitetin tuaj. Ju jeni një person shumë i ndrojtur, frikësoheni për pak, ama jeni shumë i ndjeshëm dhe keni shpirt artistik. Ëndrra që keni parë tregon luhatjet e humorit tuaj. Shpesh, e gjeni veten të hallakatur dhe nuk dini çfarë bëni. Ndodh që edhe pse i ndrojtur si natyrë, i lëshoni fjalët ose bëni veprime që mund ta lëndojnë tjetrin shumë lehtë. Kështu, ndiheni keq edhe ju më pas. Sa vendosni të ndryshoni natyrë, përsëri jeni po ju që e vrisni atë shpirt artistik që keni brenda jush. Dëshironi të nxirrni në pah guximin tuaj në disa fusha të jetës, por menjëherë dorëzoheni dhe keni frikë ta rinisni çdo gjë nga e para. Ëndrra ju këshillon të jeni më i vendosur dhe t’i çoni gjer në fund planet tuaja, pa lënduar as veten, as ata që ju rrethojnë.

Telefonatë nga një i panjohur

– Përshëndetje astrologe! Kam parë në ëndërr sikur më telefonoi një i panjohur dhe më tha: “Ju keni fituar”, ndërsa ëndrra tjetër ishte kjo: Në shtëpinë time ndodhej një kasafortë, kishte pjesë me ngjyrë floriri dhe brenda kishte lekë. Në dhomën tjetër ishte një fëmijë në formën e një engjëlli. Ai kishte disa tufa me para, luante i gëzuar me to dhe pastaj m’i dha mua. Faleminderit, nga X.

– Këto ëndrra që keni parë, tregojnë që jeni në pritje të diçkaje të cilën e dini vetëm ju, por ka shumë mundësi që mendoni se gjendja juaj do të përmirësohej vetëm nëse ndodh ndonjë mrekulli. Telefonata, në mos gaboj, është pjellë e fantazisë tuaj dhe përfaqëson mrekullinë që në mënyrë të pandërgjegjshme prisni që të ndodhë. E gjitha ka lidhje më shumë me anën tuaj financiare sepse edhe ëndrrat e tjera tregojnë po të njëjtën gjë, që ju jeni në pritje. Në fakt, diçka do të ndodhë, pikërisht në atë fushë që ju e dëshironi më shumë e kjo mund të jetë fusha financiare. Vetëm se nuk duhet ta mbani mëndjen vazhdimisht te kjo gjë. Duke përjashtuar mundësinë e fantazive dhe dëshirave tuaja për t’u përmirësuar nga ana financiare, mendoj se ju do të keni fat në këtë pikë.

Probleme me dhëmbët

– Kam parë një ëndërr prej së cilës jam shumë e shqetësuar. Njërit prej dhëmbëve të mi të poshtëm i hoqa një pjesë shumë të vogël, shtresë që më bezdiste, por më dhembi pak. Vura re pas pak kohësh se, në momentin që kisha hequr atë “ciflën”, më ishin nxirë të gjithë dhëmbët e anës së djathtë e pikërisht në këtë anë ndodhej edhe ai dhëmbi. Isha shumë e shqetësuar dhe ua tregova prindërve. Ika te dentistja e ajo më la takim. Të nesërmen, më ishin zbardhur të gjithë dhëmbët, dukej sikur asgjë s’kishte ndodhur. Ju lutem, më jepni një shpjegim se jam pak në ankth.

– Nuk keni pse të shqetësoheni kaq shumë. Heqja e asaj pjesë të vogël dhëmbi, tregon që dikush brenda rrethit tuaj do të jetë i shqetësuar ose do të sëmuret. Dhimbja pastaj dhe nxirja e dhëmbëve që keni parë, tregojnë për shqetësimin dhe dhimbjen që i prek edhe të tjerët. Ju do të shqetësoheni kaq shumë për këtë, ndërkohë që nuk është ndonjë gjë e madhe dhe këtë e tregon fare qartë zbardhja e dhëmbëve që keni parë të nesërmen e që do të thotë se shqetësimet tuaja janë të pabazuara mirë. Gjithçka do të kalojë, vetëm kini kujdes, mos i zmadhoni vogëlsirat. Gjithë të mirat!

U përqafova me ish-burrin

– Para dy netësh kam parë në ëndërr sikur isha te shtëpia e tezes, mora shkallët dhe mundohesha të hyja te kati i dytë. Nuk hyra, pasi më doli përpara tezja, e cila në realitet nuk jeton më dhe më tha: “Ti gjithmonë ke hyrë”, kurse unë me zor hyra te kati i dytë. Pastaj m’u bë sikur doja të shkoja në fakultet, por ishte ora 5 dhe nuk shkova dot se më kishte zënë gjumi. U zgjova dhe shkova te dhoma tjetër, ku ishte ish-burri im. Ai vetëm më shikonte dhe më qeshte, ishte shumë i lumtur. Më mori edhe mua te krevati i tij dhe filluam të përqafoheshim…

– Shkallët, siç e kemi thënë edhe herë të tjera, tregojnë arritjet tuaja, sado të lehta apo të vështira qofshin. Në këtë rast, ju del tezja e cila ju tregon si për t’ju dhënë zemër, që ju gjithmonë ia dilni mbanë, vetëm se duhet të përpiqeni më shumë, se mund të arrini një rezultat pozitiv, siç mund të jetë edhe një rezultat në lidhje me ish-burrin tuaj. Vonesa në shkollë përfaqëson një lloj frike që keni ndaj një mundësie të re ose do të kundërshtoni një vendim që ka të bëjë me të ardhmen tuaj. Vini re që koha po kalon dhe ju e kuptoni që nuk mund t’i realizoni të gjitha dëshirat tuaja, prandaj duhet t’u jepni përparësi atyre projekteve që vërtet kanë më shumë rëndësi për ju.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *