Qen

– Ç’do të thotë të shohësh kafshë në ëndërr, sidomos kur sheh qen? Unë shoh shpesh qen në ëndërr në situata të ndryshme, që as vetë nuk di t’i shpjegoj. Pse i shoh? Më është bërë fiksim kjo punë. Theksoj se unë nuk mbaj qen në shtëpi. Geni.

– Qeni në ëndërr, në përgjithësi, përfaqëson shtëpinë dhe besnikërinë. Duke qenë se ju nuk na e shpjegonit qartë se si i shihni zakonisht qentë në ëndërr, do t’ju shpjegoj diçka rreth kësaj kafshe. Nëse shihni në ëndërr një qen që ju kafshon, kjo tregon që nëse jeni çift, ju ose partnertja juaj nuk i respektoni rregullat e çiftit, pasi njëri nga ju e tradhton tjetrin. Në të kundërt, nëse shihni në ëndërr një qen të gëzuar, në realitet kjo do të thotë se jeni në rrugë të drejtë, se po përjetoni një lidhje shumë të qetë dhe në harmoni.

Më bëri operacion

– Kam parë në ëndërr sikur një vajzë e veshur me të bardha më kishte bërë operacion, por nuk ma kishte mbyllur ende plagën dhe gjak nuk më dilte. Pastaj erdhën mami me babin të më shihnin dhe unë nuk doja t’u tregoja se plaga ishte e hapur. Ju lutem, më ktheni përgjigje këtë javë pasi jam shumë keq. Me respekt, Ela, 20 vjeçe.

– E dashur Ela, së pari duhet të qetësoheni sepse nuk zgjidhni asgjë duke u shqetësuar, jo vetëm për ëndrrat, por për çfarëdolloj gjëje që ju bën të ndiheni e tillë. Kështu, vetëm sa sforconi veten tuaj. Së dyti, ëndrra tregon që realisht, jeni vërtet e shqetësuar dhe po kaloni disa vështirësi në një fushë që vetëm ju e dini. Nëse bëhet fjalë për shëndetin, do të thotë që shumë shpejt do ta merrni vetën. Nëse bëhet fjalë për një jetën tuaj personale, ëndrra tregon se ndiheni e lënduar dhe keni nevojë për shumë kujdes e vëmendje nga njerëzit tuaj më të dashur. Megjithatë, kam përshtypjen se ëndrra juaj ka më shumë lidhje me këtë të dytën. Në qoftë se ju mundoheni t’i fshihni plagët tuaja shpirtërore, është pak e vështirë t’i fshiheni familjes tuaj, aq më tepër prindërve, të cilët e kanë kuptuar se diçka nuk shkon me ju. Është më mirë të jeni e hapur me ata dhe prania e dashuria e tyre do t’ju ndihmojë ta kaloni më lehtë çdo lloj shqetësimi, qoftë ky edhe intim. Ju jeni shumë e rëndësishme për familjen, prandaj mos ngurroni të kërkoni ndihmën e tyre për çdo gjë, sepse sidoqoftë reagimi i tyre, ata do t’ju mbështesin. Gjithë të mirat!

I kishin rënë gurët unazës

– Unë, realisht, kam një unazë të cilën e kam shumë për zemër. E kam blerë kohët e fundit, pasi është shumë e bukur. Para tre netësh pashë në ëndërr sikur i kishin rënë dy gurë dhe u dëshpërova shumë. A mund të më thoni çfarë shpjegimi ka kjo ëndërr?

– Unazat kanë shumë shpjegime, por në rastin tuaj tregojnë që do të keni një krisje ndjenjash në çift nëse jeni e tillë, e cila në varësi të mardhënies që është ndërtuar, do të shikohet nëse do të vazhdojë më tej apo jo. Në të kundërt, duhet të bëni kujdes në marrëdhëniet që do të krijoni në të ardhmen. Ju uroj fat!

Po martohej kushërira ime

– Kam parë në ëndërr sikur do të martohej vajza e tezes, e cila, në fakt, është e martuar. Në ëndërr, po kërkonim një fustan për mamin se i ishte djegur ai që kishte. Pastaj, unë me motrën që është me studime jashtë, po iknim te lokali, por shkallët e pallatit ishin drejt dhe nuk mund t’i zbritnim. Mua më ndihmoi vajza e tezes, kurse motra tha: “Nuk kam zgjidhje tjetër” dhe u hodh me kokë në dysheme. Pastaj, ajo po kërkonte ndihmë. Jam shumë e shqetësuar për të. Eri.

– E nderuar Eri, ëndrra që keni parë tregon një pjesë të diskutimeve që keni bërë gjatë ditës rreth këtyre personave që i keni parë në ëndërr. Motra juaj po kalon një periudhë të vështirë, ndihet shumë e ngarkuar emocionalisht dhe shpirtërisht. Ju duhet t’i flisni dhe t’i jepni kurajo në lidhje me studimet që po bën, se mbase ndihet e stresuar pikërisht për këtë fakt. Nëse ajo qetësohet, gjithçka do të shkojë shumë mirë. E rëndësishme është të mos e pushtojë paniku dhe ta ndjejë që ju ka afër. Gjithë të mirat!

Hipa në pemë dhe i dashuri po qante

– Kam parë në ëndërr sikur përpara shtëpisë së të dashurit tim ishte një pemë e madhe. Unë hipa atje dhe më pas, nuk po zbrisja dot. I dashuri hipi për të më ndihmuar, por nuk më ndihmoi dot dhe filloi të qante. Unë i thosha të mos qante se mund të zbrisja. Më vonë, atë e ndihmoi motra e tij të zbriste dhe unë zbrita vetë poshtë. Më ka ngelur fiksim kjo ëndërr dhe dua të di kuptimin e saj. Ju lutem, më ktheni përgjigje.

– Pema në ëndërr ka shumë kuptime, por në rastin tuaj, ajo tregon që ju jeni një vajzë me karakter të fortë dhe keni shumë besim në vetvete. Kjo, përsa i përket anës psikologjike. Përsa i përket parashikimit, ka mundësi që i dashuri juaj të kalojë një periudhë të vështirë dhe të kërkojë ndihmën tuaj. Ai do të ketë më shumë se kurrë që t’i qëndroni pranë. Mund të ketë probleme pune ose në familje, por sido që të jetë, ëndrra tregon se duhet të jeni ju ajo që duhet ta ndihmoni dhe t’i jepni kurajo. Ai duket shumë më i brishtë sesa ju. Gjithë të mirat!

Vodha lekë

– Isha në shtëpi dhe po kërkoja portofolin tim, por nuk e gjeja asgjëkundi. Pastaj, për të mos dalë pa lek në xhep, mendova t’i vidhja, shkova te dhoma e mamit tim, ia mora lekët asaj nga portofoli dhe nuk i thashë asgjë. Dola me shpejtësi nga shtëpia, nga frika se mos më kapte duke i vjedhur lekët. Isha i ndërgjegjshëm që s’kisha bërë një gjë të mirë, ama përsëri nuk i ktheva mbrapsht ato lekë. Pres përgjigje. Fatmiri.

– I nderuar Fatmir, ëndrra juaj tregon që jeni një person jo shumë i përgjegjshëm, dorëlëshuar dhe nuk dini të kurseni. Pastaj, kërkoni me çdo kusht t’i fitoni lekët në mënyrë shumë të lehtë, qoftë edhe duke u treguar egoist ndaj familjes, për të arritur atë që dëshironi. E dini se kjo nuk është aspak pozitive për ju, por sërish vazhdoni të silleni në të njëjtën mënyrë. Mendoni se familja e ka për detyrë t’ju japë gjithmonë dhe ju të mos jepni kurrë. Me pak fjalë, ju vetëm prisni, ndërsa për të dhënë nuk jepni kurrë si në familje, ashtu edhe në rrethin tuaj shoqëror. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për anën materiale, por edhe për atë shpirtërore. Duhet të ndryshoni sjellje dhe të dini të falni edhe ju dashuri apo mbështetje, ndryshe rrezikoni të ngeleni gjithnjë i vetmuar. Gjithë të mirat!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *